E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Mospërputhja e votave s’më habit, notat e mia për partitë dhe KQZ

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu komenton rolin e partive, KQZ-së dhe Kolegjit për zgjedhjet në Tiranë. “Nëse Rama nuk do të ishte kthyer 2 javët e fundit të fushatës në Tiranë, do të kishte humbur me marzh më të madh. I zhgënjyer për rolin e KQZ-së”. Rivotimi në Tiranë? Një nga mundësitë, por në ShBA nuk është diçka e zakonshme.

Intevistoi: Alfred Peza

Ka pasur disa zhvillime, ngjarjet e 21 Janarit, liberalizimi i vizave etj. Zhvillime që krijojnë situata të ndryshme dhe vetë jeta politike ka qenë jo e qetë. A e keni gjetur busullën për t’u orientuar në “xhunglën” e Shqipërisë?

Sikurse e thashë ndiej se mësoj diçka të re çdo ditë. Nuk mendoj se do vijë një ditë kur do them se po kuptoj çdo gjë që ndodh. Më duhet të them se ngjarjet e 21 Janarit më kanë detyruar mua, por edhe të tjerë që të mund të axhustoheshim shpejt. Ka qenë një ditë shokuese dhe e tmerrshme, pasi katër njerëz kanë humbur jetën, një numër njerëzish janë lënduar dhe disa prej tyre edhe seriozisht. Kur kthej kokën pas dhe shikoj atë ditë, disa e dinë që unë kam qenë duke ngrënë dreke me ambasadorin Ëollfarth dhe kemi ndjekur ngjarjet në televizor. Fakti se po drekonim ishte se donim të njiheshim më shumë me njëri-tjetrin, por tani më duket sikur ai është një vëllai im, ndërsa ambasadori Sequi sapo kishte mbërritur dhe ende s’e kisha takuar. Atë ditë ne kishim mundësinë të lëshonim një deklaratë të përbashkët dhe për t’u kthyer nga ajo ditë më duket se kanë kaluar shumë kohë.

Në këto zhvillime keni qenë aktiv jo vetëm përmes deklaratave, por edhe pranisë suaj në publik. Në gjithë këto zhvillime a ka diçka që kur e keni thënë nuk e keni pasur njohurinë e duhur dhe mund të keni thënë më pas se nuk duhej ta thoshit?

Mendoj se çdo figurë publike mund të gjejë raste kur ai apo ajo thotë se sikur të mos e kisha thënë apo ta kisha thënë. Ka pasur nja dy raste të tilla. Nga ato që më kujtohen, pak pasi ndodhi 21 Janari isha duke u përpjekur të shpjegoja perceptimin tonë për veprimet e ndërmarra nga policia e shtetit, ndodhesha në selinë qendrore të policisë dhe madje po dorëzoja një raport që ishte përpiluar nga departamenti i drejtësisë. U përpoqa të shpjegoja se vlerësimi ynë i përgjithshëm për performancën e policisë gjatë asaj dite ishte pozitiv. Ky ishte pozicioni që unë e ruaj ende sot, duke pasur parasysh provokimet e forta me të cilat u ndesh policia në disa faza të hershme të demonstratës. Megjithatë, ne të gjithë e dimë se teksa demonstrata vazhdoi, pati disa incidente të izoluara ku policia përdori forcë të tepruar. Ndoshta atëherë nuk e sqarova plotësisht këtë gjë dhe kjo krijoi një keqkuptim. Policia e ka kuptuar këtë dhe në fakt unë kam qenë një ndër mbështetësit më të fortë të policisë. Megjithatë, sa herë ka ushtrim të tepruar të forcës edhe nëse jeni një person që keni veshur uniformën, publiku dëshiron të ketë besim te ju....

Cilin veçoni ndër momentet më të vështira që u është dashur ta menaxhoni?

Mendoj se kjo është një përgjigje e thjeshtë dhe kjo është java mes 21 Janarit dhe 28 janarit. Dukej sikur brenda natës niveli i tensionit në vend ishte rritur në mënyrë dramatike. Do doja të isha i sinqertë me ju. Po shikoja ngjarjet dhe u tmerrova e trishtova. Në ditët e mia në shërbimin diplomatik kam parë disa ngjarje të tmerrshme që ndodhin, cunami, njerëz që vriten etj. Por, 21 Janari ishte një incident i tmerrshëm. Pasi fola me disa persona më 22 dhe 23 janar e që më shpjeguan kujtimet e 1997-s, pas periudhës së firmave piramidale, më thanë se situata mund të dilte nga kontrolli. Ndjeva pak trysni dhe përgjegjësi dhe nëse shikoni veprimet dhe deklaratat e kësaj jave janë marrë nën këtë vlerësim për situatën.

