E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Refuzoj qëndrimin e Berishës dhe Ramës pas dështimit për statusin

“Nevojitet një parlament funksional dhe produktiv, një qeverisje më transparente në shërbim të qytetarëve, veprime konkrete kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”

Presidenti kritikoi dje ashpër PD-në dhe PS-në se iu shmangën përgjegjësive mbi dështimin për të dytin vit radhazi në përparimin e mëtejshëm të vendit drejt Bashkimit Europian. Në një mesazh të tij publik, Topi u shpreh se politika shqiptare ka nevojë për një reflektim të thellë në mënyrë që të fitohet koha e humbur ose të paktën, siç shprehet ai, të mos jetë më pengesë e procesit të europianizimit të Shqipërisë. ”Kjo është përgjigjja e dytë negative për Shqipërinë; në dy rastet për të njëjtat problematika që lidhen kryesisht me përgjegjësinë e pambajtur të institucioneve politike në Tiranë. Vitin e kaluar, Bashkimi Europian i prezantoi Shqipërisë 12 rekomandime për një sjellje të re politike dhe reforma konkrete. Pas një viti, fatkeqësisht, shumica e këtyre kërkesave nuk janë plotësuar”. Presidenti Topi e konsideron të papranueshëm faktin se palët vazhduan të fajësonin njëra-tjetrën: “Unë dëgjova deklaratat politike të palëve se pranojnë Raportin dhe janë të gatshëm të reflektojnë mbi problematikën e tij. Dëgjova gjithashtu se palët politike nuk pranuan asnjë përgjegjësi konkrete, por zakonisht fajësuan palën kundërshtare për shansin e humbur të integrimit. Si President dhe qytetar, e refuzoj këtë praktikë dhe këtë qëndrim. Kjo është ajo çfarë nuk i duhet Shqipërisë, demokracisë dhe integrimit.” Thirrja e presidentit është që partitë e mëdha politike dhe udhëheqësit e tyre të dalin mbi interesat personale e politike të momentit e të bashkojnë energjitë në dobi të reformave: “Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri politik, për qëndrime e politika të përgjegjshme, jashtë retorikave personale e propagandistike që nuk zgjidhin, por zgjasin pa fund tranzicionin dhe shanset tona integruese. Sot politika shqiptare ka nevojë për një reflektim të thellë moral e përfaqësues, për të fituar sa më shpejt kohën e humbur ose të paktën, për të mos u bërë më pengesë e procesit të evropianizimit të Shqipërisë”.

Duke iu referuar edhe çështjeve të ngritura në raportin mbi Shqipërinë, presidenti u shpreh se nevojitet “një parlament funksional dhe produktiv, një qeverisje më transparente në shërbim të qytetarëve, veprime konkrete kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, stabilitet ekonomik dhe garantim real të parimit kushtetues të ndarjes dhe balancës së pushteteve”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›