E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeku: Prokurorët të paaftë në çështjet ekonomike, mbyllin dosjet pa argumente

KLSH kallëzoi në prokurori 27 persona, akuza mbylli çështjet

Marrëdhëniet institucionale mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe prokurorisë nuk janë në nivelet e duhura për të luftuar korrupsionin. Madje në pjesën më të madhe të kallëzimeve të dërguara pranë organit të akuzës nga KLSH doja është mbyllur me argumentime absurde. Handikapi vjen si pasojë e mungesës së profesionalizimit të prokurorëve.

Punonjësit e akuzës janë të paaftë në aspektin ekonomik dhe jo vetëm që nuk vlerësojnë në masën e duhur kallëzimet e KLSH por nuk mund të argumentojnë as përgjigjet e tyre.  Në raportin e KLSH citohet se gjatë vitit 2009 janë kryer 9 kallëzime penale me 27 të dyshuar, ndërkohë që dosjet janë mbyllur nga akuza madje pa asnjë argument. Sipas KLSH në kryerjen e kontrolleve me risk të lartë nga stafi kontrollor që posedon ekspertizën e nevojshme profesionale është bërë e mundur zbulimi i rasteve që mbartin elementë të krimit ekonomik dhe korrupsionit në administrimin e pasurive publike. Mbi këto baza KLSH ka luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit duke i rekomanduar ekzekutivit zbatimin e praktikave më të mira për mbajtjen nën kontroll të rrezikut të korrupsionit dhe krimit ekonomik. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit raportoi dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ku prezantoi projektvendimin për aministrinë fiskale duke thënë se "amnistia duhet të jetë e plotë dhe përfundimtare". Kryetari i KLSH-së Robert Çeku tha se duhet të legalizohen gjithë asetet e padeklaruara të firmave private si dhe duhen falur kamatëvonesat e gjithë borxheve që kompanitë kanë ndaj shtetit".

Fushat e rrezikut
KLSH në vitin 2009 ka evidentuar si fushë më rrezikshmëri të lartë për shfaqjen e krimit ekonomik dhe korrupsionit investimet publike. Në këtë kuadër përfshihen prokurimet dhe zbatimet e projekteve me privatizimet konvencionet dhe format e tjera të përfshira në sektorin privat. Sipas KLSH ky institucion ka depozituar kallëzimet në prokurori për rastet ku ka konstatuar shkelje me pasojë dëm ekonomik në fushën e Shkeljes së barazinë në tenderua e ankande publike, Vepra penale në fushën e tatimeve, Falsifikime dokumentesh. Sipas KLSH një element i shkeljes për të cilat janë bërë kallëzimet në prokurori është efekti i tyre parësor pasi kemi të bëjmë me para të taksapaguesve dhe qytetarëve shqiptarë.


Vendimet e gjykatave
Kreu i KLSH ka pohuar dje Gjykata e Lartë nuk ka dhënë asnjë vendin kundër institucionit që ai drejton por ka dhënë vendime kundër tij. Për të ilustruar rastin Çeku pohoi se një prej vendimeve që togat e zeza kanë marrë kundër tij ishte rasti i largimit nga puna të një veterineri i cili ishte caktuar për të kontrolluar Bankën e Shqipërisë. Gjykata e Lartë e ktheu në punë punonjës dhe unë e zbatova vendimin, por tani ai nuk kontrollon bankën, pohoi Çeku. Kemi kontrolluar në shumë shpenzimet por deri në një farë mase edhe të ardhurat


Pavarësia e auditit
Auditi i brendshëm është i dobët në pothuajse të gjithë institucionet. Defekti qëndron në fatin se grupi i auditit emërohet nga titullari i institucionit dhe është në varësi të tij. Kjo sjell presion në punën e grupit të auditit të brendshëm pasi është i detyruar të zbulojë dhe raportojë shkelje të shefit të tij, pra atij prej nga varet. Dhe frika për të mbajtur vendin e punës ul efikasitetin e kësaj strukture. Auditi i brendshëm duhet të jetë një strukturë e pavarur.  KLSH ka pasur mbështetjen maksimale financiare madje ky institucion ka mundur të kursejë në zërin e shpenzimeve operative duke mos shpenzuar të gjitha fondet e akorduara për Këshillin e Lartë të Drejtësisë gjatë një viti.


