E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili, kundër organizatorit

Skuadra braziliane e futbollit për femra ka kritikuar ashpër zyrtarët e Olimpiadës 2012 në Londër, duke u ankuar se telashet e udhëtimit me autobus ishin shkaktarë të humbjes nga Britania e Madhe. Selektori Jorge Barcellos i quan të turpshme përpjekjet e organizatorit për të ndihmuar skuadrën, që kishte mbetur në rrugë me orë të tëra pas një defekti të autobusit.

Skuadra braziliane e futbollit për femra ka akuzuar organizatorin e Olimpiadës 2012 në Londër për plan “turpërues”, që u përcoll me humbjen e papritur kundër Britanisë së Madhe të martën. Anëtarët e ekipit brazilian u hidhëruan pasi kaluan pesë orë duke pritur në rrugë, kur autobusi që po i transportonte ata pësoi një defekt.

Kjo ndodhi një natë para duelit me Britaninë e Madhe në kuadër të Grupit E në Wembley Stadium. Britania fitoi ndeshjen 1-0. “Është e turpshme”, tha selektori Jorge Barcellos. “Nuk kam përshtypje të mira, një garë e kësaj natyre, kurse përpjekjet për të zgjidhur problemin ishin absurde”, shtoi ai.

Brazili u largua nga baza e tij në Cardiff, duke kaluar në perëndim të Londrës, por udhëtimi u pengua kur autobusi u ndal në një skaj të rrugës për shkak të problemeve mekanike. Është raportuar se shoferi nuk ishte në gjendje të thërriste ndihmë dhe ekipi u përball me një pritje të gjatë. Më pastaj, një autobus zyrtar i Olimpiadës u sinjalizua të ndalet, por, sipas Daily Telegraph, shoferi i tij kishte përfunduar orët e punës dhe për t’i transportuar ata në Londër i nevojitej një leje e veçantë.

Autobusi zëvendësues erdhi pas dy orëve të tjera, por Brazili nuk arriti të akomodohej deri vonë në mbrëmje. Një gazetar brazilian tha për Yahoo Sports se në vend të seancës së zakonshme stërvitore, ekipi vetëm eci para se të kthehej në hotel për të fjetur. Në natën e nesërme, Brazili bëri fillim të mbrapshtë dhe Britania e Madhe kaloi në epërsi në minutën e dytë të ndeshjes, në atë që doli të jetë goli i vetëm i takimit.

Humbja rrëzoi gjigantin nga Amerika e Jugut në pozitën e dytë në Grupin E, para ndeshjes me kampionin e botës, Japoninë, në Cardiff të premten. Disa futbolliste të Brazilit në kushte anonimiteti i kanë thënë medieve braziliane se besojnë se problemet në transport ishin veprim i qëllimshëm për të penguar përgatitjet e tyre.

“Ishte e papranueshme. Është vështirë për futbollistet të kuptojnë se si mund të ketë zgjatur kaq shumë ky problem. Dhe, krejt kjo para ndeshjes me Britaninë e Madhe, një natë më vonë”, përfundoi Barcellos. Zyrtarët brazilianë të futbollit fillimisht deshën të paraqesin ankesë në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik, por u bindën të mos e bëjnë një gjë të tillë nga Komiteti i tij Olimpik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›