E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet, prokurori britanik mbështet kryeprokuroren Rama

Prokurori i Përgjithshëm britanik, Dominik Grieve, i ka dhënë mbështetje kryeprokurores Ina Rama gjatë një takimi të zhvilluar në Londër. "Institucionet e forta, profesionale e të pavarura janë të domosdoshme për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri dhe për ta sjellë vendin më pranë anëtarësimit në BE" - ka thënë Grieve në takimin me Ina Ramën, ku janë diskutuar edhe çështjet e nxehta që po heton aktualisht organi i akuzës. Bashkëpunimi i Prokurorisë Shqiptare me atë britanike është parë si një mundësi e mirë për të forcuar kapacitetet e zyrës së Prokurores së Përgjithshme në Shqipëri, në përpjekjet për të dhënë rezultate të besueshme e të paanshme në hetimet në vazhdim. Prokurori i Përgjithshëm Britanik tha se: "vizita e Prokurores së Përgjithshme shqiptare ka qenë një mundësi e vlefshme për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira, me një prej institucioneve kryesore ligjore të Shqipërisë". Vizita e kryeprokurores Ina Rama në Londër u realizua pas një ftese të ardhur nga Shërbimi Mbretëror i Prokurorisë së Mbretërisë së Bashkuar. Programi i saj përfshinte takime me drejtorin e Prokurorisë Publike, Keir Starmer; prokurorin e Përgjithshëm, Dominik Grieve; zyrtarë të Agjencisë kundër Krimit të Organizuar (SOCA); dhe një vizitë në një gjykatë të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo vizitë pune e kryeprokurores Ina Rama, në kohën kur organi që ajo drejton ka në dorë dy çështje të rëndësishme hetimore, përfundoi dje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›