E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britni Spirs, e lumtur nga lidhja me agjentin e saj



Këngëtarja Britni Spirs duket se ka gjetur dashurinë e vërtetë. Pas një lidhje me fotografin Adnan Ghalib dhe divorcit nga Kevin Federlain me të cilin ka dy djem, Britni Spirs ndihet e lumtur në krahët e një mashkulli tjetër. Prej kohësh qarkullonin thashetheme për një lidhje të këngëtares me agjentin e saj, Xhezon Trauik. Çifti kohët e fundit ishte fotografuar gjatë pushimeve në Bahamas në disa momente vërtet intime. Një burim për revistën “People” konfirmon se ata janë bashkë prej disa kohësh dhe për këtë lidhje, Britni ka marrë edhe aprovimin e familjes së saj. “I ati i këngëtares pëlqen shumë zgjedhjen e së bijës. Britnit gjithmonë i ka pëlqyer Trauik”,- thotë burimi. 27-vjeçarja nga martesa me Kevin Federlain ka dy fëmijë, Shon Preston, trevjeçar, dhe Xheiden Xheims, dyvjeçar. Ajo tashmë ndihet shumë e lumtur me këtë lidhje të re por në të njëjtën kohë, në asnjë moment nuk ndahet nga fëmijët e saj. Disa ditë më parë, këngëtarja u fotografua së bashku me vogëlushët në plazh.

Leonardo Di Kaprio

Lidhja me Bar Rafaelin në krizë?

Aktori Leonardo Di Kaprio dhe supermodelja Bar Rafaeli raportohet se janë afër ndarjes. Sipas revistës “People” çifti është në një moment reflektimi pas lidhjes së tyre trevjeçare. Burimet thonë se dyshja është pajtuar të ecë në drejtime të ndryshme, pasi ka dështuar debati për gjetjen e një zgjidhje për të ardhmen e romancës së tyre. Supermodelja izraelite është lodhur me ngurimin e Di Kaprios për ta kurorëzuar lidhjen e tyre dhe ka vendosur t’i japë fund asaj. “Ajo dëshironte të ecte më shpejt se ai. Bar Rafaeli dëshironte që të martohej”,- ka thënë një burim për revistën “People”. Leonardo dhe e dashura e tij megjithatë përgënjeshtrojnë ftohjen e raportit të tyre dhe mbase në këtë rast kanë vërtet të drejtë. Disa ditë më parë ata janë fotografuar në një librari të Nju Jorkut pranë e pranë njëri tjetrit. Për çfarë ndarje bëhet fjalë atëherë. A mund të rrinë kaq pranë njëri-tjetrit dy persona që mendojnë të ndahen? Nuk na mbetet tjetër veçse të presim se si do të shkojë historia e një prej çifteve më të bukura të Hollivudit.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›