Zgjedhjet lokale sjellin rotacion në Parlament
Zgjedhjet lokale pritet që të risjellin në qarkullim listën e deputetëve të Parlamentit shqiptar. Një kandidim i mundshëm i disa deputetëve të strukturave të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të muajit maj të vitit 2011, do të shkaktojë spostimin e listës së deputetëve. Kështu, sipas emrave që kanë qarkulluar në qarqet e selisë blu, Kosta Barka dhe Aurel Bylykbashi, kanë shansin e ‘artë’ në dorë për t’u rikthyer në sallën e Kuvendit. Këtë herë, Kosta Barka, nuk do të rikthehet si ministër, por si deputet, ndërsa Aurel Bylykbashi pritet të rifutet si deputet i Partisë Demokratike në Kuvend.
Rotacioni i listave të PD-sëPrej më se një viti, deputeti i dytë në listën e demokratëve për Qarkun e Vlorës, Ardian Kollozi, është duke punuar intensivisht në qytetin bregdetar për të kandiduar në zgjedhjet lokale si kandidat për kryetar bashkie. Sipas Kodit Zgjedhor, një deputet privohet nga e drejta për të pasur një funksion tjetër të lartë paralelisht me detyrën që ushtron. Kosta Barka është kandidati i pestë në Qarkun e Vlorës për Partinë Demokratike dhe automatikisht merr të drejtën për të përfaqësuar demokratët në Parlamentin shqiptar në rast se Ardian Kollozi kandidon për postin e kryebashkiakut në Vlorë. Ish-ministrit Barka i është ofruar nga Kryeministri Berisha një post diplomatik me kushtin e vetëm për ta pozicionuar atë në vendin e pestë të kandidatëve për deputet në Qarkun e Vlorës. Duke ditur influencën që Partia Demokratike ka në qytetin bregdetar, sigurimi i pesë kandidatëve për deputet nga PD-ja për Vlorën e ka detyruar Kryeministrin të ofrojë pozicione të reja për ish-ministrin Barka. Vonesa e Barkës për t’u emëruar si ambasador në një vend të Bashkimit Europian është rastësi me faktin e pritjes deri në zgjedhjet lokale për ta risjellë atë në sallën e Kuvendit si deputet. Rihyrja e Barkës në Kuvend do të shtojë numrin e përfaqësuesve të minoritetit grek në Parlamentin shqiptar. Pas kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deputetit socialist, Vangjel Tavo dhe deputetit demokrat, njëkohësisht ministrit Spiro Ksera, Kosta Barka do të jetë njeriu i katërt që përfaqëson minoritetin grek në Parlament. Një tjetër opsion më i përfolur deri tani në qarqet demokrate për Bashkinë e Tiranës është ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Deri tani asgjë nuk është e përcaktuar në mënyrë zyrtare nga Partia Demokratike, por një kandidim i tij për Bashkinë e Tiranës do t’i japë të drejtë Aurel Bylykbashit të hyjë në Parlament si deputet. Bylykbashi është kandidati i tetë në listën e Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit dhe si rrjedhojë një kandidim i mundshëm i Lulzim Bashës për zgjedhjet lokale do të japë automatikisht në bazë të Kodit Zgjedhor Bylykbashit statusin e deputetit.
NegociatatPromovimi i figurave të reja për pushtetin vendor është një çështje që ka nisur të diskutohet gjerësisht në selinë e Partisë Demokratike. Selia e demokratëve mbron me fanatizëm publikimin e emrave të këtyre figurave të larta që priten të promovohen në politikë. Përpos kësaj ideje, demokratët do të përfshijnë në listat e kandidatëve për pushtetin lokal edhe personazhe nga brenda strukturës së deputetëve të Partisë Demokratike. Degët në rrethe janë duke punuar fort për të nxjerrë kandidatët potencialë për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në muajin maj 2011. Reforma elektorale në muajin shtator, do të pasohet nga negociatat për zgjedhjet lokale të muajit maj.
#