Arvizu: Ftesa e Ramës për debat me Berishën? Sa e vonuar...!

Reagon dhe kreu i OSBE-së, Wollfarth: Dialog dhe në parlament për reformën zgjedhore
UPDATE- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, komentoi sot ftesën e kryesocialistit Edi Rama, për debat të hapur me kryeministrin Berisha. Sipas Arvizu, ky është një hap i vonuar, pasi në një vend demokratik liderët s’duhet të kenë frikë nga përballja e drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Arvizu tha se midis të tjerash, debatet e drejtpërdrejta zhvillohen gjatë zgjedhjeve, ndërsa tani është momenti që midis tyre të zhvillohet një takim privat. “Debati i propozuar nga Rama nuk është ide e keqe dhe do doja që të kishte pasur më shumë debate gjatë zgjedhjeve vendore. Por, mendoj se duhet të ketë një takim privat mes tyre dhe jo debat publik”- u shpreh Arvizu. Gjithashtu ambasadori u tregua i gatshëm që këtë takim ta mirëpresë në shtëpinë e tij: “Jam i gatshëm që këtë takim ta bëjnë në shtëpinë time dhe i pranishëm të jetë edhe ambasadori Sequi. Nëse mund të ndihmojmë për të afruar palët, do ta bëjmë”- tha më tej ai. Ftesa e Ramës për debat me Berishën ka sjellë edhe reagimin e kreut të prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth. Ambasadori Wollfarth tha se mbështet çdo ofertë që sjell dialog dhe mirëkuptim mes palëve. Sipas tij, ka ardhur koha që puna të spostohet në Parlament pasi aty është vendi që të punohet edhe për ndryshimet në reformën zgjedhore.
Në editorialin e tij të 8-të radhazi, kryesocialisti Rama, krejt ndryshe nga e kaluara e errët e tij në përballjen me kundërshtarët politikë, shtron në formën e një ftese, një debat të drejtpërdrejtë televiziv me kryeministrin Sali Berisha. Ende s’është e qartë nëse Rama e ka marrë seriozisht këtë punë, apo ka qenë një moment emocional ai që e ka shtyrë të shkojë drejt përballjes direkte me rivalin Berisha.