E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Më 21 Janar s’duhej të kishte të vrarë dhe sulm ndaj policisë

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e cilësoi 21 Janarin një ngjarje të tmerrshme për vendin. “Të mbahen zgjedhjet e 8 Majit, të jenë më të mira se të kaluarat”

Tiranë Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ka lëshuar mesazhe të qarta nga qyteti i Vlorës mbi demonstratën e 21 Janarit dhe zgjedhjet që pritet të mbahen më 8 Maj. Gjatë një takimi me drejtuesit e këtij qyteti, ambasadori amerikan i cilësoi tragjike për Shqipërinë ngjarjet e 21 Janarit, ku u vranë 4 demonstrues dhe u plagosën dhjetëra punonjës policie. “Unë do të them vetëm një gjë. Ajo që ndodhi më 21 Janar ishte një gjë e tmerrshme për vendin. Katër shqiptarë vdiqën atë ditë dhe në opinionin tim, ata nuk duhej të kishin vdekur. Dhe mendoj që një total prej 10 vetash, duke përfshirë dhe ata që vdiqën, u qëlluan dhe kishte mbi 100 të plagosur, ku mes tyre kishte demonstrues, njerëz të tjerë, të cilët thjesht po qëndronin atje dhe disa prej tyre ishin dhe policë. Nëse ju shihni videon në fillim të demonstratës, do të shihni qartë që policia është sulmuar” – deklaroi Arvizu nga qyteti i Vlorës. Ambasadori amerikan nuk la pa përmendur dhe hetimin e organit të akuzës për këto ngjarje, ku kërkoi nga të gjitha palët që të lihet të hetojë në mënyrë të paanshme dhe pa ndërhyrje politike. “Ajo që është e rëndësishme për mua dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është që një hetim po zhvillohet dhe prandaj zyra e Prokurores së Përgjithshme duhet lënë që të hetojë në mënyrë të paanshme. Është shumë e rëndësishme që ky hetim të bëhet në mënyrë të drejtë, të logjikshme dhe sa më shpejt. Dhe më e rëndësishmja është që ky hetim të vazhdojë pa ndërhyrje politike” – shtoi më tej ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Nga qyteti i Vlorës, ai komentoi edhe rëndësinë e zgjedhjeve lokale për Shqipërinë. Ai u shpreh se këto zgjedhje duhet të mbahen patjetër dhe duhet të jenë më të mira se zgjedhjet e 2009-s. “Shtetet e Bashkuara mendojnë dhe mbështesin faktin shumë të rëndësishëm, që zgjedhjet të ndodhin në datën 8 Maj, siç e kërkon dhe Kushtetuta Shqiptare, sepse kjo është një mundësi për qytetarët. Në këtë rast, qytetarët e Vlorës të zgjedhin drejtuesit e tyre. Gjëja më e rëndësishme është që këto zgjedhje duhet të jenë më të mira se të kaluarat dhe zgjedhjet e 2013-ës duhet të jenë më të mira se këto që do mbahen këtë vit. Ato vetëm duhet të përmirësohen dhe të bëhen më të mira, nëse njerëzit punojnë që këto zgjedhje të bëhen të mira” – u shpreh ambasadori i ShBA-ve, Aleksandër Arvizu. Gjatë vizitës në qytetin e Vlorës, Arvizu pati takime me kryetarin e Bashkisë, Shpëtim Gjika, dhe me prefektin e këtij Qarku, Eduart Velçani, me të cilët pati bisedime në lidhje me zhvillimin e qytetit të Vlorës dhe për t’u njohur më nga afër me problemet e këtij qyteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›