E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali Xhekson: “KFOR-i duhet të qëndrojë në Kosovë”



Gjenerali britanik Majk Xhekson, që udhëhoqi forcat e NATO-s në Kosovë më 12 qershor 1999, në një intervistë për BBC-në thotë se prania e KFOR-it në Kosovë është ende e domosdoshme për të ruajtur stabilitetin. 10 vjet më pas Xhekson kujton misionin e vështirë të forcës shumëkombëshe, që u quajt Kosovo Force, KFOR. Sipas tij, ku mision kishte si qëllim ndalimin e gjakderdhjes së shkaktuar nga forcat serbe të ish-presidentit Sllobodan Milloshevië.
Kur e kujtoni atë kohë, sa e vështirë ishte të zhvilloheshin bisedimet me përfaqësuesit serbë?
Operacioni i futjes (në Kosovë) dhe i tërheqjes së forcave serbe kaloi shumë më mirë se sa kishim guxuar të shpresonim. Situata ishte e vështirë dhe qeveria e atëhershme në Beograd pati pranuar kushtet që zoti Ahtisari dhe zoti Shernomurdin vunë që në ditët e para të qershorit. Por kjo ishte një marrëveshje politike. Ajo që ne u desh të bënim në Kumanovë, ishte ta “përkthejmë” atë marrëveshje politike të nivelit të lartë, në masat praktike në terren në një situatë të komplikuar.
Cilat ishin vështirësitë kur ju morët detyrën për të udhëhequr negociatat me zyrtarët serbë për t'i dhënë fund fushatës ajrore?
Fillimisht, një nga kushtet ishte tërheqja e forcave serbe të sigurisë nga Kosova. Kishte më shumë shqetësime nga pala serbe se duhet të ishte e koordinuar nga afër që të mos kishte, e në këtë rast po shprehem me fjalinë që u përdor, “një vakuum të sigurisë” që mund të ndodhte. Ne gjithashtu kishim problemin e UÇK-së, që nuk ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje të nivelit të lartë. Ishin zhvilluar bisedime paralele, por në atë moment jo nga unë, por nga disa gjeneralë të tjerë britanikë.
Por pse e përzgjodhët Kumanovën për të zhvilluar bisedime?
Kjo ishte një pajtueshmëri e nivelit të lartë dhe nuk ishte një zgjidhje e jona. U zhvillua në një kafeteri të vogël vetëm 400 metra, nëse më kujtohet drejt, në jug të kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës poshtë grykës së Kaçanikut. Kjo nënkuptonte se delegacioni serb duhej të udhëtonte në vendtakim, në kohën kur situata e sigurisë nuk ishte e mirë. As vendi i takimit nuk ishte aq i mirë. Prandaj në sugjeruam që të zhvendosim bisedimet në Kumanovë, shumë afër kufirit mes Maqedonisë më Serbinë, ku ndodhej edhe njëra nga bazat tona.
Gjeneral, ju kishit një lidhje ose bisedime në terren me UÇK-në. Kishit sugjerime ose urdhëra për ta?
Ne kishim disa rregulla të përgjithshme të brendshme në marrëdhënie me ta, por jo një marrëveshje. Një marrëveshje zyrtare u bë, nëse më kujtohet mirë, pas 9 ose 10 ditësh të hyrjes sonë në Kosovë. UÇK-ja mori përgjegjësi zyrtare pas 120 ditësh, gjë që çoi drejt një çmilitarizimi dhe në thelb çarmatimi.
Gjeneral, kanë kaluar dhjetë vjet. A mendoni se trupat e NATO-s duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë apo puna është kryer?
Autoriteti ynë ishte Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që në çfarëdo kuptimi nuk ishte një rezultat përfundimtar, i një situate politike. Nuk ishte një Marrëveshje e Dayton-it që i dha fund luftës në Bosnjë. Rezoluta 1244 ishte një marrëveshje e përkohshme, ajo e bëri të qartë se Kosova do të drejtohej përkohësisht nga një administratë civile e OKB-së kurse siguria do të ishte përgjegjësi e një force të quajtur KFOR. Atëherë ishim të vetëdijshëm se kjo nuk ishte përgjigja përfundimtare për një çështje shumë të vështirë por pamë se ajo që duhej të bënim çdo ditë kishte shumë kërkesa dhe ne e kishim këtë energji.
Sot ka një lloj zgjidhje për Kosovën, megjithëse jo përmes OKB-së. Mendoni se ka ende punë për NATO-n në Kosovë?
Stabiliteti i brendshëm i Kosovës, është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për vetë Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, për shqiptarët dhe serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera, por është gjithashtu e një rëndësie të veçantë për sigurinë e gjithë rajonit dhe Europës si tërësi. Përderisa do të ketë ende disa gjera të pazgjidhura, mospranimi të deklaratës së pavarësisë, shpalljes së njëanshme, do të thosha, është me shumë rëndësi që gjërat të mbesin të qeta në Kosovë. Mendoj se një prani e vazhdueshme e një dimensioni ndërkombëtar është e rëndësishme për këtë çështje.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›