Bienalja e Pragës, Artan Shabani dhe “Lajmet e vjetra të Ballkanit”
Para pak kohësh, piktori i njohur me origjinë nga Vlora dhe banim në Torino të Italisë, Artan Shabani ka marrë pjesë në edicionin e katërt të Bienales së Pragës, si kurator për seksionin ballkanik të artit bashkëkohor “Shqipëria dhe Kosova”. Ndërkaq, koncepti kuratorial përmes të cilit Shabani prezantoi një grup artistësh shqiptarë në këtë bienale titullohej “Lajme të vjetra nga Ballkani”. Në një intervistë që artisti jep për median italiane, ai shprehet se “përzgjodha një grup artistështë cilët u përkisnin stileve dhe rrymave të ndryshme, por që të përbashkët kishit etninë e tyre, pra, frymën kombëtare shqiptare.” Sipas artistit, gadishulli Ballkanik është i famshëm për klishetë që eksporton drejt botës së jashtme dhe kjo ndodh prej mëse dy shekujsh. Problemet e Ballkanit dihet që kanë lidhje me përplasjet etnike, fetare, kombëtare dhe linguistike, deri tek emrat e shenjtëve, për të kaluar me djegien dhe shkatërrimin e kishave e të xhamive... Për të gjitha këto, projekti i Shabanit parashikonte që me artistët përfshirës në të, të nxirrte në pah sakrificën e përditshme të popujve të Ballkanit për të jetuar intimitetin e tyre në një mikrogjeografi ambulante dhe jo në metaforën e impostuar nga titujt e gazetave kombëtare apo ndërkombëtare.
“Këto ekspozita ndërkombëtare, madje edhe Bienalja e Venecias, ku Shqipëria pati një prezantim të disa përvojave modeste të përfaqësimit, çojnë vëmendjen te një problem i mprehtë siç është ai financiar dhe mbështetja që duhet të japë shteti për artistët dhe përfaqësimin e artit dhe kulturës së tij në botë.” – shprehet Artan Shabani. Më tej, ai shton se do të vazhdojë të bashkëpunojë me artistët e talentuar të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke i prezantuar ata në projekte të tjera në të ardhmen që do të zhvillohen në Kopenhagen, Nju Jork, Milano dhe sigurisht që nuk mund të mungojë në këtë listë, vendlindja e piktorit, Vlora. Kjo ishte hera e parë që Shabani kuronte një seksion në bienale me përmasa të tilla ndërkombëtare si ajo e Pragës. Në lidhje me veprën që ai vetë kishte ekspozuar në seksionin “Lajme të vjetra nga Ballkani” shprehet se “Para së gjithash jam një artist, një piktor. Piktura për mua nuk është thjesht profesion, por ajo përbën një pasion të vërtetë që gjallon brenda meje qekurse isha fëmijë. U bënë më tepër se 20 vjet që e shikoj botën me sytë e artistit, ose më mirë e thënë, me syrin e një piktori.
Kur vendos të bashkëpunoj në projekte specifike me artistë të tjerë, përzgjedh artin e tyre me emocionin e piktorit, por edhe me syrin e profesionistit, që di të veçojë artin cilësor nga ai më pak cilësor. Kjo vlen edhe në rastin tim.” I pyetur mbi zhvillimet e fundit të arteve pamore shqiptare, ai përgjigjet: “Sa më takon mua, mendoj se arti shqiptar në përgjithësi është i shkëlqyer dhe nuk i mungojnë artistët e talentuar. Tradita jonë e pikturës është një shkollë për të cilën jo vetëm duhet të ndihemi krenarë, por duhet edhe të meditojmë rreth saj për të marrë kështu frymëzime të reja. Dua t’ju përmend me këtë rast disa emra si Ibrahim Kodra, Zef Shoshi dhe Omer Kaleshi. E nuk janë vetëm këta artistë që spikasin në botë por ka mjaft të tjerë. Ajo që na mungon mendoj se është një strukturë e cila duhet t’i shoqëronte dhe mbështeste talentet shqiptare në hapat dhe në kërkimin e tyre sa i takon formave dhe gjetjeve figurative e artistike. Mendoj që një nga shenjat konkrete që do të tregojnë daljen e Shqipërisë nga tranzicioni i gjatë dhe të Kosovës nga gjendja e vështirë e pasluftës do të jetë mbështetja e artistëve nga strukturat shtetërore.” Së fundi, teksa pyetet mbi llojin e strukturave artistike e kulturore që duhet të ngrihen e forcohen në Shqipëri dhe në Kosovë, piktori Shabani thotë: “Shpesh kam shprehur opinionin tim duke thënë se është e vështirë të japësh këshilla apo mesazhe të mirëpërcaktuara pasi modelet tashmë janë të mirënjohura dhe mund të huazohen edhe nga fqinjët, të cilët e kanë kuptuar mirë rëndësinë e traditës së tyre dhe të vazhdimësisë kulturore. Nuk është e thjeshtë për artistët shqiptarë të ecin pa mbështetje. Jetesa e tyre ka mjaft probleme ekzistenciale, krejt të kundërta me luksin që shfaq piktura e tyre. Megjithatë, duhet kuptuar njëherë e mirë se arti nuk është luks por një nevojë reale për ushqim shpirtëror.”
P. GROSI
11 Qershor 2009