E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistët në Kalanë e Ali Pashës

Nga 10-12 gusht, në Kalanë e Ali Pashës, në Porto Palermo, mbahet Festivali Ndërkombëtar i Artit Bashkëkohor - Art Contact. Festivali paraqet një format unik për skenën artistike shqiptare - për nga forma dhe përmbajtja.

Art Contact është një kombinim i artit avangard vizual dhe interpretimit ‘live’ të muzikës eksperimentale. Pjesë e tij janë artistë të afirmuar dhe të rinj vizualë, si dhe artistë që interpretojnë rrymat e muzikës eksperimentale elektronike, duke krijuar një hibrid zhanresh artistike.

Në edicionin e sivjetmë do të ftohen edhe studentë të arkitekturës, të cilët do të ofrojnë ide dhe vizione për rikonceptimin e ish-zonave ushtarake, si kjo e Porto Palermos, ashtu që ato të shndërrohen në zona arti dhe prurjesh kulturash ndërkombëtare.

Pas suksesit të edicionit të parë të festivalit, që u mbajt në Porto Palermo e Himarë, më 2007, si dhe kërkesës së publikut të ri për përsëritjen e tij, Qendra Art Contactvendosi të organizojë edhe edicionin e dytë të festivalit. Në këtë edicion do të marrin pjesë artistë nga Shqipëria dhe shtetet e rajonit, të cilët do të përdorin gjuhë dhe teknika tjera inovative të artit të sotëm. Edicioni i vitit 2012 synon të hulumtojë përjetimet, perspektivat dhe ndjesitë që arti po trajton në këtë moment të historisë, si rrjedhojë e krizës globale. Festivali do të trajtojë temat e qendrës dhe periferisë, por do merret edhe me interpretimin e transformimeve urbane, me angazhimin social, shndërrimin estetik, dhe me zhvillimin e sistemit të artit.

Simpoziumet që do mbahen ndërkaq kanë të bëjnë me gjendjen e artit në kushtet e krizës globale. Në hapësirat e brendshme të kështjellës në Porto Palermo do të hapet edhe një ekspozitë, e titulluar “Kriza sistemi - ndryshime”. Mediumet që do të ekspozohen janë piktura, fotografia, video, instalacionet dhe performancat.

Festivali organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Këshillit të Qarkut Vlorë dhe me kontributin Institutit Italian të Kulturës, Konsullatës Italiane Vlorë, Ambasadës së Sllovenisë, Institutit të Kërkimeve Urbane, në bashkëpunim me Promenade Gallery, (Vlorë), The Office Contemporary Art Space Affair, (Torino, Itali); Marco Polo System (Venedik, Itali); Citizens Association Omen Theatre (Beograd); Electronic Music Tirana, (Tiranë); Personal Cinema Collective,(Athinë); Propagando Company.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›