"Këngëtarja tullace"
E vërteta vjen më vonë, thuhet. Përndryshe: E vërteta vonon, por kurrë s‘harron (s‘mungon). Ngjet shpesh me artin kësisoj. Kur "antikomedia", tashmë tejet e njohur me titullin paradoksal "Këngëtarja tullace" e Eugjen Joneskos u vu në skenë aty nga viti 1948, në një teatër parisien, u shitën veç shtatë bileta, dhe shfaqja u anulua. Edhe pas tre muajsh ajo sërish dështoi, s‘pati publik. Vetëm pas tre vjetësh, në vitin 1952, në kryet e saj u vendos përfundimisht kurora e dafinave dhe qysh atëherë e deri më sot nuk shkulet nga teatrot botërorë, ndërsa në Teatrin e Komedisë Franceze në Paris ajo ka mbi 50 vjet që rri në repertor. Në Shqipëri u vu për herë të parë në vitin 1994 në Teatrin Kombëtar, me regjisor Agim Qirjaqin dhe Mehmet Xhelilin. Sado që e "çuditshme" si vepër, ajo përnxiti kërshërinë tonë dhe vuri në lëvizje trurin e mpakur nga burgimi i lodhshëm i mendimit dhe prishja e nduarnduarshme e shijes. Spiro Duni e rimori këtë komedi me Studion e Teatrit "Po" dhe Teatrin Kombëtar, duke na dhënë një qasje të tijën, vetanake dhe inteligjente. Në dukje i "lehtë" dhe "shakator", teksti i kësaj antikomedie (kështu e ka quajtur vetë Jonesko), ka jo pak mistere ekzistenciale brenda, përplot kundërshti dhe antinomi të mprehta (të qenies, të jetës dhe të marrëdhënieve njerëzore). Dhe këto tekste të ashtuquajtura "të lehta" dhe "shakatore", të thyejnë brinjët nëse nuk mbërrin në nivelin e një mjeshtri të skenës, nëse të mungon inteligjenca për të rrokur të vërtetën e fshehur pas këtij tisi shakator, pas petkut të së rëndomtës dhe të parëndësishmes; nëse imagjinata jote regjisoriale dhe ajo e aktorëve që luajnë nuk prek dot stilin lodrues të veprës, individualitetin e njohur të autorit dhe parimet e teatrit të absurdit përgjithësisht. Spiro Duni ka bërë që kjo komedi pikërisht "të lodrojë". Duhet të largohesh një grimëherë nga teatri, pas rënies së perdes dhe pastaj ta ripërtypësh tekstin. Dhe të vësh re se si pas "gallatës", në idenë regjisoriale të S. Dunit, në nënshtresat kuptimore të fjalës (intertekstit), mbivendoset diçka e zymtë, e trishtuar, diçka që lidhet po aq me mërzinë e jetës, që s‘është veçse mënyra e ekzistencës së njeriut e rrethuar dhe sulmuar nga kotësia, rëndomësia, bjerrja. Dhe arrin të kuptosh se tragjikja dhe dramatikja te kjo shfaqje janë shumë-shumë të fshehura, pas shpërfaqjeve komike të sjelljes së ndoca personazheve kallp, bosh, qesharakë, madje, fatkeq. Kotësia është një mokër e mundimshme, që e bluan njeriun në cakun kohor të një jete pa qëllim, pa mision, pa pasion. Këto të fundit: qëllimi, misioni, pasioni, kur vetëshpallen apo shenjtërohen si të tilla, bëhen objekt talljeje nga Jonesko. Regjisori dhe aktorët e kanë kuptuar këtë dhe kanë vepruar po ashtu. E qëllimta është bërë e paqëllimtë, misioni një vetëlavdërim, pasioni një idiotësi. Jeta ka mbetur, si përherë, gri. Në thelb, ajo është qesharake.
