E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistët shqiptarë, të gjithë bashkë për 100 vjetorin e Nënë Terezës

MTKRS shpalos kalendarin e aktiviteteve artistike në nderim të bamirëses shqiptare


Viti 2010 është viti i Nënë Terezës dhe me këtë rast do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore e artistike në vend. Këtë e ka deklaruar dje gjatë një konference për shtyp ministri i Kulturës Ferdinad Xhaferraj. Ky vit është shpallur i tillë në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së shenjtores. Gjithashtu Xhaferraj shpalosi edhe listën e aktiviteteve që do të zhvillohen

për të nderuar humanisten shqiptare. Ministri i Kulturës u shpreh se në vijim të këtij vendimi qeveritar si dhe të traditës tashmë të konsoliduar, që ka MTKRS  për të shpallur Personalitetin e vitit, është hartuar një plan i gjerë aktivitetesh që do të  vazhdojnë deri në fund të këtij viti. Të gjithë aktivitetet, që do të organizohen kanë si  synim nderimin dhe respektin për këtë ikonë unikale të humanizmit dhe paqes botërore. Ato synojnë gjithashtu të bëjnë sa më të njohur origjinën e saj shqiptare dhe dashurinë e  veçantë që ushqente Nënë Tereza për Shqipërinë dhe shqiptarët, theksoi ndër të tjera ministri Xhaferraj. Në 100-vjetorin e lindjes së humanistes dhe nobelistes së shquar me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, sipari i aktiviteteve është përcjell mbrëmë për publikun shqiptar nëpërmjet Koncertit Homazh me pjesëmarrjen e korit Nënë Tereza dhe Orkestrës së Harqeve, me kryeveprën e literaturës botërore, Stabat Mater i Pergolezit, vepër premierë. Koncerti u zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve, për të vijuar në qytetet Shkodër, Lezhë, Korçë, Ulqin, Prishtinë, Shkup. Viti kulturor dedikuar veprës së Nënë Terezës dhe simbolikës së saj njerëzore përmban ekspozita, konferenca shkencore, panaire, dokumentare, promovime albumesh fotografike dhe konkurse letrare etj. Ky kalendar përfshin një rrjet të gjerë institucionesh kulturore që nga Teatri Kombëtar, Galeria e Arteve dhe Arkivi Qendror i Filmit.


Aktivitetet kushtuar humanistes shqiptare
Në Bibliotekën Kombëtare do të realizohet ekspozita e 12 Shenjtorëve, në të cilën do të ekspozohen vepra dhe vlera të rralla, për Nënë Terezën dhe për të gjithë ata personalitete të shquar Shqiptarë të shpallur shenjtorë nga Selia e Shenjtë. Në datën 4 qershor do të mbahet konferencë shkencore për figurën e Nënë Terezës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Antropologjike, shoqëruar me realizimin e një ekspozite me dokumente arkivore me temë: Nënë Tereza në shtypin e kohës. Kjo ekspozitë do të përmbajë artikuj të ndryshëm nga personalitete të shtypit dhe politikës në lidhje me trajtimin e figurës së Nënë Terezës. Shfaqje e filmave dokumentar kushtuar Nënë Terezës në kinema Imperial. Në muajt korrik-gusht në Galerinë e Arteve do të mbahet mbrëmje muzikore, letrare me prozë dhe poezi për Nënë Terezën me aktorë të Teatrit Kombëtar. Hapja e ekspozitës së piktorit nga Diaspora Gjelosh Gjoka, kushtuar Nënë Terezës. MTKRS në bashkëpunim me QNK do të hapin një panair libri, ku do të jenë të ekspozuar të gjithë librat kushtuar Nënë Terezës, në ambientet para Galerisë Kombëtare të Arteve. Në 26 gusht në Muzeun Historik Kombëtar do të hapet ekspozita për Nënë Terezën dhe Sheshin Nënë Tereza do të jepet shfaqja e dokumentarit të RAI-it. Botimi dhe promovimi i albumit me foto dhe përmbajtje të lutjeve të Nënë Terezës, autor Roland Tasho. Në shtator do të bëhet promovimi i botimit Autorët botëror për Nënë Terezën. Në 19 tetor do të fillojë Maratona e Paqes, Kupa Nënë Tereza, e cila do të ndjekë intenerarin Prishtinë-Shkup-Podgoricë-Tiranë, në ditën e lumturimit të saj, më datë 19 tetor. Në tetor në Teatrin Kombëtar do të vihet në skenë drama për Nënë Terezën. Në ditën e Lumturimit do të jetë aktiviteti i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve, me pjesëmarrjen e Koreve nga vende të Evropës, ku do të kenë si detyrim një pjesë nga Oratori për Nënë Terezën për ta kënduar të gjithë së bashku. Në 26 gusht do të jepet çmimi për krijimtarinë me të mire muzikore për veprën kushtuar bamirëses shqiptare, si dhe eseja me e mirë e krijuesve të rinj të mbarë shkollave.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›