E Diel, 1 Nëntor 2026

I jepet lamtumira aktorit Agim Qirjaqi

Aktorit të njohur shqiptar Agim Qirjaqi, i ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare nga një sëmundje e rëndë, dje iu dha lamtumira e fundit, nga miq, kolegë e politikanë. Pjata prej druri është vepra e fundit, me të cilën kolosi i skenës dhe kinemasë shqiptare mbylli karrierën e tij.

Kolegët e vlerësojnë Qirjaqin si aktor intelektual e me vlera të rralla. Sot u nda përfundimisht nga teatri shqiptar aktori super intelektual, që ka pasur skena shqiptare. Ai ka pasur një diapazon të gjerë, i kompletuar si artist, si regjisor, si pedagog, si aktor me një kulturë të lartë profesionale, e mbi të gjitha me një veçanti krejt specifike në interpretimin e tij, thotë regjisori Gëzim Kame. Në homazhet kushtuar Qirjaqit shprehën ngushëllimet edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Shpreh dhimbjen time, për këtë ndarje të parakohshme nga jeta të zotit Qirjaqi, i cili ka lënë mbresa të pashlyeshme të secili prej nesh. Në këto momente pikëllimi do të thosha, artistët që lënë vepra të mëdha e kanë një shans përtej vdekjes, që do vazhdojnë të përcjellin profilin e tyre artistik, por dhe njerëzor, dhe për brezat që do të vijnë prapa, u shpreh presidenti Bamir Topi. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte dje i pranishëm në homazhet e aktorit të njohur. Lideri i opozitës, e quajti një humbje të madhe vdekjen e aktorit, i cili ka interpretuar shumë role në skenat dhe filmat shqiptar. Agim Qirjaqi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë dhe u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, ku mjekët kishin konstatuar se aktori vuante edhe nga tumori në kocka, ndërsa edhe veshkat i ishin rënduar së tepërmi nga azotemia. Agim Qirjaqi është një aktor dhe regjisor shqiptar. U lind në Kolonjë në vitin 1950 dhe karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave Rrugë të bardha i Viktor Gjikës (Profesori), Lulëkuqet mbi mure i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977. Në vitet 80 interpreton rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë. Më 1996 fiton titullin Asistent Profesor. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Last Updated on E Hene, 29 Mars 2010 19:05

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›