Artistët rikthejnë rënien e diktaturave
Dikur, për shumë artistë diktatura ishte mohim krijimtarie. Të tjerë, kryesisht të rinj, i rikthehen komunizmit për ta ngritur në art. Në një kontekst të tillë merr nxitje edhe ekspozita "Feedback 1989". Artistët ndalojnë në vitin e ndërrimit të regjimeve për të nisur një udhëtim social, politik e kulturor gjatë 20 viteve të fundit. Do të çelet në datën 29 tetor, ora 18:00, në ambientet e ish-hotel "Dajtit". Pas Bienales së Tiranës, kjo godinë merr sërish jetë nga konteksti i saj historik. Janë 21 artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që do të ndërhyjnë me art bashkëkohor në arkitekturën e "Dajtit". Jehona e 20 viteve nga shembja e Murit të Berlinit ka nxitur edhe idenë e kësaj ekspozite. Rënia e Murit të Berlinit, që solli ribashkimin e Gjermanisë dhe rivendosi pozicionimin e saj në Europë, shënoi pikënisjen e ndryshimeve të mëvonshme që ndodhën në vende të ndryshme ish-socialiste, si dhe ndryshimeve në fushën e artit dhe të kulturës. Kuratoret Julie August që vjen nga Gjermania dhe Adela Demetja, përmes "Feedback 1989" mbledhin një grup artistësh europianë në ish-hotel "Dajti" në Tiranë dhe e përqendrojnë takimin në vitin e ndërrimit të regjimeve. Zgjedhja e vendit të ekspozitës nuk është rastësi. Vetë hotel "Dajti" është një vend tranzicioni. Ndërtesa shërbente dikur si një mundësi e denjë akomodimi për të ftuarit e regjimit socialist. Sot është një vend i braktisur, gati joreal në zemër të Tiranës, ku historia duket se ka mbetur në vend. Janë 21 artistë që do të rreken të tematizojnë këtë kohë të shembjes së regjimeve, tranzicionin dhe ndikimin e këtyre zhvillimeve në jetën dhe krijimtarinë artistike. Veprat kanë herë-herë një nxitje historike, e herë të tjera përjetime personale. "20 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, vizioni për një Europë të bashkuar, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj është ndoshta naiv dhe mbetet ende shumë larg realitetit. Në shumë vende të Ballkanit dhe ish-Bashkimit Sovjetik pati konflikte të përgjakshme që pasuan me fragmentarizmin e hartës europiane. Shumë vende të "bllokut lindor" janë bërë ndërkohë pjesë e Bashkimit Europian, por kushtet e jetesës në Gjermani, Bullgari, Francë ose Rumani janë shumë të ndryshme. Akti që kjo ekspozitë zhvillohet në Shqipëri nuk është thjesht koincidencë, sepse me gjithë ndryshimet e shumta dhe demokratizimin mund të thuhet ende se ekziston një lloj "muri ndarës", në këtë rast jo si objekt fizik. Ai nuk është më "muri mbrojtës antifashist" i komunistëve, por është politika e vizave të Bashkimit Europian, e cila i ndalon qytetarët e këtij vendi të përfitojnë nga arritja më e madhe që solli rrëzimi i Murit të Berlinit: lëvizja e lirë dhe e pakufizuar për çdo individ. Jo pa qëllim në këtë hotel do të ekspozohen punimet e artistëve që tematizojnë në mënyra të ndryshme këto 20 vitet e fundit", shprehet kuratorja Adela Demetja. Ndërkohë, duke e konsideruar artin si ambasadorin më të mirë të një vendi, kuratoret vënë një paralelizëm me funksionin që do të marrë më vonë godina e ish-hotel "Dajtit" si seli e Ministrisë së Punës së Jashtme ku do të priten e përcillen delegacione të huaja. Ekspozita është konceptuar në tre pjesë. E para ka të bëjë me reflektime mbi pasqyrimin e rënies së Murit të Berlinit, por edhe të diktaturave të mëvonshme në tekstet e historisë së vendeve të ndryshme. Mbi bazën e një krahasimi, ku janë gjetur mjaft dallime, hidhet dyshimi mbi mundësinë e ekzistencës së një historie objektive të përbashkët europiane. Pjesa e dytë do të vendoset në sallën e ballos, ku artistë nga Rumania, Bullgaria, Kosova, Serbia dhe Gjermania do të ekspozojnë veprat e tyre mbi temën e kujtesës. Në disa raste këto punime lidhen dukshëm me ngjarjet e vitit 1989, ndërsa në raste të tjera ato lidhen edhe më gjerësisht me ndryshimet e ndodhura pas vitit 1989, apo edhe me histori personale të këtyre kohëve. Projekti mbyllet me "Artistët në rezidencë", që do të zhvillohet tërësisht lidhur me dhomat e hotelit në katin e dytë. Ato do të vihen në dispozicion të artistëve që jetojnë në Berlin dhe në Tiranë, të cilët do të kenë mundësi të paraqesin punimet e tyre, kryesisht instilacione të krijuara posaçërisht për vendin ku do të ekspozohen. Ndërsa një dokumentar do të përcjellë mendimet e artistëve pjesëmarrës mbi ndryshimet e mundshme që mund të ketë pësuar krijimtaria e tyre pas rënies së Murit të Berlinit. Artistë dhe artiste të reja nga Berlini "do të banojnë" për dy javë në hotel "Dajti".
"Përzgjedhja e tyre ka qenë krejtësisht subjektive. Ata janë artistë me të cilët ne kemi punuar ose artistë që donin të merrnin pjesë në këtë ekspozitë pas prezantimit të projektit, për të qenë të pranishëm në një vend, për të cilin shumica e tyre dinë shumë pak", shprehet kuratorja gjermane, Julie August. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 nëntor.
"Përzgjedhja e tyre ka qenë krejtësisht subjektive. Ata janë artistë me të cilët ne kemi punuar ose artistë që donin të merrnin pjesë në këtë ekspozitë pas prezantimit të projektit, për të qenë të pranishëm në një vend, për të cilin shumica e tyre dinë shumë pak", shprehet kuratorja gjermane, Julie August. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 nëntor.