E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvisu: Shqipëria t'u përmbahet standardeve të NATO-s

Ambasadori i ri, kritika për ligjin e SHISH, gjykatat dhe korrupsionin

Ndryshimet në përfaqësimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë nuk ka lënë asnjë boshllëk që mund të ndikojë në reagimin koherent ndaj situatës politike në vend. Seanca dëgjimore e mbajtur më 5 gusht në senatin e SHBA me Alexandër Arvisu, i zgjedhur si zëvendësues i John Withers, ka konfirmuar njohjen e plotë të realitetit shqiptar në të gjitha drejtimet e veta, jo vetëm në raport me interesat amerikane, por edhe me atë cilësi politike që gëzon selia diplomatike amerikane në problemet e brendshme të vendit tonë. Duke e nisur me rolin e vendit tonë në sigurinë globale, me praninë e trupave shqiptarë ne Afganistan, Arvisu ka skanuar mirë para Senatit situatën politike të përfshirë thuajse të gjitha problemet e lindura së fundmi. “I bëj thirrje Shqipërisë që të tregojë respekt për sundimin e ligjit dhe për institucionet e pavarura. Korrupsioni vazhdon të jetë i lartë. Për një periudhë të shkurtër para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, u bëmë dëshmitarë të një fryme bashkimi mes partive, por që nuk zgjati shumë. Vëzhguesit objektivë ndërkombëtarë i vlerësuan këto zgjedhje si të tilla që përgjithësisht pasqyronin vullnetin e popullit shqiptar”, është shprehur kandidatit amerikan për ambasador në Shqipëri. Nuk mund të mos lexohet një mesazh i qartë në këtë riprodhim të realitetit shqiptar, i cili për vetë mjedisin ku është realizuar, aktualizohet si një qëndrim zyrtar i SHBA. Mirëkuptimi i plotë mes dy vendeve në sferën e politikës së jashtme është marrë në konsideratë nga Arvisu, i cili ka përcjellë para Senatit atë klimë bashkëpunimi që nga Tirana zyrtare cilësohet si miqësi apo partneritet strategjik. Në emër të kësaj miqësie, Arvisu ka prekur me shumë takt disa probleme që lidhen me sjelljen e Shqipërisë si vend aleat i NATO-s, respektimi i parimeve të së cilës është një kusht për të cilin diplomati amerikan pritet të punojë shumë me mbërritjen e në Tiranë. “Si aleate e NATO-s, vendi duhet t’u përmbahet parimeve më të larta të aleancës”, është shprehur ai. Gjykimi pozitiv për kontributin në misionet paqeruajtëse apo ato të luftimit si në Afganistan, nuk ka shmangur trajtimin e problemeve, të cilat në kontekstin e NATO-s risjellin në vëmendje çështjen e shumëdiskutuar të ligjit të ri për Shërbimin Informativ, por edhe ato që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjykatave. Ai i bëri thirrje Shqipërisë të tregojë respekt për sundimin e ligjit dhe për institucionet e pavarura. Korrupsioni, tha ai, vazhdon të jetë i lartë. Stafeta e qëndrimeve të selisë diplomatike amerikane për këto çështje që vlerësohen shumë të rëndësishme ka një homogjenitet maksimal, për sa kohë që përkundrejt manovrave të qeverisë mesazhet janë po ato. E njëjta mund të thuhet edhe për krizën politike që vijon prej një viti për të cilën Arvisu ka kërkuar nisjen e dialogut konstruktiv. “Për fat të keq, Shqipëria mbetet e mbërthyer në trashëgiminë e politikës ku ka vetëm të fituar ose vetëm të humbur dhe një mosbesim të thellë mes shumicës dhe opozitës. U bëj thirrje të dy palëve që të angazhohen në një dialog konstruktiv”, ka deklaruar ai. Pyetjes që lind rreth një roli të tij si ambasador i Shqipërisë në trajtimin e krizës i është dhënë një përgjigje që nuk lë vend për koment; “SHBA ka një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri. Unë premtoj se nëse do të konfirmohem nga Senati do ta shfrytëzoj këtë ndikim me mençuri”, ka deklaruar kandidati për ambasador i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvisu.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›