Skena e parë, thënë ndryshe dialogu i çiftit Smith, ishte me të vërtetë një gjetje e bukur. Një mizanskenë thuajse statike, por e ndjekur nga një dialog "serioz" që përfundon në pakuptimësi, në hiç. Zoti dhe zonja Smith, pseudo-intelektualë (më saktë, pseudo në të gjitha), sido që bisedojnë me njëri-tjetrin, nuk merret vesh çka thonë. Ora e tyre shkon herë para, herë prapa, 3 apo 4, paraditja bëhet pasdite, java bëhet e martë dhe e marta e premte, vdekja bëhet jetë e sotme ose e ardhme, dhe lidhja logjike e ngjarjeve humbet sens, këputet, shndërrohet në pakuptimësi. Loja brilante e Roland Trebickës në krye të herës, me "solemnitetin" e fjalëve që shndërrohen në kotësi dhe budallallëk, me vetësigurinë dhe gjestin pompoz të një ushtaraku mbushur përplot dekorata, na sjell në dije njerëzit kallp, mburravecët dhe snobët. Aktori luan bukur me kontrapunktet dhe seriozitetin e shtirur e kthen vetiu në një "hiç" të madh, pra në shkarkesën humoristike që bart vetë fjala alogjike dhe e papritura. Edhe veshja e tij është një tallje: një fustanellë, që të kujton diku-diku fustanellën skoceze, por nga domethënia heroike që i është blatuar (në sensin e vetëdijes nacionale skoceze), përkundrazi, në trupin, sjelljen, gjestin e aktorit shndërrohet në një objekt përtalljeje. Dhe, pra, burri bëhet grua. Asiherë ironia e aktorit dhe regjisorit përmasohet ndaj këtyre të ashtuquajturve "njerëz të rëndësishëm", "trima", mbushur me dekorata, kinse të mençur, mes librave, gjoja projektues, gjoja studiues, por në fakt trutharë e lapërdharë. E këndshme është edhe Mariana Kondi në rolin e zonjës Smith. Ajo shfrytëzon hijshëm plastikën dhe portretin, sikurse stilizimin e disa replikave, të qeshurën etj. Dhe dialogu me të shoqin, zotin Smith, bëhet gjithnjë e më shumë qesharak. Keqkuptimi fjalësor, më drejt tejkalimi dhe shkapërcimi i kuptimit fillestar të nocionit që përfaqëson kjo apo ajo fjalë, kjo apo ajo fjali në dialogun e tyre pa sens e të çoroditur, më duket se është shfrytëzuar me mençuri nga aktorja, duke na kumtuar sakaq idenë e komedisë dhe të autorit se midis njerëzve sundon pakuptimësia, mungesa e komunikimit; se fjala është bërë një pengesë e domethënies, e vetë komunikimit si marrëdhënie racionale intelektuale. Një nga ironitë e njohura të autorëve të teatrit të absurdit, përfshi posaçërisht Joneskon, përpos mungesës së komunikimit gjuhësor, është ajo e shndërrimit të kuptimit në pakuptimësi, e arsyes në absurd, e logjikes në alogjizëm të pastër. Ky shtresim përmbajtësor vjen dhe bëhet tejet i rrokshëm me ardhjen e çiftit Martin, të cilët flenë vite e vite në një shtrat dhe kanë harruar se janë burrë e grua (çfarë paradoksi i bukur?!!!). Pra, monotonia e mërzitshme e jetës, e shndërruar në ritual, mungesa e risisë, e aventurës, përsëritja e lodhshme e gjësendeve pa vlerë e të rëndomta, indiferenca ekstreme ndaj njëri-tjetrit, përsendëzimi i marrëdhënies njerëzore dhe asaj martesore në inerci shpirtrash të mpakur - e gjitha kjo vjen falë lojës në qasje groteske të Bujar Asqeriut në rolin e zotit Martin, i cili sendërtoi tipin e tuhafit, e njeriut të shushatur, të shastisur e të budallallepsur, që e kishte humbur të shkuarën e vet, rrjedhimisht sensin e reagimit në kohë. Qe një mbetje njerëzore për të ardhur keq. Dhe kjo mbetje gjendet brenda nesh, në shpirtrat tanë të lodhur dhe të konsumuar nga jeta dhe ritmi i saj drobitës, në vëmendjen tonë aq të topitur, kur edhe trupi i njeriut të shtratit na duket i huaj, i panjohur. Qesharake vërtet, por provoni ta mendoni pak pasojën dhe ju zë tmerri…
