Arvizu: Negociatat e SHBA me Ramën dhe Berishën
“Tërheqja e PD nga manifestimi? Vendim prej burri shteti nga Kryeministri Berisha. Qëndrimi i Ramës për të ardhur keq”
Aleksander Arvizu zbuloi dje për publikun shqiptar negociatat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të bindur Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, të rikthejnë normalitetin politik. Në një komunikim me median, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë tha se ishte ftuar dy ditë më parë në një drekë nga Kryeministri Berisha. “Gjatë bisedës sonë mbi situatën aktuale, i kërkova të merrte në konsideratë anulimin e tubimit të Partisë Demokratike, të planifikuar për këtë të shtunë. I shpreha gjithashtu që isha i shqetësuar mbi retorikën e ndezur politike nga të gjitha anët dhe kërkova që ai të bënte pjesën e tij, për ta ulur atë”, u shpreh Arvizu. Dje në mbrëmje, vijoi ai, Z.Filip Gordon, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane, i telefonoi Kryeministrit për t’i shprehur shqetësimet tona. Shtetet e Bashkuara përgëzojnë vendimin e Kryeministrit për ta anuluar tubimin. “Ishte një vendim prej burri shteti dhe gjëja e duhur. Para pak fola me Kryeministrin për t’ia shprehur këtë”, vlerësoi ambasadori. Më tutje, ai zbuloi edhe detajet nga takimi prej 100 minutash, brenda të njëjtës ditë, me kreun e opozitës Edi Rama. Arvizu tha se i kishte shprehur atij pikëpamjen se dhuna e mëtejshme nuk do të ndihmojë Shqipërinë, për të luftuar korrupsionin apo për të çuar përpara aspiratat e popullit shqiptar. “I kërkova Z. Rama të merrte në konsideratë anulimin e tubimit të opozitës, që është planifikuar për të premten. Më vonë në mbrëmje, Z. Gordon i telefonoi kreut të opozitës dhe folën për afro 30 minuta. Edhe Z. Gordon theksoi shqetësimin e tij për potencialin për dhunë dhe i kërkoi Z. Rama të anulonte demonstratën”, sqaroi Arvizu. E gjej jashtëzakonisht për të ardhur keq, shtoi ai, që Z. Rama është shprehur se ka në plan ta kryejë tubimin ditën e premte. Unë e nxis me forcë që ta rishikojë pozicionin e tij. Përtej këtyre detajeve, Arvizu insistoi në faktin se Shtetet e Bashkuara nuk marrin anën e asnjërës palë. “Ne jemi në anën e popullit shqiptar. Mbështesim institucionet demokratike të Shqipërisë. Nevojitet që edhe udhëheqësit politikë shqiptarë të bëjnë të njëjtën gjë”, këmbënguli Arvizu. Kryediplomati amerikan u ndal edhe tek qëndrimi ndaj Prokurorisë, duke insistuar se që Shqipëria të funksionojë në mënyrë të efektshme si demokraci, është absolutisht e domosdoshme që institucionet e pavarura, sidomos ato të ngarkuara me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, ruajtjen e sundimit të ligjit, dhe kryerjen e drejtësisë, të lejohen të funksionojnë pa ndërhyrje apo kërcënime nga çdo anë, qoftë kjo qeveri, opozita apo tjetër. “Gjatë konferencës për shtyp në Prokurorinë e Përgjithshme, vura në dukje mbështetjen e plotë dhe tërësore të Shteteve të Bashkuara për atë institucion. Shtetet e Bashkuara besojnë se është me rëndësi kritike, që të zhvillohet një hetim i besueshëm dhe i gjithanshëm mbi ngjarjet e 21 janarit”, theksoi Arvizu, i cili tha se SHBA do t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së Prokurores së Përgjithshme për të asistuar hetimet për 21 janarin. Sipas tij, është e kuptueshme që njerëzit duan shpejt përgjigje për pyetjet e tyre. Ndaj, sugjeroi ai, i kërkoj cilitdo që të rezervojë dhënien e gjykimeve deri në kohën kur të dalin në dritë më shumë fakte. “Kam këto fjalë për cilindo: lejoni hetuesit të kryejnë punën e tyre. Përpjekja për ta bërë këtë në media, nuk i shërben askujt”, nënvizoi Arvizu. I pyetur nëse zgjedhjet e parakohshme do të ishin një zgjidhje për situatën politike në Shqipëri, Ambasadori sqaroi se kjo është diçka që duhet ta vendosin palët. “Zgjedhjet demokratike janë mënyra në të cilën shoqëritë demokratike zgjedhin qeveritë e tyre, zgjedhin udhëheqësit e tyre. Zgjedhjet vendore janë planifikuar për në maj të këtij viti. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë planifikuar për në vitin 2013. Mua më duket se nëse ka një mekanizëm kushtetues, nëse Kushtetuta i parashikon zgjedhjet e parakohshme dhe, nëse palët bien dakord, pse jo”, theksoi Arvizu. D.Malaj