Kreu i Pensionistëve: PS-ja më kërkoi të tërhiqja kërkesën për pavlefshmëri
Zoti Jenisheri, Kolegji Zgjedhor ka hedhur dje shortin dhe kërkesa juaj që ka të bëjë me zgjedhjet në Tiranë do të shqyrtohet ditën e premte. Mund të na thoni shkurtimisht se çfarë kërkoni të arrini me këtë kërkesë?
Ne kemi ankimuar vendimin 11 58 të KQZ me anë të cilit zoti Basha u shpall fitues. Ne e ankimuam këtë vendim edhe në KQZ, por kjo e fundit nuk na e morri parasysh, duke na thënë se kërkesa jonë ishte jashtë afateve. Çka natyrisht nuk është e vërtetë, pasi ne godasim tabelën e re të rezultateve që vetë KQZ miratoi në bazë të votave të gjetura nga numërimi i 1 mijë e ca kutive. Ndaj ne kërkojmë nga Kolegji që të anulojë vendimin datë 29.06.2011 të palës së paditur, për rrëzimin e kërkesës sonë me objekt: shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe pezullimin e shqyrtimit të këtij ankimi deri në dhënien e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën e paraqitur.
Nga sa shihet, kërkesa juaj është thuajse e njëjtë me kërkesën e PS-së, që kolegji do marrë nesër (sot) në shqyrtim. Do kërkoni ta bashkoni kërkesën tuaj?
Jo s’kam pse ta kërkoj, pasi ne na kanë caktuar një datë shqyrtimi më vete. Madje dua të them se unë vet s’do jem fare në seancën ku do të shqyrtohet kërkesa e PS-së. Por dua të them se kërkesa jonë është më e plotë se ajo e PS-së, pasi ne kërkojmë që të pezullohet shqyrtimi i çështjes së Tiranës deri në dhënien e vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese për një tjetër kërkesë tonën, ku kërkojmë që të shpallen antikushtetuese disa nene të Kodit që kanë të bëjnë pikërisht me procesin zgjedhor.
Ju kërkesën për pezullim ia keni drejtuar disa herë edhe KQZ-së, pse keni besim se Kolegji do ju japë të drejtë?
Jo, ne i kërkojmë Kolegjit që të detyrojë KQZ-në që të marrë në shqyrtim kërkesën tonë. Përsa i përket kërkesës sonë ne kemi besim se do ta fitojmë betejën në Gjykatën Kushtetuese për të shkatërruar sistemin politik korruptiv që kanë krijuar dy partitë e mëdha, që duan të jenë të vetme në skenën politike.
Zoti Jenisheri, PS-ja u tërhoq dje nga kërkesa e saj për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë. Ndërkohë që pas seancës ju kemi parë të bisedoni me deputetin socialist Damian Gjiknuri. Mund të na thoni se çfarë biseduat apo për çfarë interesohej ai?
Ai kujtonte se do mund të blinte kryetarin e Partisë së Pensionistëve. Por u gabua, se mua s’më blen dot njeri se jam betuar për babë.
ǒdoni të thoni kur shpreheni se donte t’ju blinte, çfarë ju kërkoi konkretisht?
Ai kërkoi që unë të tërheq kërkesën që kemi paraqitur, duke pretenduar se kështu do ishte më mirë. Por më kot, nuk më bindi dot, se ne jemi të vendosur që t’i shkojmë deri në fund kësaj beteje.
Po si jua argumentoi këtë kërkesë për tërheqje? Si u mundua t’ua mbushë mendjen?
Ai më kërkoj që të takoheshim dhe të bisedonim. Ai më bënte propozime dhe unë i përgjigjesha dhe nuk i kërkova asnjëherë shpjegime pse duhet ta bëja këtë që ai më kërkonte. Por kuptohet që ai kërkon që ne të humbasim shansin për të kërkuar pavlefshmëri.