E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Romë triumfon dashuria e dy homoseksualëve naziskinë

Dashuria homoseksuale mes dy naziskinëve të rinj triumfoi në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Romë. Juria e drejtuar nga kineasti çek, Milos Forman, ka vlerësuar me çmimin "Marc‘Aurelio i artë", "Brotherhood", një film të fortë, shumë aktual të regjisorit danez me origjinë italiane, Nicolo Donato, që mendohet se do të fitojë zemrat e atyre që do ta shohin. "L‘uomo che verrà" ("Njeriu që do të vijë"), i italianit Giorgio Diritti, një film që flet për tragjedinë e Marzabottos (njihet me këtë emër operacioni shfarosës i gjermanëve në territorin me të njëjtin emër në Romagna të Italisë, gjatë vjeshtës 1944, në përpjekje për të luftuar partizanët e zonës) ka fituar çmimin e madh të jurisë, si dhe të publikut. Ndërsa aktori Sergio Castellitto është vlerësuar si aktori më i mirë mashkull. Aktori dhe regjisori i famshëm italian, në Europë e më gjerë, është pëlqyer mjaft në rolin e një babai ish-boksier që trajnon djalin e vet në ring në filmin "Alza la testa" ("Ngrije kokën") i regjisorit Alessandro Angelini. Një histori e trishtë që flet për depresionin e një ati për humbjen e një djali, të cilin në të gjallë e ka trajtuar gjithmonë me ashpërsi, por në fund gjen vetveten dhe forcat për të ecur përpara. "Marc‘ Aurelio i argjendtë" për aktoren më të mirë i është dhënë, ashtu siç dhe parashikohej, aktores Helen Mirren, për interpretimin e bashkëshortes së shkrimtarit të famshëm rus, Leon Tolstoi, në "The Last Station" ("Stacioni i fundit") me regji të Michael Hoffman. Mbetet duarbosh "Up in The Air", ("Mes reve"), i regjisorit Jason Reitman, që shpresonte të paktën një çmim për protagonistin, George Clooney. "Marc‘ Aurelio i Artë" për karrierën e ka fituar Meryl Streep, filmi i fundit i së cilës, komedia argëtuese "Julie & Julia", ka mbyllur festivalin. Dokumentari më i mirë për seksionin "Kinemaja tjetër- ekstra" i është dhënë "Sons of cuba" i Andrew Lang, ndërsa në seksionin që u është dedikuar fëmijëve, "Liza në qytet", ka fituar filmi "Last ride" i Glendyn Ivin (një çmim ky që e kanë dhënë spektatorët nën moshën 12 vjeç) dhe "Winter in wartime" i Martin Koolhoven (për fëmijët e moshës mbi 12 vjeç). Ndërkaq, të rinjtë italianë janë "tërbuar" krejt pas aktorëve të sagës së famshme tashmë, "Twilight", i trajtuar nga librat bestseller të Stephanie Meyer. Tre vampirët e këqij kanë mbushur sallën me plot 1700 vende dhe kanë sjellë një frymë festive, duke përsëritur eksperiencën e vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›