“Artisti” Karabeci i dhuron fitoren Shpresave
Në një temperaturë e lartë (rreth 35 gradë) e një “Niko Dovana” thuajse e zbrazët, Shqipëria U-21 nuk shkoi më shumë se një fitore 1-0 me homologët e saj nga Gjeorgjia. Goli i vetëm i takimit u realizua në minutën e 80-të nga heroi i takimit, Erando Karabeci, pas një gjuajtjeje me finesë të sulmuesit të Partizanit, teksa topi u përplas fillimisht në shtyllën pingule, për të pushuar embëlsisht më pas në rrjetën gjeorgjiane. Ndeshja nuk pati nivel të lartë, kjo edhe nga koha e zhvillimit të saj (takimi nisi në orën 16:10), për t’u dhënë mundësi stafeve e lojtarëve për të ndjekur në “Qemal Stafa” përplasjen e kombëtareve A, Shqipëri-Gjeorgji (ora 19:00). Loja u ndërpre dy herë gjatë dy pjesëve (në minutat 23 e 67) nga gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku, duke u dhënë mundësi lojtarëve për tu freskuar e marrë lëngje.
PJESA E PARË
Erando Karabeci pati rastin e parë për Shqipërinë në minutën e 10-të, por gjuajtja brenda zonës e sulmuesit të Partizanit u bllokua nga portieri gjeorgjian Kaskhavadze. Në të 25’, kapiteni i Shpresave, Enco Malindi rrezikoi portën kundërshtare, u përplas me portierin kundërshtar, ndërsa topi i goditur më pas nga Vilfor Hysa përfundoi jashtë. Rasti i parë për gjeorgjianët u regjistrua në minutën e 30-të, por Moçka u tregua pozicional, duke i zënë rezen qendërsulmuesit Pantskhava, ndërkohë që gjuajtja e këtij të fundit ishte jashtë kuadratit. Në minutën e 38-të, lezhjani që luan me Belasica Petrich në Bullgari, Ditmar Bici, ekzekutoi një goditje të lirë nga 25 metra, por topi përfundoi mbi kuadrat. Në minutën e 45-të, sulmuesi i Teutës, Vilfor Hysa dha një pas të bukur për Malindin, por mesfushori i avancuar i Spartak Varnës në Bullgari nuk mundi ta shtynte topin në rrjetë, duke humbur një mundësi të mirë shënimi.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me një veprim të bukur të sulmuesit të Vorskla Poltavës, Ahmed Januzit, por edhe kosovari nuk mundi të gjejë rrugën e rrjetës kur kishin kaluar vetëm 40 sekonda lojë. Pas veprimeve të zbehta në mesfushë, sulmuesi i Teutës, Vilfor Hysa, goditi portën 3-4 metra në pozicion të prirët në minutën e 63-të, por ndërhyrja e një mbrojtësi gjeorgjian shmangu rrezikun. Goli i vetëm i takimit u realizuar nga Erando Karabeci në minutën e 80-të, gjuajtje me finesë me të majtën, topi u përplas në shtyllën pingule, duke pushuar përfundimisht në rrjetë. 1-0. Pas vetëm një minute, gjeorgjianët goditën shtyllën e portës së mbrojtur nga Moçka. Momenti i fundit kulmor i ndeshjes, kishte sërish firmën e Shqipërisë U-21, kur në minutën e 88-të një goditje mjeshtërore e yllit të ri të Partizanit, Erando Karabeci tronditi shtyllën horizontale, duke i hequr mesfushorit shqiptar kënaqësinë e golit të dytë. Shqipëria U-21 në përgjithësi shfaqi më shumë dëshirë për të administruar takimin e më pas edhe rezultatin, që rezultoi edhe me fitoren e dytë në pesë ndeshje historike me Gjeorgjinë U-21 (3 fitore).
U21, Shqipëri-Gjeorgji 1-0
Shënues: Karabeci 80’
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
E mërkurë, 10 qershor 2009, ora 16:10
11 Qershor 2009