E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu-Halimi: Regjistrim audio seancave gjyqësore në Shqipëri

LEZHË- Ambasadori i SHBA ne Tiranë, Aleksandër Arvizu, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi ishin të pranishëm sot në qytetin e Lezhës ku morën pjesë në një takim të organizuar në Gjykatën e rrethit, ku u promovua projekti më i ri që ka të bëjë me regjistrimin audio të seancave gjyqësore, i realizuar me një teknologji moderne të vënë në dispozicion nga USAID.

Të pranishmit kanë ndjekur nga afër procesin e regjistrimit të një seance gjyqësore audio, të cilin Gjykata e Lezhës e implementon për herë të parë në vendin tonë. Ndërkohë, duke folur para te pranishmeve, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, tha se "një shoqëri demokratike është e fortë nëse sistemi i drejtësisë është i tillë dhe kjo kërkon shumë pune për t’u realizuar".

Sipas tij, regjistrimi dixhital audio në gjykatat e vendit shënon fillimin e zbatimit të një nisme të rëndësishme në forcimin e shtetit ligjor, e cila i bën ato më të efektshme dhe transparente për publikun. “Nuk janë thjesht kapacitetet njerëzore ato që përmirësojnë një sistem, por edhe ato çfarë u afrohet atyre për të arritur një objektiv të caktuar dhe ne po japin kontributin tonë në këtë drejtim”, është shprehur Arvizu, duke vleresuar shumë rolin e Gjykatës Administrative dhe ligjin që po hartohet për të, i cili sipas tij, do të forconte sistemin.

Në vijim të fjalës së tij, ambasadori amerikan tha gjithashtu se SHBA mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj për t’iu bashkuar familjes europiane dhe se po punon për të tërhequr bizneset e huaja në vend, por për të realizuar këtë objektiv duhet një forcim i shtetit ligjor.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, duke u shprehur i kënaqur për konkretizimin e këtij projekti madhor, i cili do të realizohet edhe në gjykatat e tjera shqiptare, tha se "nëpërmjet regjistrimit audio ruhet e plotë gjithçka pasqyrohet në një seancë gjyqësore, në mënyrë që të bëhet e mundur të vihet në dizpozicion të palëve të interesuara dhe publikut për çdo kërkesë që mund të paraqitet". Zbatimi i këtij projekti, për ministrin Halimi është pjese e një reformë të mirëfilltë për sistemin gjyqësor, për ta bërë atë më të përgjegjshëm, më të kontrollueshëm e mbi të gjitha, më të besueshëm për publikun.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›