E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentojnë të përdhunojnë vajzën në banesë, rrahin prindërit

08/09/2011  Në kërkim 2 shtetas, hynë nga dritarja në dhomën ku flinte 23-vjeçarja

DURRES- Tentojnë të përdhunojnë vajzën në banesën e saj në prani të nënës dhe babit. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit në lagjen 15 të këtij qyteti. Një vajzë është bërë pre e dhunës seksuale brenda shtëpisë së saj nga dy djem, të cilët kanë tentuar të dhunojnë seksualisht të renë, ndërsa kanë sulmuar fizikisht dhe të atin e nënën e vajzës, duke i lënë të lënduar.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në orën 2:30 të ditës së djeshme në banesën e familjes së një vajze 23-vjeçare në lagjen nr. 15 të qytetit bregdetar. Dy djemtë, Agustin Sh., 22 vjeç, dhe Martin P., 32 vjeç, shokë e fqinjë mes tyre, kanë hyrë brenda banesës (shtëpi përdhese) për të përdhunuar 23- vjeçaren. Sipas burimeve policore, ata kanë hyrë nga dritarja e dhomës së vajzës, ku flinte edhe e ëma. Njëri nga dy djemtë ka izoluar me forcë nënën, kurse tjetri i është sulur të përdhunojë vajzën. Në precipitim e sipër të ngjarjes, në dhomë për shkak të klithmave ka hyrë i ati, i cili është tmerruar kur ka parë që vajza ishte me rroba të shqyera nga njëri prej djemve, kurse e shoqja me gojë të mbyllur nga duart e agresorit tjetër. Në kohën kur ka ndërhyrë i ati i vajzës, ky i fundit është goditur me grushte nga autorët. Duke parë se s’mund të arrihej të plotësohej më tej plani i tyre, dy agresorët më pas janë larguar duke u hedhur nga dritarja. Në lidhje me ngjarjen është kërkuar ndihma e policisë. Në vendin e krimit kanë mbërritur forca policore.

Përmes një informacioni zyrtar policia e drejtorisë së Durrësit i tha agjencisë NOA se u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e dy shtetasve, të cilët dyshohen si autorë të ngjarjes së ndodhur në lagjen nr.15 në Durrës. Identitetet e tyre janë Martin P., 32 vjeç, banues ne lagjen nr. 15 Durrës, dhe Agustin Sh., 22 vjeç, edhe ai banues ne lagjen nr. 15 Durrës. “Personat në fjalë rreth orës 2:30 kanë hyrë në banesën e një 23-vjeçareje në lagjen nr.15 Durrës dhe kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Në kohën kur ka ndërhyrë i ati i vajzës, ky i fundit është goditur me grushte nga autorët, të cilët më pas janë larguar. Po punohet për kapjen e dy shtetasve si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, - tha zyrtarisht policia.

Materialet për veprën penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë dhe dëmtimeve të tjera me dashje i kaluan për ndjekje prokurorisë së rrethit të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›