E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistët shqiptarë nderojnë sot dirigjentin Milto Vako

TKOB, mbrëmje muzikore me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Artistit të Merituar


Me rastin e 80-vjetorit të lindjes të mjeshtrit të ansambleve korale Prof. Milto Vako sot në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të zhvillohet një mbrëmje muzikore me pjesëmarrjen e solistëve dhe korit të operës, si dhe artistët e Ansamblit Koral Popullor.

Artisti i njohur Milto Vako i takon atij brezi të shquar të artit shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimtarinë muzikore shqiptare. Në periudhën që ka punuar në TKOB, Milto Vako ka përgatitur premierat e shumë veprave skenike, opera, opereta, etj. Dhe përveç kësaj ka realizuar një aktivitet të ngjeshur dhe intensiv në koncerte të ndryshme me korin e TOB të Liceut Artistik, të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, etj, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Me rikthimin e lirisë së besimit dhe rihapjen e institucioneve të kultit, Milto Vako angazhohet pranë Kishës ortodokse autoqefale me ngritjen e një formacioni. Aktualisht është pedagog i dirizhimit dhe dirigjent i korit i vajzave të A.A, të cilin e ka themeluar në vitin 1992. Është anëtar i forumit Europa Cantat, Gjermani, që prej vitit 1996; anëtar i forumit TEXO, Maqedoni, që prej vitit 1997 si dhe anëtar i Muzika Korale ballkanike, Greqi, që prej vitit 1998. Koret e drejtuara nga ai janë vlerësuar me çmime të ndryshme në shumë vende të botës. Për titullarin e TKOB prof. Zhani Ciko artisti Milto Vako i takon atij brezi artistësh profesionistë të ngritjes së nivelit artistik të traditës korale, si dhe në përgjithësi për të gjithë gamën e të kënduarit në ansambël. Ai me talentin drejtues në këtë fushë është ndër krijuesit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore duke dhënë ndër vite disa modele interpretimi të përpunimeve më të mira korale në këtë fushë. Merita të ndjeshme ka prof. Milto Vako dhe në inicimin e një tradite të re korale për ansamblet e zërave të rinj që njihen në botë me emërtimin voci bianche. Mbi këto parime ai filloi një përvojë të re tek ne me korin e Liceut Artistik që në vitet 60, gjë e cila ngjalli mjaft diskutime pasi thyente tabutë kufizuese të kohës. Disa herë kërkesat për një të kënduar koral të natyrshëm dhe pa deformime ranë ndesh me pompozitetin e jashtëm e jo të kultivuar të koreve me të cilat ai punoi si në Ansambël ashtu dhe në Opera. Një periudhë dhune ndaj tij dhe familjes u ushtrua deri në ekstremin e privimit të lirisë pas famëkeqi plenium i IV të Partisë. Ndërrimi i sistemit totalitar e solli gradualisht në jetën artistike Mjeshtrin e korit të anatemuar, pohon Ciko. Merita e tij qëndron edhe në rizgjimin krahas të kënduarit koral ortodoks edhe për repertorin koral të ritualit kishtar, por edhe për atë koncertor në këtë fushë. Duke e parë të lidhur traditën e hershme bizantine me repertorin autentik apo të përshtatur nga liturgjia jonë, ajo e kishës shqiptare autoqefale në diasporë si dhe nga vendet e ndryshme të të njëjtit besim. Kjo përbën një kontribut artistik, të fushës së artit dhe njëheri historik të kapel maestrit Milto Vako. Në fushën e krijimtarisë korale, MiltoVako zë një vend në sajë të disa punimeve cilësore. Cikli  gjashtëdhjetë pjesëve të përpunuara për kor vajzash dhe kor miks pasuron repertorin vokal- koral në vendin tonë, vijon më tej mjeshtri i madh Ciko, drejtori i TKOB. Në fushën e krijimtarisë korale, MiltoVako zë një vend në sajë të disa punimeve cilësore. Cikli  gjashtëdhjetë pjesëve të përpunuara për kor vajzash dhe kor miks pasuron repertorin vokal-koral në vendin tonë. Ky repertor, i cili është interpretuar nga koret më me zënë si kori i operas me pjesët Broi një pëllumb apo Erdhi prilli çu shkri bora etj. Personaliteti i prof. Milto Vako është i njohur edhe në shumë shtete të rajonit ku ai prej vitesh ka qenë anëtar i jurive ndërkombëtare duke dhënë modelin e një personaliteti te fushës ku Milto Vako ka kontributin e tij individualisht më se cilësor.

Jeta e artistit Milto Vako
Dirigjent koral. U lind në Pogradec më 30 mars 1930. Studimet e para për muzikë i kreu në Liceun Artistik J. Misja, Tiranë në vitet 1948-1952 për teorik. Më pas në vitet 1953-1959, kryen studimet e larta për dirizhim koral në Konservatorin P.I. Çaikovskij në Moskë, në klasën e V.G. Sokollov. Pas mbarimit të studimeve kthehet në Shqipëri dhe punon në fillim si dirigjent pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Më pas themelon e drejton korin e Liceut Artistik, dhe me krijimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, jep mësimin si pedagog i klasës së dirigjimit. Në vitet 1964-1968 është dirigjent i korit të TOB dhe në vitet 1968 -1973 është udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Pas këtij viti dënohet nga regjimi komunist (në vitet 1973-1975 internohet në Tepelenë; 1975-1982 burgoset; 1982-1991 lirohet, por punon si punëtor). Nga viti 1991, fillon të punojë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, në fillim si pedagog i korit (1991-1993) dhe më pas si shef i Katedrës së Dirizhimit (1993-2001). Ndër këto çmime përmendim çmimin III, Festivali i Rinisë Botërore, Bukuresht, Rumani (1953)l çmimi I, Festivali i Ohrit (1971), kupa dhe çmimi i parë, Festivali i dytë Internacional në Fiviziano, Itali, 1999 etj. Për aktivitetin e tij prof. Milto Vako është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm, ndër të cilat përmendim Urdhrin Naim Frashri të Klasit të Dytë (1968), titullin Artist i Merituar (1971) dhe titullin Profesor (1995).

Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Hene, 29 Mars 2010 21:30

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›