E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu-Beçaj: Bllokimi i Konferencës, ka krijuar vështirësi

Tiranë Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, gjatë një takimi me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu ka deklaruar ndër të tjera problemet që i kanë ardhur organizimit të pushtetit gjyqësor nga mosmiratimi i ligjit për organizimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Kryetarja e Gjykatës së Lartë vuri në dukje pengesat që ka sjellë mosmiratimi i Ligjit të Konferencës Gjyqësorë Kombëtare, i cili ka patur asistencën e vazhdueshme të juristëve amerikanë gjatë dy viteve të fundit. “Shfuqizimi i ligjit për KGJK-në ka vështirësuar mekanizmat e bashkëveprimit institucional me pushtetet e tjera, për çështje me rëndësi të mirëfunksionimit të sistemit të drejtësisë”, - është shprehur Beçaj. Në këtë kuadër, Kryetarja e Gjykatës së Lartë dëshmoi mobilizimin dhe gatishmërinë e gjyqësorit shqiptar për t’u vetadministruar dhe vetëkorrigjuar. “Duhen gjetur mënyrat më efikase për t’i kthyer publikut besimin te drejtësia. Ne duhet të bëjmë për vete qytetarin, duke i treguar atij se e drejta kërkohet në dyert e gjykatës dhe jo nëpërmjet rrugëve të paligjshme”, - ka deklaruar Beçaj. Kryetarja e Gjykatës së Lartë i shprehu ambasadorit të ShBA-së se pushteti gjyqësor respekton maksimalisht punën e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe medias. “Ky respekt duhet të jetë i ndërsjellë në mënyrë që të çohen përpara reformat e nisura nga shteti shqiptar në përmbushje të të gjitha detyrimeve, për të përfituar statusin e vendit kandidat në BE’, është shprehur ajo. Gjatë fjalës së tij ambasadori Arvizu u shpreh se Shqipëria, si pasojë e periudhës së tranzicionit që ajo po kalon, ka akoma shumë sfida përpara saj, por çelësi më i rëndësishëm në suksesin e së ardhmes së Shqipërisë është pikërisht sistemi gjyqësor. “Nëse do të arrihet të përballohen me sukses sfidat, jam i sigurt se e ardhmja e vendit tuaj do të jetë shumë e ndritur”, - tha Arvizu. Kryetarja e Gjykatës së Lartë theksoi se gjyqësori shqiptar është i mobilizuar për të çuar përpara misionin e tij të shenjtë në dhënien e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›