E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakron vëllanë se e ndaloi të kryente grabitje



Tentativa për të ndaluar të vëllanë për të mos kryer më grabitje, i ka kushtuar jetën një personi në Laç. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në banesën e familjes Gjoni në Laç.

Sipas burimeve nga policia, viktima është Arben Gjoni i cili u vra me mjete të forta nga vëllai i tij, Paulin Gjoni. Sipas burimeve nga policia, autori i ngjarjes vuan nga çrregullime të mëdha mendore. Policia ka shoqëruar autorin e krimit në qeli. Ai kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu. Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte liruar si person me probleme psikike.

Ngjarja

Mëngjesin e djeshëm, Paulin Gjoni dhe i vëllai i tij, Arbeni, kanë nisur të debatojnë. Shkak kanë qenë veprimet e fundit të Paulinit. Edhe pse ai kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, i ishte kthyer sërish aktivitetit kriminal, duke kryer grabitje. Një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer të vëllait të tij, i cili i ka kërkuar të mos të merret më me to. Por kjo është kundërshtuar nga vëllai i tij, i cili ka reaguar dhunshëm. Ai ka qëlluar të vëllanë me mjete të forta, ndërsa ky i fundit është rrëzuar në tokë pa ndjenja. Por edhe pse në tokë e me plagë në kokë, sërish Paulini nuk ka ndaluar. Ai ka vazhduar me sulmin e tij, ndërsa dëmtimet e marra nga i vëllai kanë qenë të rënda. Atij i është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar në spitalin e qytetit, por plagët e marra në kokë dhe trup, si dhe gjaku i humbur, i kanë marrë atij jetën. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka kryer menjëherë ndalimin e autorit të kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve nga policia, autori i krimit vuan nga çrregullime mendore dhe ky mund të jetë shkaku i një reagimi kaq të dhunshëm. Ai kishte vetëm dy javë që kishte dalë nga burgu, ku ishte dënuar nga drejtësia për tentativën e vrasjes së punonjësve të policisë në vitin 2004, por për shkak të problemeve mendore që paraqiste është liruar. Autori i ngjarjes është shoqëruar sërish në qeli, ku është izoluar, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›