Ecuria e procesit zgjedhor në Tiranë. Si e konsideroni?

Kur procesi i numërimit vazhdon dhe nuk ka mbaruar ende, unë e di që është një moment frustrimi për shumëkënd. Njerëzit mund të ndihen të irrituar, pasi kanë një arsye. Gara ka qenë shumë e ngushtë dhe thuajse matematikisht e pamundur. E kuptuam kur përfundoi numërimi se do të duhej disa kohë. Zoti Rama dhe Partia Socialiste kanë zgjedhur të ndjekin çdo rekurs që është i mundshëm për ta dhe për këtë duhen përgëzuar dhe jo kritikuar. Nëse do isha në situatën e tyre, do kisha bërë të njëjtën gjë. Nuk ka përfunduar ende. Sot u mendua se do të merrej një vendim tjetër, por, mesa duket, do duhen edhe disa ditë tjera.

Më datën 8 Maj nga hapja deri në mbylljen e kutive të votimit procesi ishte i mirë, por, siç thotë një dramaturg, demokracia është te numërimi e jo te votimi. Sa demokratike është Shqipëria?

Nëse ju do të flisni për numërimin si kriter, do të thosha se vlerësimi është tejet pozitiv. Së paku në Tiranë, kam ndjerë se numërimi i votave në sensin teknik pati një rezultat paraprak ai që u njoftua, por që të gjithë e dinim në 14 maj. Sensi im është se integriteti i procesit të numërimit të votave më 8 Maj, në përgjithësi në tërë vendin ishte i mirë dhe me përmirësim krahasuar me zgjedhjet e tjera. Ka pasur disa parregullsi të izoluara dhe pres të shoh raportin e ODIHR-it. Fillimisht mendoj se rezultati ka qenë pozitiv.

Keni deklaruar se KQZ-ja duhej të kishte shpallur rezultatin fill pas 14 majit. A i qëndroni kësaj deklarate?

Sigurisht. Ky ka qenë vlerësimi im në atë kohë dhe vlerësimi i Departamentit të Shtetit.

Të gjithë mbajnë mend kur shkuat në palestrën e shkollës “Vasil Shanto” dhe përveshët mëngët. Çfarë ju detyroi?

Në fakt doja t’ju tregoja një histori lidhur me këtë. Para së gjithash, mendoj se vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vëzhguesit vendorë luajtën një rol kyç për integritetin e zgjedhjeve. Ne kemi qenë të pranishëm në 11 qendrat e numërimit në Tiranë dhe ka qenë e rëndësishme për t’u treguar njerëzve se integriteti ishte i rëndësishëm. Disa persona më thanë se duhet të shkoja te njësia 5, sepse situata aty nuk ishte e mirë, por unë thashë se nuk kishte arsye ta bëja. Gjithsesi, ndieja se duhet të shkoja e të vizitoja disa qendra, ndaj në mbrëmjen e 10 majit shkova në njësinë numër 2 dhe njësinë 9. Aty takova ministren Bregu dhe zotin Shalsi dhe situata ishte e paqtë. Të mërkurën kur vazhdonte procesi i numërimit nisa të shqetësohesha. E vetmja që kishte përfunduar ishte njësia numër 1 dhe e dija se njerëzit ishin të shqetësuar sa i përket veçanërisht njësisë 5, ku historikisht PS kishte dalë mirë. Nëse zoti Rama do fitonte, do fitonte vota nga njësia 5. Gjithashtu kishte tension tek njësia 8, ku njihej për votues të Partisë Demokratike. Pata përshtypjen se dy palët ishin të përgjegjshme për vonesat dhe pati një lojë politike që po zhvillohej. Shqetësimi im ishte se nga ngadalësimi do zhgënjeheshin njerëzit dhe integriteti i numërimit do komprometohej. Më 12 maj unë thashë se ndoshta ka ardhur koha të shkoj në njësinë numër 5 dhe kisha dëgjuar historitë nga njerëzit e ambasadës sonë. Të nesërmen mbrëma unë shkova përsëri dhe qëndruam shumë vonë. U thashë kameramanëve se nuk e di sa kjo do zgjasë, por do rrimë këtu të sigurojmë njerëzit se nuk do braktisim procesin. Të shtunën në mëngjes, më 14 maj patëm një takim të hershëm në mëngjes. Folëm aty me zotin Gjiknuri dhe Ruli, na thanë se do përfundonte atë ditë procesi i numërimit. Kishim ndjesi që, nëse vazhdonte gjatë mbrëmjes, njerëzit mund të reagonin me mënyra të ndryshme.

