Shqipëri e ftohtë, Agolli shpëton kuqezinjtë
Falë një eurogoli në pjesën e dytë të mesfushorit të Tiranës, Ansi Agolli (58’), Shqipëria barazoi 1-1 në miqësoren me Gjeorgjinë në “Qemal Stafa”, pavarësisht se Jahmir Hyka, autori i golit më të shpejtë në historinë e Kombëtares shqiptare, i kishte të gjitha mundësitë për të fiksuar shifrat në 2-1 në minutën e 92-të.
Shqipëria në miqësoren e parën nën drejtimin e kroatit Kuzhe regjistroi barazimin e dytë në 11 takimet e luajtura kundër formacionit të drejtuar nga Hektor Kuper, por dhe të dytin rresht pas atij 0-0 të arritur nga Hans-Petër Brigeli, më 22 mars 2006.
Kombëtarja e drejtuar nga Josip Kuzhe, edhe për shkak të mungesës së liderëve të saj tradicionalë, Skela, Cana, Duro, Bogdani, vuajti jo pak në organizim e force dhe nuk arriti të prodhojë atë përformancë të jashtëzakonshme sikurse e krijoi kundër Portugalisë, duke bërë një paraqitje mesatare në pjesën e parë, dhe disi më cilësore në të dytën, falë edhe hedhjes në fushë në pjesën e dytë të fantazistëve Dorian Bylykbashi, Besart Berisha e Jahmir Hyka.
Goli i shpejtë i realizuar nga Gjeorgjia pa kaluar as 120 sekonda nga sulmuesi i Skontos në Letoni, 23-vjeçari Vladimir Dvalishvili, krijoi një klimë të ftohtë në atmosferën e Kombëtares sonë, që në 45 minutat e para zhvilluan një lojë të varfër, me shumë stacione, tepër horizontale, të ngadaltë dhe tepër pasive.
Në fakt, edhe pse të gjithë besonim se më një formacion shumë ofensiv me dy sulmues të mirëfilltë, Salihin (1 gol me përfaqësuesen) dhe Kapllanin (6 gola), nuk u krijua asnjë rast të pastër për gol, përveç ngacmimit nga Kapllani në minutën e 21-të.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Kuzhe reflektoi duke bërë edhe zëvendësime të menjëhershme, të cilat rezultuan efikase si me krijimtarinë e lojës në mesfushë e në krahë, por edhe me goditjet e para të vërteta drejt portës së mbrojtur nga 28-vjeçari Gligol Bediashvili.
Depërtimet tradicionale të Besart Berishës nga e djathta dhe inkursionet e shpejta të Hykës në krahun e majtë të mesfushës rritën edhe presionin drejt portës kundërshtare. Gjithsesi, goli i barazimit nga ana Ansi Agollit ishte tërësisht produkt i magjisë së tij, me atë goditje të thatë nga 30 metra e që gjeti të papërgatitur gardianin gjeorgjian.
Për Ansi Agollin ky ishte goli i parë në 11 ndeshje me përfaqësuesen. Agolli u bë kështu autori i golit të nëntë të realizuar nga Shqipëria kundër Gjeorgjisë dhe lojtari i gjashtë që shënon kundër gjeorgjianëve në 11 takime kundër tyre. Tare (3), Skela (1), Bushi (1), Rraklli(1), B.Kola (1), Hasi (1) janë autorët e golave të tjerë.
Futja në lojë e anësorit Gilman Lika e më pas dhe të mbrojtësit Admir Teli ishin dhe dy veprimet e fundit të trajnerit Josip Kuzhe, përpara se Jahmir Hyka të shpërdoronte një mundësi të artë për të finalizuar me fitore miqësoren kundër Gjeorgjisë.
MIQËSORJA E RADHËS
Miqësorja e radhës e Shqipërisë është ajo kundër Qipros, më 12 gusht, e deri atëherë trajneri Josip Kuzhe, do të ketë hapësirën e duhur për të riparë takimet me Portugalinë (1-2) dhe Gjeorgjinë (1-1), e për të nxjerrë konkluzionet përpara se Shqipëria të përballet me Danimarkën në Tiranë e Suedinë në transfertë, për t’i bërë edhe një mbyllje dinjitoze kualifikueseve të Kampionatit Botëror 2010 e për të nisur intensivisht përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, atje ku kroati ëndërron të na çojë për herë të parë si finalist midis 16 skuadrave më të mira të Europës, përpara se Euro 2016 të bëhet me 24 skuadra.
Golat
2’ – Shqipëri-Gjeorgji 0-1
Një krosim nga e majta nga Merabashvili brenda zonës sonë, portieri Ujkani u zë në befasi, dhe aty Vladimir Dvalishvili (Skonto FC, Letoni) nuk fali me kokë, duke befasuar Shqipërinë, me një gol pas vetëm 100 sekondash. Një nisje e keqe e kuqezinjve.
