E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryker: “Vetëm UNMIK-u është i autorizuar të organizojë zgjedhjet në Kosovë”



Kryeadministratori i Kosovës, Joakim Ryker, lidhur me zgjedhjet serbe lokale dhe parlamentare që do të mbahen më 11 maj, ka bërë të ditur se vetëm UNMIK-u është i autorizuar të organizojë zgjedhjet në Kosovë, përkatësisht në mjediset e banuara me popullatë serbe. Siç kanë bërë të ditur agjencitë kosovare të lajmeve, Ryker ka shprehur besimin se Beogradi këtë radhë do të respektojë Rezolutën 1244 dhe se nuk do të organizojë zgjedhje serbe në Kosovë. Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë ka marrë disa ditë më parë vendimin, me shumicë votash, mbi formimin e grupit të punës për hartimin e tekstit të udhëzimit për zbatimin e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës. Ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiç, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër shefit të UNMIK-ut, Joakim Ryker, për bashkëpunim në organizimin e zgjedhjeve lokale në vendet me shumicë serbe. Ryker e ka kundërshtuar ministrin Samarxhiç duke thënë se “vetëm UNMIK-u është i autorizuar të organizojë zgjedhjet në Kosovë. Zgjedhjet lokale të organizuara nga autoriteti serb nuk do të jenë valide”, - ka thënë Ryker.
Më tej kryeadministratori Ryker është shprehur, se beson që Beogradi do ta respektoje Rezolutën 1244 dhe se nuk do të organizojë zgjedhje lokale në Kosovë. Zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në Serbi do të mbahen më datën 11 maj.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›