Doja një vlerësim tuajin për rolin që luajti Kryeministri në këto zgjedhje...

Nga pikëpamja politike, ishte shumë tërheqëse për t’u parë. Kryeministri të cilin ne të gjithë e njohim si fytyra e PD-së, në të vërtetë mungonte në fushatën e Tiranës dhe këtu përqendrimi ishte te zoti Basha. Fushata e tij ishte ekskluzivisht te problematika dhe çështjet. Ishte një taktikë e qartë nga ana e tyre dhe kur sheh rezultatin mendoj se ka qenë efikas. Anekënd vendit rezultatet për PD ishin të përziera. Bashkë me disa njerëz të tjerë jam surprizuar që socialistët ruajtën qytetet kryesore. Kishte parashikime që zgjedhjet në Durrës dhe Elbasan do ishin shumë të ngushta. Në fakt te të dyja nuk doli aq ngushtë. PS fitoi edhe kryetarin e Bashkisë në Sarandë, fituan Himarën dhe disa vende të tjera. Ndonëse Kryeministri ishte aktiv anekënd vendit, PS-ja doli mirë në pjesë të ndryshme. PD nga ana tjetër doli mirë në disa zona të tjera. Të dyja palët mund të thonë se dolëm mirë. Madje edhe LSI mund të thotë se dolëm mirë. Kjo ishte pjesa e frustrimit, pasi ishte situatë fituese për të gjitha palët.

Çfarë do t’u thoshit atyre që kanë pasur një perceptim që ju dëshironit që në Tiranë të fitonte Lulzim Basha?

E kam dëgjuar këtë. Në fakt jam habitur nga kjo. Nuk është fare e vërtetë. Disa njerëz kanë parë disa herë të takohem me zotin Basha, por ai ishte ende ministër i Brendshëm. Vërtet jam përpjekur të mbaj një pozicion neutral. Mund të kisha kyçur veten në shtëpi e të mos kisha dalë, por ky nuk është qëndrimi, pasi doja të shihesha me të dyja palët. Zoti Basha ishte ende ministër i Brendshëm dhe zoti Rama ishte ende kryebashkiak.

Cili është gjykimi juaj lidhur me fushatën e zotit Rama në këto zgjedhje?

Zoti Rama pati një detyrë të vështirë, sepse ai ishte kandidat për kryetar bashkie dhe njëkohësisht dhe kryetar i PS-së dhe opozitës. Kështu që ai po përpiqej të bëjë dy gjëra njëkohësisht dhe mesa duket ai bëri një punë të mirë, në të dyja krahët. Gjithashtu, kjo është atribut i partisë, sepse dolën mirë, por në rastin e fushatës së tij, në pjesën fillestare të fushatës ka pasur një ton thuajse negativ. Unë kam dëgjuar jo nga zoti Rama, por nga të tjerë që kanë thënë që PS nuk mendoi se zoti Basha do kishte qënë një kandidat aq i fortë. Kjo, sepse ata menduan se në vitin 2007, megjithëse ishte një personalitet dhe gazetar në fund fare, rezultati nuk qe aq i ngushtë. Njerëzit kishin menduar se zoti Basha do të ishte më i fortë se zoti Olldashi dhe ca të tjerë ndryshe. Prandaj disa e morën në konsideratë kandidaturën e Bashës si një kandidaturë të fortë, por jo të gjithë. Kështu që mendoj se fillimisht zoti Rama shpenzoi shumë kohë anembanë vendit dhe më pak kohë në Tiranë. Por gjatë dy javëve të fundit u duk se pati një ndryshim dhe ai po kalonte më shumë kohë në kryeqytet. Edhe toni i PS-së dhe mesazhet që ata përdorën, u bënë më të moderuara dhe më të përqëndruara në Tiranë. Mendimi im ka qënë se ishte një lëvizje shumë e mençur nga ana e zotit Rama dhe e PS-së, sepse nëse ai nuk do ta kishte bërë këtë, ai do të kishte humbur me një marzh të madh.

Ju po thoni se ka fituar apo se ka humbur me marzh të vogël?