Auditivet
Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon çdo 2 vjet punën e bashkive më të mëdha në vend  dhe çdo tre vjet punën e bashkive të voglave dhe komunave. Sipas kreut të KLSH këto kontrolle nuk janë të mjaftueshme por kjo ndodh për shkak të numrit të kufizuar të burimeve njerëzore. Një drejtues i pushtetit i pushtetit lokal kontrollohet të paktën një herë gjatë mandatit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit

Amnistia fiskale
Sipas kreut të KLSH për të miratuar një amnisti fiskale duhet të jenë të mirë përcaktuar që në fillim rregullat. Çeku pohoi dje se nuk është kundra amnistive të tilla por ka një definicion për këtë çështje. Sipas tij duhet të përcaktohen dy fakte kryesore në momentin që vendoset të kryhet një amnisti fiskale. Përcaktimet janë ndërgjegjshme dhe të ndershme. Një amnisti fiskale është forma e vetme për shkrirë fondet e bllokuara.

150 kontrolle për vitin 2010
Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2010 do të nisë punën me llojët dhe veprimtaritë e subjekteve dhe zbatimin e detyrave të lëna. Kontrollet kanë nisur që në muajin nëntor të vitit 2009. Për këtë vit janë parashikuar 150 kontrolle nga të cilat 75 janë kontrolle komplekse ndërsa 45 të tjera janë për ligjshmërinë dhe rregullshmërinë. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit mësohet se 15 kontrolle do të jenë më karakter financiar dhe 2 të tjera për certifikimin e llogarive.

Kallëzimet në prokurori
Një vit më parë nga KLSH-ja janë bërë 32 kallëzime penale, për 81 persona, me një vlerë dëmi prej rreth 1.8 miliardë lekësh. Nga këto, organet e Prokurorisë kanë pezulluar dy dhe kanë nën hetim 30. "Nga 147 kontrolle të planifikuara për evadim, janë përfunduar dhe evaduar 152 kontrolle",- thotë raporti vjetor. Në ministritë dhe institucionet qendrore, ekspertët e KLSH-së kanë kryer 31 kontrolle, 52 në bashki, komuna e minibashki. Në degët e tatim-taksave dhe doganave janë ushtruar 22 kontrolle, 12 të tilla janë ushtruar në njësitë dhe projektet me financim të huaj dhe 24 në institucionet financiare dhe shoqëritë me kapital të përbashkët shtetëror. Ndërsa masat me karakter administrativ arrijnë në 1.169 dhe KLSH-ja raporton se janë zbatuar plotësisht 925 prej tyre, pjesërisht 16 dhe janë në proces 75 të tjera. Për 153 raste nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet përkatëse. KLSH-ja vëren se ka një rritje të numrit të realizimit të masave administrative dhe disiplinore, vit për vit, me rreth 1 për qind. Më shumë se 4 miliardë lekë të reja rezulton të jenë vjedhur, ose shpërdoruar nga paratë e tatimpaguesve. Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që në përfundim të kontrolleve për vitin 2008 ka zbuluar një dëm financiar në shumën e përgjithshme prej 4 046 635 000 lekë. Sipas raportit, këto të ardhura janë të humbura ose të parealizuara, për shkak të parregullsive dhe shkeljeve financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera nga administrata shtetërore. Nga këto është rekomanduar zhdëmtimi i një shume prej 4 032 455 000 lekë, ose në masën 99,6 për qind. Por në proces arkëtimi rezulton vetëm 68 për qind e tij, ose 2 743 883 000 lekë.

Ornela Manjani

Last Updated on E Hene, 29 Mars 2010 21:45

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›