Uto Ughi, koncert i magjishëm në Tiranë
Në faqet e gazetave, në emisione informative të televizioneve private, koncerti i Uto Ughit u shfaq si lajm, ndonëse ky event apo dhe koncerti i Michele Campanelles, një pianist dhe ky i njohur, përbënin ngjarje të rëndësishme artistike, jo vetëm në sensin e një bashkëpunimi dhe miqësie midis dy vendeve, por si evenimente të mirëfillta artistike për muzikën klasike e atë instrumentale në veçanti.
Ndoshta është kjo muzikë, karakteri i saj, që shmang pritjet e bujshme dhe nderimet në nivele institucionesh të larta. Ndonëse u filmuan fragmente të koncertit, ndonëse dikur për një pjesë muzikantësh shqiptar Uto Ughi ish po aq i njohur sa dhe Al Bano, askush nuk do na transmetojë një interpretim të plotë të koncertit, që përfshin vepra të rëndësishme të litraturës violinistike, në rastin e Uto Ughit, si një risi e botës muzikore shqiptare. Askund nuk u realizua një panel për të komentuar a ndoshta një intervistë ekskluzive në ekran për këtë personalitet të botës muzikore dhe shumë më gjerë , një njeri me vizion e kontribut në ruajtjen e trashëgimisë artistike italiane. Mesa duket thashethemet mbushin shtypin me histori pa vlerë shpesh të këngëtarëve, që këndojnë me superpozim, ndërsa imazhi i një interpretimi të rrallë mbeti në fragmente kronikash, mbeti brenda dyerve të Teatrit të Operas e Baletit, tek spektatorët e apasionuar të ngritur në këmbë për të dëgjuar dhe një vepër më shumë, tek spektatorët që dëgjuan një repertor të gjatë e të mrekullueshëm pjesësh me përkushtimin, pa lodhje të një violinisti 66- vjeçar, që ndjente se ai publik kish nevojë ta dëgjonte gjatë, si për të sfiduar mbylljen e tij shumëvjeçare apo atë mundim të hershëm për tingujt e violinistit të madh. Dukej se gjithë koncerti i kalonte ato shfaqjet e artistëve shumë të mirë e të famshëm, për faktin se përtej një performance të shkëlqyer, përtej interpretimit të violinistëve virtuozë, ai ishte një koncert i gjatë për një publik i cili nuk ngopet së dëgjuari dhe violina e Ughit si dhe orkestra e mrekullueshme e la të mahnitur me tingujt e saj. Dukej se përtej performancës së artistëve të mëdhenj Uto Ughi zotëron një komunikim të rrallë me publikun, një komunikim special çka e bën suksesin të dallueshëm. Ai sjell tingujt e violinës dhe me magjinë e tyre bëhet i afërm dhe i komunikueshëm. Përtej anës paksa të ftohtë të muzikës klasike depërton me tingujt baras me fjalën, i bën ato të ngrohtë. Mësuar të interpretojë në skena të ndryshme në gjithë botën, ai duket se njeh psikologjinë, duket se interpretimi i tij i kalon caqet një performance, shtrihet më tej, si një film me skena, improvizime dhe befasia. Koncerti i tij në Tiranë erdhi me një interpretim plot ndjenjë, me një Moxart të padëgjuar, me aq ndjenjë dhe tregimtar, deri në fund të koncertit ku ngjarjet fillojnë e vazhdojnë më tej. Ai zhvishet nga roli i solistit në një sallë për të treguar aftësitë e tij në instrument. Instrumenti është mjeti për të përçuar mesazhin tek publiku. Ughi shndërrohet në tregimtar dhe ky tregim duket se koordinohet me vendin, sallën, publikun. Në se do kish interpretuar në Itali a diku tjetër, interpretimi do ish ndryshe nga ajo performancë plot dhimsuri dhe ndjenjë, nga ai trajtim special d me shumë ngrohtësi të repertorit. Është hera e tretë dhe tashmë ai është një njohës i mirë i publikut shqiptar , pa folur për realizimin artistik professional të interpretimit ,i njohur si një violinist i madh italian e botëror. Pa u ndalur në karrierën e tij si violinist, atë që lajmet e përmendën gjatë këtij eventi, fakti se u shfaq si një violinist i pjekur që në moshën 12 vjeçare, apo ekzekutimit të Ciacconës së Bahut në moshën 7 vjeçare, studimeve me George Enescun, apo interpretimit me orkestrat më të rëndësishme në shumë vende të botës, me dirigjentët më të njohur, ai është një personalitet i shquar i jetës sociale e artistike italiane, në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Emri i tij zë vend në jetën kulturore artistike, si shpëtimtar, ruajtës i i vlerave të trashëgimisë artistike . Në 1997 Presidenti i Republikës Italiane e dekoron me Kalorësin Kryqit të Madh. Është shumë e gjerë veprimtaria në fushën diskografike. Ai interpreton me një violinë Guarnieri del Gezu të 1774 dhe një Stradivari të 1701..
