Topi: Të pezullohen përkohësisht tubimet
Është nevojë imediate dhe jetike që të rifitohet qetësia, të rigjehet maturia, vullneti i mirë, si dhe gjuha e dialogut institucional nga të gjitha palët e politikës
Dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta e të civilizuara mes palëve, është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes politike dhe garanti i stabilitetit, i funksionimit normal të shtetit ligjor, si dhe respekti i plotë për institucionet në vend. Me këtë konstatim është shfaqur dje para medias, Presidenti Bamir Topi pasi kishte takuar dy herë brenda pak minutash të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për krizën politike në Shqipëri, Miroslav Lajcak. “Nën frymën e konsensusit, si dhe sipas standardeve demokratike, si Kryetar i Shtetit shqiptar, në këto momente të rënda e delikate, theksoj me forcë nevojën se klasa politike shqiptare duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë, për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare, në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane”, deklaroi Topi. Në këtë drejtim, Presidenti i Republikës sugjeroi pezullimin e përkohshëm të çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik, pasi kjo do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit, si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë, që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional. “Nga ana tjetër, duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si mazhoranca, ashtu edhe opozita, të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional!”, u shpreh Topi. Kreu i shtetit këmbënguli se qytetarët shqiptarë, në përpjekje për të përmbushur aspiratën e tyre integruese, nuk mund të qëndrojnë peng pafundësisht i retorikës gjithnjë e më të ashpër në publik të aktorëve dhe faktorëve politikë.