PS: tërheqje taktike, pavlefshmërinë e kemi sërish
Tërheqje taktike për të shmangur grackën proceduriale të Partisë Demokratike. Kështu e kanë konsideruar socialistët heqjen dorë nga kërkesa për kundërshtimin e rezultatit në Tiranë dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në këtë njësi vendore. Duke folur për mediat pak minuta pas mbylljes së seancës së djeshme gjyqësore, deputeti socialist Damian Gjiknuri, që ka përfaqësuar PS-në në çështjen e djeshme, ka deklaruar për mediat se kjo tërheqje ishte për t’iu përgjigjur tentativës së PD-së për t’i rrëzuar të gjitha kërkesat në gjykim nëpërmjet procedurës. “Pamë një tentativë proceduriale, nga ana e PD-së, për t'i bashkuar këto çështje dhe për ta futur gjykimin në shtigje tepër të rrezikshme për përfundimin e procesit zgjedhor”, - tha Gjiknuri. Ndaj ai s’ka dashur ta konsiderojë seancën e djeshme një humbje për PS-në, pasi edhe në thelb me këtë lëvizje bëhet e mundur që Kolegji të shqyrtojë sot një kërkesë më të plotë dhe që si objekt kryesor të saj ka detyrimin e KQZ për të shqyrtuar kërkesën që kjo forcë politike paraqiti në këtë institucion për pavlefshmëri të rezultatit për Bashkinë e Tiranës, për shkak të mospërputhjes së numrave. Sipas tij, kërkesa nga e cila u tërhoqën dje është thelbi i padisë së 2 Korrikut, ndaj tërheqja për padinë e 30 Qershorit, do t’i hapë rrugë vetëm kësaj kërkese më të plotë. “Ne kemi dorëzuar edhe një kërkesë padi tjetër, që ka qenë detyrimi i KQZ-së për të shqyrtuar kërkesën tonë për pavlefshmëri dhe që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mënyrë arbitrare nuk e mori në shqyrtim”, - tha Gjiknuri.