Në qoftë se do të më pyesnin se çfarë më mbeti në mendje nga shfaqja, do të thosha: hijeshia e saj. Dhe bri saj, një kornizë e ndërtuar bukur: 1) hyrja me gjuhën si barrierë komunikimi, me përqeshjen e snobizmit, e rëndomësisë së fjalës së keqkuptuar dhe shndërrimin e dialogut në mjet akomunikativ, 2) talljen me letërsinë dhe poezinë, me gjithë retorikën e saj boshe (ngarendja plot gjallëri e hare e Flaura Kuretës në rolin e shërbyeses dhe shpotia e saj me vargjet "fyl" të një poezie anakronike, patetike e të dalë mode), 3) fundi enkas i banalizuar, falë "lodrave të fjalëve", të gjitha të qëmtuara me kujdes nga shqipja dhe të mbushura me humor, të cilat e sjellin në majë të gjuhës mendimin përshkonjës të Joneskos mbi shndërrimin e fjalës në një "lëvozhg" tingujsh pakuptim, në asonanca dhe ritme fjalësore pa domethënie, pa lidhje, sikurse edhe në vargëzime e bejte të natyrës folklorike me një leqendisje sfiduese ndaj teprive të njeriut, kotësisë, absurdit të jetës, hiçit të madh që na mundon (dhe kur jeta mbyllet na tmerron…). Ajo që më bëri përshtypje në trajtimin regjisorial ishte begatia e detajeve dhe gjetjeve të shumta. Do të kujtoja, ndër të tjera, asociacionin e zotit Martin me blegërimin e deleve (një farë bagëtie dhe ai), harenë dhe vrapin e shërbyeses duke shpotitur vargje poezie demode, ekskursioni i batutave nga njëri aktor te tjetri duke luajtur me kontrapunktet logjike të fjalive, fishkëllima e sirenës së zjarrfikëses e servirur si "muzikë e kërkuar" nga punonjësi i zjarrfikësit, po ashtu imitimi i kalit a gomarit (luan Fatmir Sina), luajtja me ndërrimin e sekseve kur zonja Martin (luan Anila Bisha) "përkëdhel" zotin Smith sikur ky të ishte një femër. Kjo e fundit them se mund të pasurohej edhe më tutje nga ana e regjisorit, pa e tepruar sigurisht. Në qoftë se S. Duni do të më mirëkuptonte, mendoj se shfaqja kishte nevojë edhe për një a dy impulse të tjera, le t‘i quaja "ritmike", të cilat do të kërkonin një mizanskenë dinamike, si ajo e shërbyeses me vargjet poetike. Mizanskena e "ulur" në karrige mund të thyhet më tutje me qëllimin e begatimit të saj, për t‘i kallur "zjarr e flakë", më shumë energji, lëvizje, për ta bërë më pranë, madje, xhonglerimit, cirkut, gjer edhe klounadës. Ndoshta, elementi imitues e pantomimik kur rrëfehen fabulat apo shqiptohen idiomat mund ta zhdërvjelltësonte mizanskenën duke e rritur edhe më tej humorin. Sepse tallja e autorit mbi gjithë bëzhdilet e jetës, mbi zgjyrën e trurit të atrofizuar të njeriut si rob i skemës, i klishesë dhe i ritualit në një shoqëri indiferente, të ftohtë, snobe dhe të përhime, në komedi nuk vjen përmes pranisë së një subjekti të identifikuar. Jo. Komedia s‘ka ngjarje, s‘ka fabul, në kuptimin aristotelian dhe mimeitik të strukturimit të lëndës së saj letrare. Edhe fjala si nocion, edhe dialogu si marrëdhënie shndërrohen enkas në mjet estetik, pra si gjendje dhe raport akomunikimi, alogjizmi, absurdi. Loja dhe argëtimi bëhen mjete të talljes. Brenda kësaj paradigme dramaturgjike regjisori Spiro Duni nuk e kishte të lehtë të gjente çelësat për të hyrë në domethënien e kësaj vepre elitare të Joneskos. Por ai mundi t‘i hapë dyert e rënda të "Këngëtares tullace" (në dukje aq të "lehta") dhe na dha kënaqësinë e shijimit të saj. Epilogu i fjalës sime është: një vënie elegante, me sqimë…
Josif Papagjoni
Kritik arti