E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artisti armik i banalitetit



Në 70-vjetorin e piktorit Llambi Blido botohet një kalendar i vitit 2010 me punët e tij më të zgjedhura të viteve ’60, si shenjë kujtese për të gjitha vitet e karrierës. Në këtë përvjetor e nderojnë edhe kolegët e ekspozitës së penelit dhe ngjyrave “Nëntori”

Në një bisedë të para ca muajve, gjatë ritualit të zakonshëm gati të përjavshëm të kafesë me Llambin, qetë e thjesht, a thua se bëhej fjalë për ditëlindjen e dikujt tjetër, më thotë se vitin tjetër bën 70 vjeç. Pas befasisë së parë diskutuam nëse mund të programonim një ekspozitë me këtë rast. Them befas, sepse shpesh duke ndjekur me kolegët, me më të vjetër apo me më të rinj, harrojmë se koha ikën, ndërsa ne diskutojmë e flasim më shumë për jetën e moshën e artit sesa të vetë artistit. Për më tepër kur artisti nuk ankohet për moshën, përkundrazi, merr krahë kur dëgjon për ngjarje artistike e nuk përton të bisedojë për to, nëse ka diçka për të cilën ia vlen debati apo asgjëja e përgjithshme ka prekur rëndë edhe vetë pikturën, dashurinë e tij të përhershme.

Rastësisht, nga një takim me kolegun Tula dy ditë më parë, mësoj prej tij edhe datën e saktë të 70-vjetorit të Blidos. U zura ngushtë për një çast, ditët vrapojnë pa lejen tonë dhe ne shpesh na ndodh të kuptojmë vonë se nuk dimë gjithçka për njëri-tjetrin, kolegët, miqtë që kemi përreth. Shpesh harrojmë se një kujtim, një përshtypje për kolegun, ka vlerë jo vetëm për të, por edhe për të parë nëse perceptimi yt ka qenë i drejtë, i sinqertë apo një përçartje kortezie, që nuk ndihmon aspak të vërtetën. Dihet që edhe perceptimi është subjektiv, por nëse vepra përballë teje qëndron denjësisht e përçon tek ty mirësi, delikatesë, fuqi, harmoni, atëherë besoj se jemi pranë të vërtetës, të vërtetës artistike që lind nga origjinaliteti. Kjo është piktura e Blidos. Ndoshta studiuesit e kritikët, më vonë do merren me gjatë me risitë profesionale të pikturës së Blidos, por për mua me aq sa unë e njoh, ajo që më ka befasuar në veprën e tij, nëse e shohim të shtrirë në kohë, është mungesa e banalitetit. Është vështirë të gjesh te artistët e para ’90-s po edhe pas, një piktor si Blido, armik i banalitetit. E këtu nuk e kam fjalën thjesht te banaliteti i strukturës kompozicionale apo koloristike, që për fat të keq e gjejmë shpesh, por edhe te përzgjedhja me sqimë e motivit për veprën e tij. Ai kishte kuptuar se tematika e fryrë dhe patetike e artit nën diktaturë, do ta vriste pikturën e tij. Origjinalitetin harmonik të akordeve koloristike e vuri në shërbim të imazhit njerëzor e të natyrës. Jo rrallë, fëmijët, vajzat, lulet ishin jo vetëm modelet e tij të preferuara, por prej tyre besoj se merrte rrezatimin dhe fuqinë e jetës që këto imazhe përçojnë. Me po aq elegancë i trajtoi motivet e tij përmes vizatimit, me linja vibruese që të kujtojnë fluturimin e pëllumbave dhe njëkohësisht mprehtësinë vëzhguese të fajkoit. Në mënyrë të natyrshme Blido kalon nga figuracioni konkret drejt abstraksionit të pastër me të njëjtën fuqi koloristike e harmoni kompozicionale. Por, siç thashë edhe më lart, do të duhej një studim i thelluar rreth krijimtarisë së tij, gjë që shpresoj të bëhet në të ardhmen sepse mund të flisnim edhe për mendimin e tij kritik të shpalosur në shumë raste, në libra e artikuj studimorë, në të cilat Blido tregon seriozitetin vëzhgues e mendimin e tij estetik për një grup artistësh të rëndësishëm të traditës, po edhe të artit në përgjithësi. Publiku gjithashtu, ka parë dhe vlerësuar pikturën e tij deri vonë në ekspozitat e përvitshme “Nëntor”, ku ai është dhe bashkëthemelues i saj.

Në këta pak rreshta tentova të thosha diçka, por ndihem i pafuqishëm e as nuk pretendoj që brenda një shkrimi të fusësh 70 vjet nga jeta e një njeriu që ia ka kushtuar jetën artit. Kolegët dhe bashkëmoshatarët e Blidos do të mund të thonë më shumë e unë veç mund të shtoj, jetë të gjatë Llambi!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›