Jetullah Haliti, ekspozitë në kalanë e Gjirokastrës
Qyteti i Gjirokastrës, me mure të lashtë, me pllaka guri. Një qytet që të emocionon me monumentalitetin e tij. Brenda tij një kala gjigante, gurë të mëdhenj të gdhendur si një skenografi e krijuar nga artistë të lashtë e modernë. Një artist pret e përcjell vizitorë, pret e përcjell artistë. Portreti i tij me një karakter të fortë, sy që lexon thellësi dhe shpirt të madh e të sinqertë, flokë të bardhë që japin fisnikëri. Është i madhi artist nga Kosova, Jetullah Haliti, të cilin e gëzojnë pa masë miqtë dhe vizitorët që shohin ekspozitën e tij, hapur në një ambient të magjishëm të kësaj kalaje. Pikturat e tij shpesh duken si një bizhu e rrallë në gurët shekullorë të kalasë, ku ngjyrat herë-herë të krijojnë një vezullim sa hap e mbyll sytë, një spektër të gëzueshëm që u jep gjallëri dhe jetë gurëve që s‘flasin. Ciklet e tij "Trupi", "Portreti tragjik", "Dritaret e jetës", "Pëllumbat e paqes", "Anatomia e vezës", pikturat pa titull që flasin shumë janë pjesë e kësaj ekspozite hapur në ditët e festivalit të Gjirokastrës. Sytë të mbeten në tablotë e tij, herë-herë të pikturuara me një kontrast të gjetur grafik, ku ndihet kufizimi i ngjyrave e artisti lot me to. Portretet tragjike të autorit, gjuha koloristike e përdorur, si dhe lakonizmi i mjeteve, të cilat piktori i përdor në tablotë e tij, janë mjaft të goditura, origjinale e domethënëse. Disa nga tablotë e tij janë pa titull, si pjesë e tërësishme e kësaj ekspozite dhe krijimtarisë së autorit, i cili me ndjeshmëri të lartë përdor ngjyrat herë-herë tepër të kufizuara dhe herë-herë mjaft të pasura që flasin dhe kanë tituj. Fryma, aktivitetet dhe emocionet që Jetullah Haliti përcjell janë pjesë e frymës dhe zemrës kosovare, asaj zemre që rreh për kombin e tij. Zemra e tij gërthet, ulëret, gëzohet, emocionohet thellë, qan e qesh me mesazhet që ai i dërgon kombit të tij nëpërmjet pikturave që paraqiten anekënd Europës. Piktori Jetullah Haliti i prek vendet e Europës shpeshherë, me dhjetëra ekspozita që ai hap, por emocioni i veçantë është atdheu i tij, Kosova e Shqipëria, ku ai sensibilizon opinionin artistik e intelektual me prezencën e pikturave të tij në sallonet artistike e me aktivitetin e tij të pareshtur. "Jeta ime është arti", shprehet piktori që lëvron teknika të ndryshme: pikturë, vizatim, grafikë, qeramikë. Piktura e tij vezullon me një kontrast, ku mbizotëron grija e zeza dhe e kuqja.