Prokuroria: Grupi i zjarrit qëlloi 131 plumba
Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për tre gardistët e liruar dje nga Gjykata e Apelit. Organi i akuzës nuk paraqiti asnjë provë që t’i implikonte ata në vrasje
Tre gardistët e “grupit të zjarrit’ janë akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për qitjen e 131 gëzhojave të gjetura në vendngjarje. Më poshtë po botojmë kërkesën e Prokurorisë për tre gardistët e liruar dje nga Gjykata e Apelit. “Në dinamikë të ngjarjes, efektivët e Gardës janë goditur me sende të forta nga ana e protestuesve që ndodheshin në anën veriore të Kryeministrisë, jashtë gardhit rrethues. Gjithashtu, është qëlluar me gurë nga ana perëndimore e Kryeministrisë. Rreth orës 16:00 është qëlluar me armë në drejtim të demonstruesve nga efektivët e Gardës: Agim Llupo, Agron Malaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj. Këta shtetas kanë qenë nën komandën e personit nën hetim, Alfred Ahmetcenaj, i cili ka dhënë urdhra atë ditë. Nga akti i ekspertimit balistik krahasues me nr. 1022, datë 08.02.2011, rezulton se arma me nr. 0057394 ka qitur 18 gëzhoja të kalibrit 9 mm nga 131 gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas marrjes në dorëzim të armatimit, kjo armë është marrë prej shtetasit Mark Nikolli. Në deklarimin e tij të datës 07.02.20011 shtetasi Mark Nikolli shpjegon se ka qitur vetëm 5-6 fishekë tek e tek, në një kohë që nga administrimi i aktit tekniko-balistik rezulton se arma e këtij shtetasi ka qitur një numër më të madh fishekësh. Arma me nr. 0057383 ka qitur 10 gëzhoja të kalibrit 9 mm nga 131 gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas marrjes në dorëzim të armatimit, kjo armë është marrë prej personit nën hetim Sadik Çela. Në deklarimet e tij të datës 07.02.20011, shtetasi Sadik Çela shpjegon se ka qitur vetëm 4 fishekë tek e tek, në një kohë që nga administrimi i aktit tekniko-balistik rezulton se arma e këtij shtetasi ka qitur numër më të madh fishekësh. Arma me nr. 0057402 ka qitur 46 gëzhoja të kalibrit 9 mm nga 131 gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas marrjes në dorëzim të armatimit, kjo armë është marrë nga personi nën hetim Gazmend Ahmetaj. Në deklarimet e tij të datës 07.02.20011, ky shtetas thotë se ka qitur vetëm një krehër automatiku, në një kohë që nga administrimi i aktit tekniko-balistik rezulton se arma e këtij shtetasi ka qitur numër më të madh fishekësh. Gjatë deklarimeve të tyre të datës 07 shkurt, shtetasit Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela, Mark Nikolli dhe Agron Malaj kanë qenë të vendosur pikërisht në vendin nga ku rezulton të jetë qëlluar me armë në drejtim të protestuesve. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë evidentuar edhe gëzhojat që janë gjetur pikërisht në vendin ku kanë qenë shtetasit e mësipërm si dhe majori Agim Llupo. Edhe nga filmimet e bëra nga televizionet rezulton se viktimat në momentin që janë qëlluar kanë qenë jashtë objektivit (jashtë kangjellave ose gardhit rrethues). Ziver Veizi ka qenë në trotuar dhe nuk ka kryer asnjë veprim apo akt dhune. Viktima Hekuran Deda ka qenë së bashku me deklaruesit F.M. dhe H.P., pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shihnin demonstratën. Viktima Faik Myrto ka qenë në Bulevard, në afërsi të kullave Binjake, aty afër ka qenë edhe viktima tjetër Aleks Nika. Të gjithë këta persona kanë qenë shumë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë dhe në momentin e vrasjes së tyre këta shtetas nuk kanë bërë asnjë sulm ose akt dhune ndaj efektivëve të Gardës. Edhe të plagosurit kanë qenë jashtë rrethimit dhe janë qëlluar kur nuk ka pasur sulm. Vlen për t’u theksuar fakti se asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, çka tregon se përdorimi i armëve të zjarrit në rastin konkret është kryer në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës. Qytetarëve u është marrë jeta në kundërshtim me ligjin, duke shkelur kështu rëndë nenin 2 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve është kryer në kundërshtim të hapur të nenit 19 dhe 20 të Kodit Penal. Përdorimi i armëve të zjarrit është kryer në kundërshtim edhe me ligjin “Për armët e zjarrit”. L.Bakillari