E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë i kërkohet lexuesit të sotëm!?

E di se punimet e këtij libri kanë mjaft errësi e që vazhdojnë të jenë të tilla edhe pas leximit të vëmendshëm. Ka momente që edhe mund të duken të qarta, por që në të vërtetë më rtisin ekspresivitete jo vetëm të koshiencës, por edhe të subkoshiencës. E shumë herë ajo që bie në sy, është ana formale, mjete të morfologjisë e të prozodisë, funksioni i të cilave ka qenë vetëm rilevimi e shoqërimi i fenomenologjisë së brendshme.
(Kjo vetëdije më shtyn të jap disa sqarime, sdo mend, të përcipta e tepër pak reprezentative të gjithë sa duhej të thosha). Për mua ka qenë e natyrshme që rruga për dhënie përparësi konglomerimi menjëhershëm të së brendshmes me strukturat konkretizuese (pra duke u lejuar këtyre të fundit atë sasi vendi e kohe që u përket në raport me tërësinë) çon në sintetizim rigoroz. Në realitet kjo ka qenë gjithmonë tipar i poezisë. E sidomos sot, metoda e sintetizimit dominon jo vetëm në poezi, por edhe në pikturë, muzikë e në çdo fushë tjetër arti.
Mjetet d.m.th format, morfologjike e të leksikut, figurat retorike etj. skanë qenë tjetër veçse kontribute kualifikuese e kuantifikuese për të nxjerrë ngacmimet emotive, përfytyrimin vetjak. Kam bërë të miat fjalët e G. Ungaretit. Ai (Ungareti) dëshiron të kuptohet se forma e mundon vetëm sepse kërkon me këmbëngulje që ajo të përkojë me ndryshimet që pëson shpirti i tij, ai dëshiron që ajo (forma) të paraqiste ndonjë prej krijimeve të arritura prej tij si njeri Po ashtu më rri gjithmonë në mendje sinteza që i bën E. Montales kritiku S. Solmi, kur thotë për atë muzika e ashpër e të cilit (e Montales) zbulon koloritet, fragmentet mahnitëse të një bote të dendur, e cila nëpërmjet ecjes fatale të makinës së vet përbindshe, shkon dora-dorës duke fshirë çdo shteg, çdo iluzion shpëtimi Vetëm se do dëshiroja të mos keqkuptohet admirimi që kam për poezi moderne, që nga Bodler te Montale, e sidomos metoda e esencialitetit ose e hermetizmit e diktuar prej tyre. Kam mësuar shumë prej tyre, kam parë si ata shpuprojnë ndjenja e emocione, si unisojnë në vargjet e veta poetike çdo vështrim artistik, si manipulojnë mjete të ndërlikuara duke ia shtruar një regjimi të fortë analize e
kursimi, si mobilizojnë jo vetëm rimat e aritmitë, metrat e asimetritë, por deri pauzat, piksimet e korsivet me asonanca e disonanca qëllimore, me pasazhe e kolorite, duke i çuar të gjitha drejt një komunikimi poetik të madhërishëm. Komunikim ai që si drejtohet një lëçitësi të plogët, pasiv e indiferent, që pret çfarë i sjell poeti-dallëndyshe për ta
përtypur pa mundim, pa pjesëmarrje. Jo. Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndier e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale, e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër. Konsumatorit të sotëm i kërkohet të jetë si ai vizitori i Luvrit që kuvendon me Da Vinçin para Xhokondës, o si ai që ankon e galdon me Van Gogun para një peizazhi norman. Ose si lexuesi i Ungaretit që vuan e heq të zitë e ullirit bashkë me poetin në llogoret e luftës. E janë goditje emotive ata që nuk zgjasin vetëm çastin ekstemporan të perceptimit, por mbeten gjithnjë te konsumatori, mbase duke iu adoptuar gjendjes shpirtërore e situatave personale. I tillë ka qenë gjithmonë objekti i artit, e sot, me kthimet në esencialitet, edhe më shumë se kurrë.
Rrugën e esencialitetit ose të hermetizmit e kam përqafuar kryesisht sepse ashtu e kam ndjerë mundësinë e dhënies emocionale dhe të krijimit të përfytyrimit vetjak. Njëherit kam këqyrë të mos bie, qoftë edhe pa vetëdije në binarët e hermetikëve sado të adhurueshëm që ata binarë janë. Jo se pretendoj që këto punime të kenë kushedi se çfarë vlere inherente, por pasimi i rrugëve emocionale të tyre do të kishte qenë një vazhdim i mjerë dhe i pafrut. Shpëtimin prej një gracke të tillë ma ka dhënë analiza kritike e botës individuale, e rrethanave, e kushteve të ekzistencës, e aspiratave dhe idealeve e sidomos këndvështrimet e botëkuptimet personale, që edhe mund të paraqesin afri sensitive me këdo tjetër, por jo unjisim filozofik e ideor. P.sh. ekzistencializmi mua më shpie deri në pranimin e mjerimit (afër formulës së Shën Françeskut) si rrugë për ushqimin e shpresës. Një tjetër burim shpëtimi ka qenë shpuplimi dhe ushqimi i vazhdueshëm me leksikun e idiomat tona (të traditës dhe ato që bota krijon të reja çdo ditë) tek të cilat kam gjetur jo vetëm mjete formale, por edhe përshtatje me botën time personale. Toni, ritmi, koloriti i një fjale, i një fraze, më është dukur pasqyrimi më i përafërt me çfarë kërkoja të shprehja se sa mund të ishte një radhitje e gjatë. Këto mjete më janë përshtatur shumë fragmentarizmit esencial, ndoshta i diktuar ky tek unë, edhe nga ndrydhja e kushtëzimi fizik. Fragmentarizmi (me ciklime jo vetëm përpara, por shumë herë edhe përmbrapa) është i qenësishëm edhe në punimet nga fundi i librit, ku vetëm diskursi poetik ka marrë frymë më të gjerë.
Ku më pak e ku më shumë këto punime janë mbarsur nga ironia, madje edhe nga autoironia, por që mjerisht, pa dëshirën time, ka shkarë ndonjëherë në sarkazëm. Skam pasur çfarë të bëj: ashtu ka ardhur. Por dua që këto tipare të mos interpretohen si pesimizëm: nëse duken si të tilla fajin e ka aftësia ime e kufizuar e jo vetëdija. Nejse.
Natyrisht, çfarë thamë për brendinë e këtyre punimeve janë vetëm një vogëlimë e sipërfaqshme. As nuk di as nuk mundem të them më shumë. Ata do të duhej të flisnin vetë, e po qe se jo, prapë fajin e ka autori.
Zef Zorba
31.05.1989
(Titulli është redaksional. Pjesë e shkëputur nga pasthënia)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›