E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Falë riciklimit mund ta bëni më të bukur vendin tuaj

TIRANË- "Unë ricikloj" është një nismë mjedisore, që synon të motivojë komunitetin dhe individët për një mjedis sa më të qëndrueshëm, me më pak mbeturina. Ky projekt, i shtrirë në disa zona të vendit, ofron një program të mirëfilltë të riciklimit dhe shërbimit ekologjik për ndarjen dhe grumbullimin e mbeturinave.

Kjo nismë mjedisore u vlerësua dhe u shpall fituese e muajit maj si "Kampion i ACT Now!". Çmimi dhe vlerësmi u bë nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë vizitës në pikën e riciklimit të vendosur në Parkun "Rinia".

Arvizu vlerësoi nismën mjedisore "Unë ricikloj" për motivimin që i jep individëve dhe komunitetit për riciklimin. Kjo nismë ka të bëjë me një riciklim të mirëfilltë dhe me shërbime ekologjike, duke mbledhur mbeturinat e riciklueshme nga zyrat, bizneset dhe nga hapësirat publike në Tiranë.

Sipas tij, "riciklimi është një nga gjërat më të thjeshta për t'u realizuar dhe sikurse ka kazanë të posaçëm mbeturinash për letër, plastik dhe metale. Në SHBA ne kemi një program më të përparuar, që përfshin dhe shishet e qelqit”. Duke ndarë edhe eksperiencën e tij lidhur për riciklimin, Arvizu tha se "më e rëndësishmja e "Act Now" është se çdo person me punën e tij mund të kontribuojë dhe të sjellë ndryshimin".

Falë sensibilizimit të sa më shumë qytetarëve mbi këtë proces, ata vetëm duke ndarë mbeturinat e tyre në kazanët përkatës, mund ta bëjnë këtë vend më të bukur. "Ju doni që sa më shumë njerëz të vijnë e të vizitojnë vendin tuaj . Por çka tërheq më shumë dhe është e rëndësishme, janë lehtësirat portuale, tokësore dhe mjedisore. Ju mund të kujdeseni për vendin tuaj në mënyrën që ai meriton", tha Arvizu.

Riciklimi është proçesi i ripërpunimit të mbeturinave. Kohët e fundit ky proces ka një zhvillim të gjerë në shumë fusha industriale, si hekurit, drurit, plastikës, qelqit, etj. 

Për të bërë sa më të thjeshtë këtë proces dhe ripërfitimin e materialeve të riciklueshme është vëne në funksion grumbullimi i diferencuar i mbeturinave në kazanët përkates, për leter, qelq, plastike apo mbetjet e njoma. 

Ky proces ndihmon planetin tonë, pasi grumbullimi i mbeturinave sjell një mjedis më të pastër, ndërsa riciklimi i tyre mbron burimet e pasuritë natyrore që të mos shteren kurrë. 
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›