Lirohen gardistët, replikat në gjyq për plumbin e Nikajt
Gjykata e Apelit liroi tre gardistët e “grupit të zjarrit”, Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj dhe Sadik Çela, për mungesë provash. Gjyqtari-avokatëve: Pse nuk keni bërë përpjekje për të sjellë nga Turqia plumbin e Aleks Nikajt? Avokatët: I takon Prokurorisë.
Tiranë Tre gardistët e akuzuar për vrasje me dashje në demonstratën e 21 Janarit u liruan dje nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi të shfuqizojë vendimin e Shkallës së Parë, si të pabazuar në prova. Gjyqtari Hysni Demiraj, i cili kryesonte trupin gjykues, pasi dëgjoi pretendimet e palëve urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia për gardistët Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj dhe Sadik Çela, të arrestuar si pjesë e “grupit të zjarrit” që do të qëllonte më 21 Janar. Seanca e parashikuar të zhvillohej në orën 9:00 të ditës së djeshme ka nisur me 50 minuta vonesë, ndërsa trupi gjykues vendosi të shqyrtojë kërkesën e avokatëve mbrojtës, në një prej sallave më të vogla të Gjykatës së Apelit, ku përveç palëve nuk kishte asnjë të pranishëm tjetër. Gjatë seancës së djeshme nuk munguan replikat mes gjyqtarëve dhe avokatëve, mbi të vetmen provë që mund të mbante në qeli tre gardistët, plumbin që plagosi për vdekje Aleks Nikën. Teksa seancat ndaj gardistëve zhvilloheshin të ndara nga njëra -tjetra, në ambientet e jashtme të gjykatës kanë qenë të pranishëm me dhjetëra kolegë të tyre, në shenjë solidariteti. Gjatë gjithë paradites së djeshme, i pranishëm në ambientet e jashtme të Apelit ka qenë edhe Alfred Ahmetcenaj, në shoqërinë e një shtetasi të huaj. Gjatë tri seancave të ndara, avokatët mbrojtës të të arrestuarve kërkuan lirimin e klientëve të tyre, me argumentin se vendimi i Shkallës së Parë, që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg për 30 ditë”, është i pabazuar në prova. Arma më e fortë që mbrojtësit kanë përdorur gjatë seancave të djeshme ka qenë kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit ndaj tre gardistëve dhe vendimi i gjyqtarit të Shkallës së Parë, Shkëlqim Mustafa. Sipas avokatëve mbrojtës, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se tre gardistët e planifikuar si “grupi i zjarrit” kanë qëlluar 131 herë më 21 Janar, por nga ekspertimi tekniko-balistik rezulton se asnjë prej tre demonstruesve nuk është vrarë nga armët e tyre. Ky fakt është pranuar edhe në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila i ka dhënë 30 ditë kohë Prokurorisë të marrë nga Turqia predhën e gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të kryejë ekspertimin e saj. Ky argument, sipas avokatëve, është i papranueshëm, pasi nuk mund të mbahen në burg tre efektivë të Gardës, për ekspertimin e një predhe, e cila në rastin më të mirë për Prokurorinë mund të jetë qitur vetëm nga një armë. Gjatë seancës nuk kanë munguar as replikat mes gjykatës dhe avokatëve, mbi plumbin që pritet të vijë nga Turqia. Trupi gjykues u ka kërkuar avokatëve përse ata nuk kanë bërë përpjekje për të sjellë nga Turqia predhën e gjetur në trupin e Aleks Nikës. Përgjigjja e mbrojtësve ka pasur në thelb parimet e posaçme të të Drejtës Penale, e cila parashikon se në një proces penal barrën e provës e ka organi procedues, pra në rastin konkret Prokuroria. Gjatë tri seancave që kanë zgjatur nga rreth 15 minuta secila, gardistët e arrestuar nuk kanë bërë asnjë deklaratë, duke ua lënë kështu mbrojtjen e tyre avokatëve. Pasi dëgjoi kërkesën e avokatëve dhe argumentet e përfaqësuesit të Prokurorisë së Apelit, gjykata vendosi të shfuqizojë vendimin e shkallës së parë dhe të lirojë gardistët: Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj dhe Sadik Çela. Sipas vendimit të Apelit, thuhet vendimi i Shkallës së Parë duhet shfuqizuar si i pabazuar në prova.