“Nafta virxhin”, tatimorët e VIP-ave thirren në prokurori
Tiranë Eprorët e Tatimorit të arrestuar si të përfshirë në skemën e mashtrimit me naftën virxhin, kanë mohuar dje në Prokurori implikimin e tyre në këtë çështje. Të thirrur në cilësinë e personave që mund të sqarojnë rrethana të hetimit, dy punonjësit e nivelit të mesëm në drejtorinë e bizneseve VIP, kanë sqaruar para prokurorëve procedurën që ndiqet në kontrollin e kompanive të rëndësishme, duke mohuar pjesëmarrjen e tyre në këtë proces. Sipas burimeve, mësohet se dy drejtuesit kanë sqaruar se inspektimi tatimor kalon në tri hallka, ku i pari është inspektori i tatimeve, ndërsa hallka e fundit janë drejtuesit e sektorit të VIP-ave në drejtorinë qendrore. Lidhur me pozicionin e tyre, ata kanë pranuar se kanë cikluar raportin e përcjellë nga inspektori Dashamir Kasaj lidhur me kontrollin e ushtruar në kompaninë “Euroil”, e cila sipas Prokurorisë është e përfshirë në skemën e mashtrimit me naftën virxhin. Madje, në bazë të këtij kontrolli, kjo kompani ka përfituar edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në masën e 3 milionë eurove. Por dy zyrtarët e lartë të pyetur për këtë çështje kanë deklaruar se pozicioni i tyre i punës ka si objekt përcjelljen e raporteve të përpiluar nga inspektimi në terren, veprim të cilin e kanë kryer edhe në rastin e kontrollit të kompanisë “Euroil”. Sipas tyre, lidhur me rastin konkret, zyrtarët e Tatimeve kanë sqaruar se nuk kanë asnjë atribut për të kryer verifikime mbi raportin e paraqitur nga inspektori që ka kryer kontrollin në ambientet e kompanisë. Roli i tyre është të përcjellin raportet e miratuara te eprorët, të cilat kryejnë më pas procedurat e mëtejshme, duke i ndjekur çështjet rast pas rasti. Sipas prokurorisë, inspektori i Tatim-Taksave në drejtorinë e bizneseve VIP ka përpiluar një raport, sipas të cilit rezulton se kompania “Euroil” ka importuar 17 mijë tonë naftë virxhin, duke nxjerrë “të pastër” gjithë dokumentacionin e verifikuar. Ky raport është marrë në konsideratë nga eprorët e Tatimorit, tashmë të arrestuar, të cilët në bazë të ligjit kanë akorduar edhe rimbursimin e vlerës së TVSH-së së paguar nga kompania për këto eksperte, që nga hetimet, rezultuan se ishin fiktive. Sipas dokumentacionit të sekuestruar nga Prokuroria rezultoi se kompania “Euroil” në pronësi të biznesmenit të arrestuar Hajri Elezaj ka marrë në formë subvencioni shumën prej 1.5 milionë euro, nga 3 milionë euro që duhet të përfitonte. Pjesa tjetër është mbajtur nga financat, pasi kompania “Euroil” rezultonte debitore në shtet në shumën prej 1.5 milionë euro. Për këtë çështje, prokuroria pyeti pak ditë më parë edhe inspektorin e tatimeve, Dashamir Kasaj, i arrestuar për përfshirje në skemën e abuzimit. Gjatë deklarimeve para prokurorëve, tatimori ka deklaruar se periudha kohore e kontrollit të kompanisë ka qenë deri në mas të vitit 2009, një muaj pas kryerjes së importeve fiktive të 17 mijë tonë nafte virxhin. Kasaj tha para hetuesve se nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë çështje, pasi rezultatet e paraqitura në raportin e hartuar prej tij kanë qenë në përputhje me dokumentacionin që i është nënshtruar kontrollit. Prokuroria thotë se inspektori i tatimeve të biznesit VIP ka abuzuar me detyrën duke mos rakorduar si duhet hyrje-daljet e naftës virxhin, çka ka sjellë më pas edhe rimbursimin në vlerën e 1.5 milionë euro të kompanisë “Euroil”, që dyshohet se është në krye të skemës së mashtrimit me naftën virxhin. “Task-Forcë” në Prokurorinë e Tiranës urdhëroi arrestimin e 14 personave të implikuar në këtë çështje, pasi vërtetoi se të paktën 17 mijë tonë naftë virxhin ishte importuar vetëm me letra, ndërsa në të vërtetë kjo sasi nafte ishte blerë disa muaj pasi ishte “importuar”.
1.5 milionë euro
ka përfituar kompania “Euroil” si subvencion për eksportin e naftës virxhin përgjatë periudhës 2008-2009. Procedurat janë kryer pas inspektimit të Tatimeve në dokumentacionin e kompanisë.