Rezultati është fundi i papërcaktuar, por nëse ai nuk do kishte bërë këto korrigjime unë mendoj se ai do të kishte humbur. Unë nuk di të them mesa do kishte humbur, por di që s’do ishim në këtë situatë, pasi ai do të kishte humbur.

Komisionerët ishin trajnuar që fletët e votimit të hedhura gabim të konsideroheshin të pavlefshme. Citoj këtu raportin e OSBE-ODIHR. Një koment i juaj për këtë veprim të KQZ-së…

Më kujtohet raporti i OSBE-ODIHR dhe këto pasazhe. Këto pasqyrojnë pikëpamjen tonë gjithashtu dhe ne e kemi thënë këtë shumë qartë.

Zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, zoti Kantrimen ka dhënë një intervistë ku është shprehur se zgjedhjet e 8 Majit ishin zgjedhjet më të pastra dhe më të drejta që ka parë Shqipëria. Ju jeni i të njëjtit mendje?

Ne duhet të presim raportin përfundimtar të ODIHR, sepse ata kanë ekspertizë të nevojshme. Ky do të jetë qëndrimi i fundit dhe përfundimtar i ndërkombëtarëve për zgjedhjet. Më kujtohet intervista e Kantrimen dhe është e nevojshme që ta kuptojmë në kontekst të asaj që po përpiqej të thoshte. Kur ne kemi folur për intervistën, ne menduam se duhet ta nisnim me një qëndrim pozitiv, se kishte shumë gjëra pozitive për këto zgjedhje. Kjo është pikëpamja që unë kam edhe sot. Kjo ka qënë me të vërtetë një zgjedhje shumë interesante. Zhvillimi i zgjedhjeve ka qënë në dyshim në fillim, por rezultati ka qënë se ka patur një pjesmarrje shumë të madhe të njerëzve. Pra kuptimi im ka qënë që ato skenare negative që ne kishim dëgjuar për mashtrime masive, apo vjedhje votash, nuk po them se asnjëra nga këto s’ka ngjarë, por mendoj se në përgjithësi zhvillimi i votimit në ditën e votimit, integriteti i procesit të numërimit dhe vetë fushata ka patur shumë elementë pozitivë. Dhe rezultati, përveç Tiranës, ku PS mund të flasë për fitore dhe ku PD mund të theksojë faktin se në Tiranë nga 11 bashkitë, para kanë drejtuar vetëm 2 sot drejtojnë 7. Pra ka një mazhorancë të qartë. Pra ka qenë një situatë win-win. Situata aktuale po zgjat prej dy muajsh dhe unë thjesht përgëzova zotin Rama dhe PS-në që ka ndjekur çdo shteg dhe rrugë ligjore dhe ata po bëjnë atë që duhet të bëjnë. Por gjithashtu, kjo të krijon një ndjesi jo fort të këndshme.

Zoti Kantrimen ka thënë se çështja e votave të gabuara nuk u trajtua siç duhet dhe se ka paqartësi ligjore. A ka një kontradiktë këtu, pasi nga njëra anë thuhet se kanë qënë zgjedhjet më të mira dhe nga ana tjetër konstatohen këto probleme?

Nuk besoj se ka kontradiktë, sepse kur flasim për vlerësim pozitiv, këtu është konteksti i përgjithshëm. Pra në përgjithësi duhet të themi se ky ka qënë një proces pozitiv. Zoti Kantrimen ka pasur të drejtë përsa i përket votave të hedhura gabimisht. Kjo është thënë publikisht dhe ky është qëndrimi i ynë.

Numërimi i votave të hedhura gabim ishte e gabuar?

Këto deklarata që ju më përmendët, pra disa pasazhe të raportit dhe deklaratat e Kantrimen kanë pasqyruar pozitën tonë në atë kohë dhe kështu vazhdojmë të ndjehemi. Do të kishte qënë shumë më mirë nëse procedurat do ishin bërë të qarta më herët. Por më duket mua se do të kishte qënë më mirë, nëse kjo do të kishte qënë më e qartë që nga fillimi.

Pas vendimit të KQZ-së, deputetët dhe mbështetësit e tyre shkuan në rrethinat e KQZ për të protestuar dhe më pas u tërhoqën. Çfarë i këshilluar zotit Rama?

