E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zgjidhni e merrni!"

Në raportin e tij, fillimisht Wollfarth flet për situatën e përgjithshme në Shqipëri, duke përmendur këtu procesin e liberalizimit të vizave, proces i cili raportit nuk ka shënuar probleme nga qytetarët shqiptarë për sa i përket kritereve të udhëtimit. Por çështja kryesor, është ajo politike, ku theksohet se që nga vjeshta e vitit 2009, politika shqiptare ka qenë në ngërç.

Veprimtaria pa rezultate e Kuvendit të Shqipërisë

“Si pasojë, rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash.

Më tej, agjenda e reformave ka mbetur e bllokuar në një masë të madhe të saj. Ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë”, thekson Wollfarth në raport.

Ai shton se vetëm atëherë kur palët ta kuptojnë se çdo të thotë të jesh në qeveri dhe në opozitë,  do të mundet Shqipëria të bëjë një përparim domethënës në agjendën e reformave. Në raport i apelohet klasës politike që ta lexojë raportin për zgjedhjet lokale të 8 majit nga “OSBE/ODIHR-it në tërësinë e tij, duke shmangur tundimin për të përzgjedhur elementët që u pëlqejnë apo ato që nuk u pëlqejnë”.

Wollfarth thotë se rekomandimet që përmban ky raport, si edhe ato të raportit të vitit 2009, tani duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore. Dhe për t’ia arritur kësaj, ai kërkon dialog politik i madh ndërpartiak. Në këtë kontekst, sipas Wollfarthit, një reformë e plotë duhet të jetë: teknikisht e shëndoshë; konsultuar gjerësisht dhe, sigurisht, e pa nxituar; dhe sa më konsensual.

“Ekziston, gjithashtu, edhe një nevojë urgjente për të pasur një Kod Zgjedhor, të cilin të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj. Përfshirja e mundshme e rishikimit të sistemit zgjedhor, në çfarëdolloj reforme, përforcon nevojën për një fillim të menjëhershëm të procesit të reformës. Duke e marrë si të mirëqenë se të dyja palët duan vërtet që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare, ato, ose duhet ta fillojnë reformën që tani ose të përballen me rrezikun e një dështimi tjetër. Në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in, Prezenca do t'i ofrojë mbështetje procesit të reformës, me qëllim që ai të nisë e të vijojë me ritëm, për të arritur një rezultat konsensual, në kohën e duhur”, theksoi kreu i OSBE-së për Shqipërinë.

Në raport theksohet se bojkoti i opozitës pavarësisht thirrjes së ndërkombëtarëve, e bëri të pamundur zhvillimin e reformave. “Si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, PS-ja nuk arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë vendore. Thënë kjo, duke supozuar se tani e tutje opozita do të tregojë, më në fund, një vullnet më të madh për të punuar me koalicionin qeverisës në Kuvend, edhe më shumë duhet të bëhet nga kryesia e Kuvendit dhe koalicioni qeverisës për të ndërtuar një klimë politike më gjithëpërfshirëse”, shton më tej.

Në këtë kuadër, Wollfarth thotë se duhet bërë një rishikim i plotë i disa rregullimeve legjislastive dhe rregulloreve të brendshme të Kuvendit si: ligji për statusin e deputetit, “ligji për punën e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe Rregullorja e Brendshme e Kuvendit, për t'u dhënë mundësi të gjithë parlamentarëve të përmbushin në mënyrë efikase detyrat e tyre”.

Sipas tij, këto ndryshime duhet të miratohen me konsensusin e të dyja palëve. Gjithashtu, përmendi ndryshimi i ligjit për imunitetin, ku si rrjedhojë “deputetët tashmë mund të heqin dorë nga imuniteti i tyre në rast të ndjekjes penale për akuza për korrupsion, duke nënshkruar një deklaratë individuale në fillim të mandatit të tyre”.

Në raport thuhet gjithashtu se ajo që ngërçi politik solli për shtetin e së drejtës ishte pamundësia për të miratuar ligje dhe për të emëruar zyrtarë të lartë të shtetit, që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Këtu përmendet mosmiratimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, “që nevojitet për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe projektligji për gjykatat administrative, që nevojitet për ngritjen e gjykatave që merren me mosmarrëveshjet administrative. Pavarësia e institucioneve shtetërore dhe e gjyqësorit ka nevojë të përforcohet edhe më tej, pasi sistemit të drejtësisë i mungon aktualisht transparenca, përgjegjshmëria dhe efiçenca e mjaftueshme”. Në këtë kuadër, në raport thuhet se zëvendësimi i dy të tretave të nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë plotësisht.

Demonstrata e dhunshme e 21 janarit

Ai flet më tej edhe për ngjarjen e 21 janarit, për të cilën shprehet se hetimet e Prokurorisë dhe Kuvendit vazhdojnë ende. “Duket me vend të thuhet thjesht se një protestë e organizuar nga partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS), çoi në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave vdiqën katër vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jetë fokusi i hetimeve që tashmë janë në proces e sipër”, shtoi ai.

Nga a para...

Shefi i prezencës së OSBE-së në Tiranë, mendon se objektivi i parë duhet të jetë rënia dakord për reformën zgjedhore. Ndërsa çështje e tjera të politikave dhe interesave politike-sipas tij-mund të diskutohen më pas. Duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël.

"Nëse liderët politikë shqiptarë nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Për ta shmangur një skenar të tillë, liderëve politikë në Tiranë do t'u duhet të përmbushin angazhimet e marra. Mesazhi është i thjeshtë: "Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet doni t'í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të agjendës së reformave", thekson ai.

“Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë - në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!”, vijon fjalimi në Vjenë i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.

“Telenovela Gërdeci”

Në raport flitet edhe për procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, ku theksohet se mungesa e vazhdueshme e avokatëve mbrojtës ka bërë që procesi të tejzgjatet, ndërsa pala mbrojtëse ka abuzuar qartësisht me procesin ligjor.

Situata e zymtë e romëve

Në raportin e prezantuar sot thuhet gjithashtu se komuniteti romë vazhdon të jetë shumë i margjinalizuar dhe përballet me një shkallë të lartë papunësie, analfabetizmi dhe mundësi të pakta për kujdes shëndetësor dhe arsimim.

“Megjithëse është miratuar një strategji kombëtare për romët, nuk ka pasur ndonjë shenjë të dukshme të zbatimit të saj. Sa u përket të drejtave të fëmijëve, miratimi i një ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve forcoi kuadrin ligjor dhe institucional për këtë çështje. Megjithëse mandati i Avokatit të Popullit mbaroi në shkurt 2010, ky post vazhdon të mbetet bosh, pasi emërimi i një Avokati të ri Populli kërkon shumicën e cilësuar në Kuvend. Për më shumë se një vit, të gjitha detyrat janë kryer nga komisioneri më i vjetër në detyrë, edhe pse ligji lejon që praktika të tilla të vazhdojnë vetëm për një muaj”, thuhet më tej.  

/S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-09-08 12:27
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›