Shuhet buja e urdhër-arresteve për 21 Janarin
Majori Agim Llupo është i vetmi oficer i Gardës nën arrest, për vrasjen e Ziver Veizit, ndërsa autorët e tre vrasjeve të tjera nuk dihen
Tiranë Buja e 6 urdhër-ndalimeve që Prokuroria lëshoi ndaj drejtuesve të Gardës së Republikës për të vrarët e 21 Janarit u shua, njësoj si nisi. Prokuroria qëndroi dy javë në pritje, derisa më në fund vendosi të lirojë 5 nga drejtuesit e Gardës, për të mbajtur në qeli vetëm majorin Agim Llupo. Ish-zv.komandani i Njësisë Speciale dyshohet se ka qëlluar demonstruesin Ziver Veizi, pasi edhe ekspertiza tekniko-balistike tregon se ky demonstrues u qël1ua nga arma e majorit. Por pa kaluar dy javë nga arrestimi i Agim Llupos, Prokuroria i kërkoi gjykatës të caktonte masën e sigurisë “arrest me burg” për katër efektivë të Gardës, të akuzuar për vrasje. Por ndryshe nga majori Llupo, këtë radhë, akt-ekspertimi balistik i armëve që kishin gardistët e arrestuar tregoi se asnjë prej tyre nuk përputhej me predhën e gjetur në trupin e demonstruesit Faik Myrtaj. Si valvul shpëtimi, akuza gjeti ekspertimin e predhës që i mori jetën Aleks Nikës, madje kjo ishte edhe detyra që Gjykata e Tiranës u la gjashtë prokurorëve të çështjes, kur vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë ndaj gardistëve. Por dy ditë pas ekzekutimit të këtij vendimi, gjatë përballjes me gjykatën, përfaqësuesit e akuzës kërkuan lirimin e njërit prej gardistëve të arrestuar, Agron Malajt, pasi arma e tij nuk kishte shkrehur asnjë fishek më 21 Janar, për shkak të një bllokimi që kishte patur. Por edhe ekspertimi i armëve të tyre nuk solli asgjë të re për hetimin, përveç faktit se katër gardistët kishin qëlluar 131 herë më 21 Janar. Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga demonstrata ku humbën jetën katër persona dhe u plagosën disa të tjerë, organi i akuzës ende nuk ka mundur të zbardhë se cilat armë kanë shkaktuar vdekjen e Hekuran Dedës, Faik Myrtos dhe Aleks Nikës, i cili ndërroi jetë në Turqi. L.Bakillari