Në Shkup nuk u organizuan protesta
Në Shkup, sot nuk kanë mbajtur protesta si vazhdimësi e protestave të dy javëve të kaluara kundër rasteve të montuara ndaj shqiptarëve.
Protestat e fundit ishin vetëorganizuar nga ana e grupeve të të rinjve shqiptarë nga Shkupi, përmes thirrjeve nga rrjetet sociale të internetit.
Në ditën e sotme nuk janë tubuar grupet e të rinjve për të protestuar, edhe pse nga xhamia Jahja Pashë pas lutjeve të së premtes ka pasur tentativa nga disa të rinj që sërish të vijojnë protestën. Mirëpo, ato nuk gjetën përkrahje dhe me këtë nuk pati asnjë organizim proteste.
Protestae e mbajtura dy të premtet e javëve të fundit ishin kryesisht të qeta, përveç disa incidenteve të vogla para qeverisë, që pasuan me thyerjen e xhamave të ndërtesës qeveritare dhe lëndimeve të lehta të disa policëve dhe një ekipi gazetarësh. Protestat nxitën debate dhe reagime të ndryshme, për shkak të mbajtjes së flamujve fetar dhe thirrjeve fetare islame, duke u dhënë shkas mediave maqedonase dhe qarqeve të tjera ti cilësojnë këto protesta me karakter fetar.
Gjatë javës së kaluar u organizuan protesta edhe në disa qytete të banuara me shqiptarë në Maqedoni, kundër arrestimeve të shqiptarëve në operacionin e fundit “Monstër”, lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Shkup dhe kundër akuzave ndaj shqiptarëve si terroristë islamik. / INA