Bie makina në liqenin e Shkopetit, zhduken tre persona
Zyrtarisht konfirmohet vetëm emri i mjekut Tahir Alku, ndërsa dyshohet se së bashku me të kanë qenë edhe dy persona të tjerë. Trupat e tyre ende nuk janë gjetur
BURREL Tre persona mendohet se kanë humbur jetë në një aksident automobilistik që ka ndodhur në aksin rrugorë Milot–Burrel. Sipas burimeve zyrtare të policisë, aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Shkopet të Burrelit. Një autoveturë që drejtohej nga kirurgu i spitalit të Bulqizës, Tahir Alku, ka dalë nga rruga duke rënë në një humnerë rreth 100 metra për të përfunduar më pas në ujërat e hidrocentralit të Shkopetit, në një thellësi uji mbi 30 metra. Sipas burimeve të policisë, makina e doktorit ka pësuar disa salto deri sa ka rënë në fund të ujit, gjatë përplasjes së saj me shkëmbinjtë. Sipas policisë, mendohet e shkaku i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e drejtuesit të mjetit dhe humbja e drejtimit të makinë nga ana e tij, e cila ka dalë nga rruga edhe pse ka frenuar për një kohë të gjatë, por rrëshqitjet e gurëve ka bërë që gomat e makinës të mos frenonin në vend. Pas aksidentit në vendin e ngjarjes janë mbledhur dhjetëra kalimtarë të rastit që kanë vënë re edhe daljen e makinës dhe kanë lajmëruar edhe policinë.
Kërkimet
Në vendin e ngjarjes ka ardhur edhe drejtori i përgjithshëm i policisë rrugore, Vullnet Topalli, si dhe një grup polumbarësh të RENEAS, që kanë kryer për pesë orë kërkimet në hidrocentralin Shkopetit për gjetjen e mjetit që mendohet që është në fund të ujit dhe më pas nxjerrjen e tri viktimave. Por me gjithë përpjekjet e polumbarëve, uji i ftohtë dhe i turbulluar nuk i ka lejuara ata të gjejnë mjetin se ku ndodhej. Për pasojë janë ndërprerë kërkimet për të rifilluar sot që në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë që familjarë të kirurgut të spitalit të Bulqizës kanë treguar se 65-vjeçari Tahir Alku ishte nisur nga Bulqiza që në orën 10.30 minuta, ndërsa sipas policisë ai ka dalë nga rruga rreth orës 13.25 minuta të ditës së djeshme. Mjeku në pension udhëtonte çdo fillimjavë nga Tirana në drejtim të qytetit të Bulqizës dhe çdo të premte nga Bulqiza drejt kryeqytetit. Ai kishte nënshkruar një kontratë me drejtorinë rajonale të shëndetësisë Dibër dhe punonte si kirurg në këtë qytet. Megjithëse mungonin pajisjet bazë për operacione ai ndërhynte në disa urgjenca që vinin nga miniera apo aksidentet. Jetonte në kushte të vështira në spitalin e këtij qytetit. Mendohet se natën e fundit ai ishte mjek roje dhe se në momentin e aksidentit mund të jetë përgjumur.
Aksidentet e tjera
Po dje dy aksidente rrugorë janë shënuar në aksin rrugorë Fushë-Krujë–Burrel. Aksidenti i parë ka ndodhur në orën 13.00 në afërsi të fshatit Lurë të Krujës, ku një trajler me traga të Tiranës ka dalë nga rruga, duke u batuar Ndërsa trajleri ka qenë i ngarkuar me dhe, nga aksidenti janë plagosur rëndë dy persona, shoferi dhe një pasagjer, të cilët janë dërguar nga kalimtarë të rastësishëm në spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërkohë që policia ka mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes, rruga nacionale është bllokuar për më shumë se 30 minuta për shkak edhe të dendësisë së qarkullimit të mjeteve në të dy anët e rrugës. Pas 20 minutash nga ky aksident, një tjetër makinë ka dalë nga rrugë në afërsi të sektorit “ C” në Burrel. Makina ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë, bëjnë të ditur burime të policisë së këtij rrethi. Ndërsa ajo ka bërë disa salto fatmirësisht ajo është lënguar nga disa shkurre, për të mos rënë në hidrocentralin e Shkopetit, ku mund të sillte të sigurta edhe dy viktima të tjera. Nga ky aksident kanë mbetur dy të plagosur nga Elbasani, të cilat janë dërguar në spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje kritike për jetën. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet si dhe kryerjen e ekspertizës.
P. H.