58’- Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Ansi Agolli lëshoi një silurë të ulët nga rreth 30 metra, duke mposhtur portierin Grigor Bediashvili. Për Ansi Agollin ky është goli i parë në 11 ndeshje me përfaqësuesen. Agolli bëhet kështu autori i golit të nëntë të realizuar nga Shqipëria kundër Gjeorgjisë dhe lojtari i gjashtë që shënon kundër gjeorgjianëve në 11 takime kundër tyre. Tare (3), Skela (1), Bushi (1), Rraklli(1), B.Kola (1), Hasi (1) janë autorët e golave të tjerë.
SHQIPËRI-GJEORGJI 1-1
Shënues: Agolli 58’/ Dvalishvili 2’
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
E mërkurë, 10 qershor 2009, ora 19:00
SHQIPËRIA: Ujkani, Vangjeli (54' Lila), Beqiri, Dallku (46' Bylykbashi), Curri, Muzaka (46' Berisha), Vila (80’ Teli), Agolli, Bulku, Salihi (70' Lika), Kapllani (54' Hyka). Trajner: Josip Kuzhe
GJEORGJIA: Bediashvili, Podkaze, Ljobanidze, Seturidze, Merebashvili, Daushvili, Ramzadze, Iashvili, Kobiashvili,
Trajner: Hektor Kuper
Minutë pas minute
1’ Nis ndeshja. Ky është takimi i 11-të midis dy skuadrave. Bilanci i dhjetë takimeve të para: 3 fitore Shqipëria, 6 fitore Gjeorgjia dhe një barazim. Shqipëria luan komplet me të bardha, ndërsa gjeorgjianët me të kuqe. Rreth 3 mijë shikues në “Qemal Stafa”. Kapiteni i Shqipërisë në këtë takim është mbrojtësi Elvin Beqiri i Vllaznisë.
2’ – Shqipëri-Gjeorgji 0-1
15’ – Një Shqipëri pa nerv, pa fantazi e me gabime me pasime, duke mos krijuar asnjë situatë të rrezikshme për Gjeorgjinë. Të paktën deri tani ndihet plotësisht prania dhe influenca e “senatorëve” si Skela, Cana, Bogdani.
19’- Mesfushori Emiljano Vila lëshoi në mesfushë një top për Vangjelin, ky i fundit i i dhuroi një korridor të bukur Edmond Kapllanit, sulmuesi i Augsburgut në Bundesliga 2, doli përballë portierit Bediashvili, por goditja nuk ishte e saktë.
21’ Salihi përpunoi një top të bukur brenda zonës, duke u rrotulluar midis dy-tre lojtarëve gjeorgjianë, lëshoi një top për Kapllanin, por durrsaku nuk arriti të sinkronizojë kohën për ta shtyrë topin në rrjetë. Topi i larguar nga mbrojtësit gjeorgjanë përfundoi te Vila, por ky i fundit nuk goditi saktë. Moment shumë i mirë për Shqipërinë, por pa rezultat.
30’- Shumë pak veprime agresive nga Kombëtarja jonë, aspak administruese e mesfushës dhe pa vertikalizim të aksioneve drejt gjysmëfushës gjeorgjiane.
31’ – Bulku kombinoi bukur me Kapllanin, topi u përcoll më pas të Ansi Agolli, mesfushori i Tiranës gjuajti fuqishëm në qendër të portës, por Bediashvili priti në pozicion.
34’- Aleksandar Ishavili (Karlsruhe) goditi në hyrje të zonës, por Ujkani (Palermo) e devijoi atë në goditje këndi me një veprim të bukur.
45’+1- Pjesa e parë: Shqipëri-Gjeorgji 0-1. Një pjesë e parë e varfër, lojë me shumë stacione, tepër horizontale, e ngadaltë dhe shumë pasive. E pakuptueshme, pasi të gjithë besonim në formacion shumë ofensiv, pasi Kuzhe pati në fushë dy sulmues të mirëfilltë Salihin (1 gol me përfaqësuesen) dhe Kapllanin (6 gola). Asnjë rast i pastër për gol, përveç ngacmimit nga Kapllani në minutën e 21-të.
46’- Besart Berisha në vend të Muzakës dhe Dorian Bylykbashi në vend të Dallkut në pjesën e dytë, këto janë dy zëvendësimet e Shqipërisë.
46’- Kobiashvili goditi sërish me kokë, por pa rezultat kësaj radhe, pasi sfera ishte jashtë kuadratit.
54’ –Jahmir Hyka dhe Andi Lila në vend të Edmond Kapllanit dhe Kristi Vangjelit.
58’- Shqipëri-Gjeorgji 1-1
70’- Gilman Lika hyn në vend të Hamdi Salihit.
80’- Admir Teli luan në vend të Vilës. Ky është zëvendësimi i gjashtë nga trajneri Kuzhe.
90’ – Tri minuta shtesë nga gjyqtari i katërt, shqiptari Kridens Meta.
92’- Hyka pati një rast të shkëlqyer në minutën e fundit, por mesfushori shtatshkurtër i Mainc 05 ia përplasi topin në trup Bediashvilit.
11 Qershor 2009