E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS tërhiqet nga padia për pavlefshmëri në Tiranë

Sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, ka lëshuar me shkrim dore një deklaratë ku autorizonte avokatët që të tërhiqnin kërkesë padinë për pavlefshmëri të zgjedhjeve

Socialistët kanë mundur të shtyjnë edhe me 24 orë dilemën për fatin e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës. Të gjendur dje para një kërkese të Partisë Demokratike për bashkimin e të tria kërkesë-padive që janë depozituar në Kolegjin Zgjedhor për çështjen e Bashkisë së Tiranës, PS-ja për të shmangur rrëzimin e tyre në bllok, është tërhequr nga kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve. Kërkesë që është pranuar nga trupi gjykues, pavarësisht kundërshtimit të demokratëve, të cilët kanë këmbëngulur që Kolegji më parë të shqyrtonte kërkesën e tyre për bashkimin e tri padive.

Seanca

Trupa e gjyqtarëve zgjedhorë, e kryesuar nga Astrit Kalaja, ka hapur dje seancën gjyqësore për të marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga socialistët, me anë të së cilës goditej tabela e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe kërkohej pavlefshmëri të tyre. Për shkak të rëndësisë që kishte kjo çështje për fatin e zgjedhjeve në kryeqytet, palët në debat përfaqësoheshin në sallën e gjyqit përveç avokatëve të përhershëm të tyre edhe nga një numër i konsiderueshëm deputetësh, si Ilir Rusmali, Viktor Gumi dhe Eduart Halimi nga PD-ja dhe Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri dhe Armando Subashi nga PS-ja. Është vënë re dje dhe një prani e madhe e përfaqësuesve dhe vëzhguesve nga përfaqësitë e huaja në vend. Ashtu siç ndodh në çdo seancë, kreu i kësaj trupe, gjyqtari Astrit Kalaja, ka njoftuar palët në proces se dy subjekte zgjedhore, dhe më konkretisht Partia Demokratike dhe Partia Bashkimi i Pensionistëve, kishin kërkuar bashkimin e shqyrtimit të kësaj kërkese edhe me dy paditë e tjera, atë të paraqitur nga PS-ja për të detyruar KQZ-në që të marrë në shqyrtim kërkesën e saj, si dhe kërkesën e pensionistëve që ka thuajse të njëjtin objekt si ajo e socialistëve. Të gjendur përballë këtyre kërkesave, socialistët kanë kërkuar kohë për t’i shqyrtuar dhe pas një pushimi 30-minutësh ata janë kthyer në seancë me një kërkesë surprizë: tërheqjen nga padia që ishte objekt shqyrtimi në seancën e djeshme.

Tërheqja

Me rihapjen e seancës avokati Arjan Salati i ka kërkuar gjykatës që të pushojë shqyrtimin e çështjes në fjalë, duke argumentuar se si palë paditëse Kodi Zgjedhor ia njihte këtë të drejtë. Por kryegjyqtari Kalaja, duke iu referuar aktit të përfaqësimit të PS-së në këtë seancë, i ka bërë të ditur atij se nuk ishte kompetent për të bërë një tërheqjen e kërkesës. Zgjidhja është gjetur në sallë, ku sekretari për çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, ka lëshuar me shkrim dore një deklaratë ku autorizonte avokatët edhe me këtë të drejtë. Por ndërsa socialistët kanë gjetur zgjidhjen për të dalë nga kjo situatë, kanë qenë demokratët ata që i kanë kërkuar trupës gjykuese që para se të vendoste për tërheqjen e palës paditëse, të jepte më parë vendimin për kërkesat për bashkim të çështjeve. “Nuk kundërshtojmë faktin që është tagri që të paraqesë një kërkesë padi, por kërkojmë që gjykata të shprehet për këtë kërkesë kur t’i vijë radha, pasi të shprehet për kërkesën tonë, për kërkesën e Partisë së Pensionistëve të Shqipërisë e të shprehet më pas me vendim edhe për kërkesën e paditësit. Përsa i përket thelbit të kërkesës së paditësit, besojmë se është parë në drejtim krejt të kundërt me atë çka ne kërkojmë dhe populli i Tiranës kërkon, pra atë të përfundimit sa më shpejt të një procesi të stërzgjatur, të një procesi që po bëhet një odise e vërtetë”, - tha avokati demokrat Ivi Kaso. Gjithashtu ai ka hedhur hije dyshimi se kërkesa e bërë në sallë nga socialistët vjen edhe si pasojë e mosbesimit të socialistëve te trupa gjykuese që kishte rënë në short. Pavarësisht kundërshtimeve, kolegji është tërhequr për vendimmarrje, duke pranuar kërkesën e socialistëve për pushimin e gjykimit. Një lëvizje kjo që për demokratët ka ardhur jo vetëm për arsyet e përmendura nga Kaso më lart, por edhe për shkak të përmbajtjes së saj kontradiktore, ku kërkohej në të njëjtën kohë edhe rezultati i zgjedhjeve dhe pavlefshmëria e tyre. Ndërkohë që vetë socialistët pas seancës kanë argumentuar se një lëvizje e tillë u bë për t’iu shmangur lojës proceduriale në të cilën demokratët kërkojnë ta fusin këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›