E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e sotme, zbulohet strategjia e avokatëve të PD-së e PS-së

Raporti i djeshëm në Kolegj për kërkesën që e pushoi vetë PS-ja, mësohet se ishte tre me dy në favor të PD-së. Kjo ka bërë që PS-ja të tërhiqet dhe të kërkojë vetëm detyrimin e KQZ-së për të shqyrtuar padinë për pavlefshmëri

TIRANË Ecuria e procesit zgjedhor për Tiranën pritet të marrë drejtim vetëm sot. Pranimi ose jo i kërkesës së PS-së nga Kolegji Zgjedhor, do të finalizojë edhe fatin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Duke u tërhequr nga kërkesa për pavlefshmëri, Partia Socialiste i kërkoi dje Kolegjit Zgjedhor që të urdhërojë KQZ-në që të marrë në shqyrtim kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 284 qendra të Tiranës. Më konkretisht, PS-ja ka kërkuar anulimin e vendimit Nr.1160, datë 28/06/2011 i KQZ-së “Për mospranimin e për shqyrtimin e kërkesës ankimore Nr.164 të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe detyrimin e KQZ-së që të marrë në shqyrtim kërkesën e më pas vendimin bazuar në 4 nene të Kodit Zgjedhor. Lëvizja e fundit e PS-së është sa taktike, aq edhe e guximshme, pasi në rast se Kolegji Zgjedhor vendos sot mosdetyrimin e KQZ-së për të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore, atëherë gjithçka merr fund për rrugën e ankimimeve të PS-së, sa kohë që kjo forcë politike ka tentuar t’i heqë mundësinë edhe pensionistëve që të mbrojnë në Kolegj ankesën e tyre për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë, ditën e Premte. Në të kundërt, debati do të vijojë. “Tirana” do të kthehet sërish në KQZ e më pas një ankimim i mundshëm për vendimin e këtij të fundit në Kolegjin Zgjedhor.

Nenet e debatueshme

I gjithë debati i sotëm pritet të përqendrohet në tre nene të Kodit Zgjedhor, nenin 158 për llojet e vendimeve, që mund të marrë Kolegji Zgjedhor; neni 145, që lidhet me të drejtën ankimore në gjykatë; dhe neni 24, për vendimmarrjen e KQZ-së. Në nenin 158 të Kodit Zgjedhor, ndër të tjera, thuhet se në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor vendos edhe detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim, paragraf ky ku duket se është mbështetur edhe PS-ja. Por pika e nxehtë e debatit pritet të jetë pikërisht neni tjetër, 145/2 ku thuhet se subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast, Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vendimet e KQZ-së për

rrëzimin e kërkesës ankimore në lidhje me vendimet të marra në përputhje me

shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të nenit 24 të këtij Kodi. Pikërisht neni 24 i saj, paragrafi i parë, pika c thotë se KQZ-ja merr vendim për kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 106 të këtij Kodi. Ky paragraf duket se do të mbështetet fort në argumentet, që do të parashtrojë sot PD-ja për të treguar se ka një vendim për këtë çështje (pavarësisht përmbajtjes) dhe për pasojë bën përjashtim nga rastet që Kolegji Zgjedhor detyron KQZ-në që të marrë një vendim. Pra, me pak fjalë, PD-ja do të argumentojë faktin se kërkesa e PS-së nuk është e bazuar në asnjë nen të Kodit Zgjedhor e për pasojë nuk mund të merret parasysh, ndërsa PS-ja më shumë sesa nga ana proceduriale pritet të parashtrojë argumentet se pse KQZ-ja duhet të marrë në shqyrtim kërkesën e tyre. Bazuar sa më sipër, gjithçka duket se do të mbetet në kuadrin e interpretimit e për pasojë vullnetit që do të ketë vetë Kolegji lidhur me këtë çështje.

Trupa gjykuese

Nëse do t’i referohemi anës proceduriale, PS-ja ka shumë pak gjasa që sot të fitojë betejën në Kolegj. Nëse do t’i referohemi vullnetit që do të ketë secili prej anëtarëve të Kolegjit, atëherë gjërat ndryshojnë jo pak. Trupi gjykues i caktuar sot me short është i njëjti në përbërje me vendimin, që u mor pak kohë më parë për pranimin e pjesshëm të padisë së PS-së. Për numërimin e fletëve të votimit në kutitë e gabuara, në të gjitha qendrat e Tiranës vendosën pro Astrit Kalaja, Dhurata Haveri dhe Meriban Mullaj. Ndërsa kundër firmosën Sashenka Jonuzi dhe Marie Qirjazi. Një raport i tillë e bën të vështirë në fakt edhe vendimin që sot mund të merret. Burimet deklaruan dje për gazetën “Mapo” se raporti i djeshëm në Kolegj për kërkesën që e pushoi vetë PS-ja ishin tre me dy në favor të PD-së. Por në përbërjen e re të trupit gjykues ka ndryshuar një prej anëtarëve në përbërje. Në këtë trupë gjykuese nuk do të jetë më Petraq Dhimitri, një anëtar që ka votuar çdo herë pro pretendimeve të PD-së, por Meriban Mullaj qëndrimi i së cilës në vendimin e fundit që ajo ka marrë ka qenë i pjesshëm në favor të PS-së. Meriban Mullaj ka qenë edhe anëtare e trupit gjykues të Kolegjit Zgjedhor, që vendosi përsëritjen e zgjedhjeve në komunën Kolsh, ku diferenca mes dy kandidatëve ishte pesë vota, ndërsa në kuti u gjendën tetë vota më shumë se sa votues. Megjithatë, ky argument do të vlente shumë për PS-në në rast se sot do të diskutohej për kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve, dhe jo për raste proceduriale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›