E kuptoj pyetjen tuaj, por nuk meritoj asnjë lloj krediti për këtë. Plusi shkon për zotin Rama, liderishipin e PS, të cilët kanë ndjekur kornizën ligjore, për të trajtuar atë që e quajnë të padrejtë për rezultatin. Më kujtohet se kam takuar disa herë zotin Rama për këtë çështje dhe i kam thënë se ne respektojmë të drejtën e njerëzve për protesta paqësore. Por nëse nuk ndodh kështu, shkakton një problem. I kemi mbështetur për të ndjekur rrugën ligjore. PS nuk duhet kritikuar që e çoi këtë në proces gjyqësor.

Sipas SHBA dhe sipas jush, a i ka zoti Rama të gjitha kredencialet për të qenë partner i SHBA, nëse ai vjen nesër në pushtet?

Absolutisht. Nuk kam asnjë dyshim për këtë.

Si e vlerësoni qëndrimin e presidentit Topi për procesin elektoral dhe opinioni juaj për dekonspirimin e votës së tij?

Unë e kuptoj se përse disa anëtarë të medias kanë dhënë ato filmime, por mund të them se ka qenë i pafat. Ai është figurë publike, si President i Republikës, por edhe një qytetar shqiptar që ushtron të drejtën e votës. Për rolin e tij mund të them se ka qenë shumë konseguent, shumë konstruktiv, por mendoj që ka qenë gjithashtu i frustruar për shumë arsye. Për shkak se roli i tij institucional është shumë i kufizuar. Përpara se rishqyrtohej kodi zgjedhor në 2009, përbërja e KQZ përcaktohej përmes partive, por edhe zyrës së Presidentit. Por kjo ndryshoi me amendimin e Kodit Zgjedhor, kështu që roli i tij përsa i përket procesit zgjedhor është kufizuar dhe ky është burimi i frustrimit për të. Unë mendoj që ai ka bërë atë që ka mundur, në bazë të rrethanave.

Keni identifikuar ju përpjekje të liderëve shqiptarë, në mazhorancë dhe opozitë për të ndikuar vendimarrjen e institucioneve si KQZ, por sidomos për Kolegjin Zgjedhor?

Më lejoni të flas për KQZ dhe Kolegjin. Më duhet të them, sa i përket KQZ, mendoj se është e vlefshme që të ndjehesh i zhgënjyer, pasi KQZ ka vepruar në mënyrë partiake në çdo hallkë. Por gjithashtu, është e vështirë për mua të jem tepër kritik, pasi KQZ është sjellë pak a shumë siç e kam pritur që do të silleshin. Kisha shpresuar që në disa pika kryesore do të kishte vota 7 me 0, por në pikat qendrore ka vepruar me vota partiake. Gjithë ky koncept i KQZ duhet rimenduar, pasi është model me shumë mangësi. Përsa i përket Kolegjit Zgjedhor, kam pikëpamje të ndryshme, të cilat lidhen me rolin e gjyqësorit. Është pak e rrezikshme që ti kërkosh gjyqësorit të ndreqë një gabim politik, edhe pse ky nuk është roli i gjyqësorit. Roli i tij është intepretimi i ligjeve. Nuk është e drejtë ta shohim Kolegjin si zgjatim të KQZ-së, pasi është tejet i ndryshëm.

Nga nota 1-10, çfarë note do t’i vinit popullit shqiptar në zgjedhje?

11.

Klasës politike?

Më pak se 10. Ata mund të bëjnë më mirë, por të gjithë po përpiqen.

Për KQZ?

KQZ ka vepruar saktësisht, sipas mënyrës që njerëzit kanë pritur të sillej. 5 ose 6.

A do të ishte një zgjidhje, përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë?

Mesa kuptoj unë, kjo është një nga mundësitë që mund të mandatohet. Kjo është një mundësi. Nëse është një mundësi, të shpresojmë që të jetë si opsionet e tjera. Në SHBA, kur ribëhen zgjedhjet, nuk është diçka e zakonshme. Njerëzit thonë se ata kanë votuar njëherë. Nëse është e debatueshme, e kontestueshme, apo i ngushtë rezultati, ka disa juridiksione të caktuara, ku nëse marzhi i fitores për kandidat është më pak se gjysma e 1 %, ka rinumërim automatik. Megjithatë, procesi është ndërlikuar kaq shumë. Është besimi im që është zhvilluar në kornizën ligjore, që është pozitive, por është i pafat, se është ndërlikuar shumë. Faza fillestare e ndjekur nga KQZ, ku disa kuti u hapën, disa të tjera jo, ndaj unë nuk jam i habitur nëse ka mospërputhje. Do të isha i shqetësuar nëse nuk do të kishte mospërputhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›