Në sallën plot spektatorë të Teatrit të Operas dhe Baletit, koncerti filloi me tingujt e Bocherinit, interpretuar nga orkestra I Filarmonici di Roma, një orkestër dhe kjo mjaft e njohur, ose Orchestra da camera di Santa Cecilia, për të nisur realizimin e një shfaqje të veçantë. Një orkestër me instrumentistë të shkëlqyer që interpreton me përsosmëri pas një numri shumë të madh koncertesh me dirigjentë e solistë nga më të njohurit, turne në gjithë botën dhe shumë çmime, medaljen e artë dhe dedikimin e përcjelljes në nivelet më të larta të muzikës italiane në mbarë botën. Emra të mëdhenj dirigjentësh dhe solistësh janë shpalosur në interpretimet e kësaj orkestre krahas UtoUghit. Interpretim i përsosur, e teksa ndjek kohët njërën pas tjetrës, duart e dirigjentit që mungon, duket se shkrihen në komunikimin e secilit sektor, nga njëri instrumentist tek tjetri. Në imagjinatë shfaqet dirigjenti dhe mësuar me lëvizjet e tij kupton sa i lartë është niveli i kësaj orkestre. Ky ish preludi i një shfaqje të veçantë që sapo ka filluar, bashkë me pamjen e një kontrabasi të errët, si dëshmitar i dukshëm i cilësisë së instrumenteve që ata zotërojnë. Pas duartrokitjeve, të veprës së parë interpretuar nga orkestra, shfaqet violinisti dhe dirigjenti i vërtetë, e përtej saj një dirigjent nëse do e quanim kështu i interpretimit violinistik nga njëri kompozitor tek tjetri, nga njëra vepër tek tjetra. Në vend të instrumentit të pianofortes dhe pianistit që publiku shqiptar ka ndjekur në dy koncertet e mëparshme të këtij violinisti të madh në Tiranë, kjo orkestër është tashmë bashkë më mjeshtrin në këtë koncert që sapo ka filluar, me misionin e magjepsjes së publikut. Pa filluar interpretimin, rastësisht një tel këputet në violinën e Uto Ughit, ndoshta për të na bërë një paralelizëm ose për të na tërhequr vëmendjen se ajo që do ndodhte më pas kish gjithsesi një lidhje me Paganinin. Ndoshta rastësia na dha këtë sinjal të vogël nga kohët tejet të largëta, për të filluar rrugëtimin e tingujve që nisën me Prelud dhe Allegro nga Pugnani-Kreisler. Këtu nisi dhe magjia e një interpretimi të veçantë e mbresëlënës. Bota muzikore njeh interpretime virtuoze . Përtej tyre violina dhe interpretimi i Uto Ugjit duket se kalon caqet e një instrumenti dhe një violinisti të madh. Violina shndërrohet në një art të rëndësishëm, ku tingujt, muzika kalon përtej, shndërrohet në simbol të ndjenjës dhe një komunikimi special, i një gjuhe tërësisht autentike, befasuese. Koncerti i Moxartit erdhi gati ndryshe interpretimit tradicional, një Moxart i ëmbël, i trishtuar dhe një publik që befasohet pas çdo fraze. Ky ish interpretimi i tretë i Uto Ughit në Tiranë, po jo vetëm kaq. Ai ka qenë i njohur kohë më parë, se të realizonte koncertin në Akademinë e Arteve. Uto Ughi, ndonëse pa ditur ka qenë prezent në botën muzikore shqiptare, në kohët e vështira të shiritave e kasetave të magnetofonave, prezent në fëmijërinë e më pas në edukimin e brezave violinistë, kur mundoheshin të kopjonin interpretimet tij e luanin së bashku me tingujt e kasetave, incizimeve. Mundoheshin ta kopjonin, imitonin violinistin e madh italian , i cili për aftësitë e tij dhe personalitetin në kulturën italiane ish prezent në emisionet e intervistat në Rai, derisa shqiptarët patën shansin ta dëgjonin në skenat italiane e të komunikonin nëpërmjet Akademive të perfeksionimit si në Siena etj, për tu njohur me violinistin që i kish frymëzuar në interpretimin e koncerteve te rëndësishme, nga Bruhu tek Çajkovski, incizime që i kishin dhënë shpresë e dëshirë në orët e gjata, të pafundme të studimit të instrumentit. Ardhjet në Tiranë sollën më pranë magjinë e interpretimit dhe në tre koncerte të vetme shpalosën një pjesë të madhe të literaturës violinistike, për ta