E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, përfundojnë përgatitjet për festivalin mbarëkombëtar të filmit



Përgatitje intensive po zhvillohen në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ne Durrës ku pritet të nisë edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit (International Summer Fest Film). Në të gjitha rrugët e qytetit janë vendosur postera dh programi I festivalit nën sloganin “Arti, mbiemri i qytetit tim”. Emblema e Durrësit gjatë këtyre ditëve është bërë statuja e Gladiatorit, e riprodhuar në postera me përmasa të ndryshme. Qyteti antik do të mirëpresë vizitorë dhe artdashës në datat 23 deri më 31 gusht ku do të shpalosin talentin autorë dhe aktorë të 16 filmave konkurrentë të këtij festivali. Anila Varfi, një nga organizatoret e festivalit është shprehur se të shtunën në mbrëmje menjëherë pas ceremonisë së hapjes do të shfaqet prodhimi shqiptaro-gjerman “Koha e kometës” i regjisorit Fatmir Koçi. Pas shfaqjes së premierës së filmit të mbështetur në novelën “Viti i mbrapshtë” të Ismail Kadaresë, do të shfaqet filmi serb “Black horses”, tha Varfi, sipas së cilës, në të njejtën kohë në arenën e amfiteatrit antik të qytetit do të shfaqet një kolazh me disa nga prodhimet më të mira shqiptare në vite. Paraditeve në sallën e teatrit do të zhvillohen konferenca shtypi dhe debate mbi filmat e shfaqur në mbrëmjen e kaluar. Varfi është shprehur se të gjithë filmat konkurrues për çmimin e madh “Gladiatori i artë” do të shfaqen në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Në sallën e përshtatur si një kinema moderne është instaluar sistemi i kondicionimit, që do t’i shërbejë më pas shfaqjeve të teatrit dhe të varietesë. Pas filmave shqiptarë dhe serbë të mbrëmjes së parë, në ekranin e madh do të shfaqen edhe 14 filma të tjerë, mes të cilëve prodhimi italo-francez “Life sentence”, filmi kroat “True miracle”, bashkëprodhimi i artistëve nga Shqipëria dhe Kosova “Secrets”, filmi “Installation of love”, që vjen si bashkëpunim i artistëve nga Sllovenia dhe Gjermania, filmi grek “Correction”, ai estonez “Georg”, filmi çek “I served the King of England”, bashkëprodhimi anglo-iranian “Ahlam dreams”, filmi turk “Ëhite angel”, filmi norvegjez “Mirush”, bashkëpunimi boshnjako-kroat “Living and the dead” dhe filmi shqiptar “Mao Ce Dun”.
Projektimi i filmave konkurrues do të përfundojë më 30 gusht me bashkëprodhimin shqiptaro-çek “Trishtimi i zonjës Shnajder”, të regjisorëve Piro dhe Eno Milkani, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në mbrëmjen e fundit të muajit gusht. 12 filmat fitues do të projektohen sipas programit të parashikuar çdo mbrëmje në orën 21.00 në mjediset e amfiteatrit antik të qytetit, ku do të shfaqen edhe një pjesë e filmave konkurrues.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›