E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e opozitës për demonstratën e nesërme

SHKRUAN: Fejzi Braushi 27-01-2011 13:43

Deputetët porositen të sjellin sa më shumë pjesëmarrës, të cilët do të jenë me një lule në dorë, që do ta vendosin së bashku me qirinjtë në vendet ku u vranë tre viktimat. Procesioni deri në sheshin “Nënë Tereza” e më pas rikthim te Kryeministria. Pritet që Rama të mbajë një fjalë e më tej tubimi të shpërndahet

Thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve nuk kanë arritur të bindin kreun e opozitës, Edi Rama, që të heqë dorë nga demonstrata e programuar për t’u zhvilluar ditën e nesërme. Me argumentin se frika nuk mund të kultivohet në Shqipëri, kreu socialist ka udhëzuar gjithë strukturat partiake, përfshi edhe deputetët, që të angazhohen për të sjellë nesër në shesh edhe më shumë shqiptarë, për të bërë homazhe për tre jetët e humbura të premten e shkuar dhe për të përcjellë mesazhin e qartë se shpresa nuk mund të vritet me armë. Insistimit të mediatorit të BE-së, Miroslav Jacek, mësohet se Rama i është përgjigjur me premtimin se demonstrata e nesërme do të jetë paqësore.

Organizimi

Një javë pas ngjarjeve të dhunshme që shoqëruan demonstratën e opozitës para Kryeministrisë, të majtët do të zbresin sërish në shesh, por kësaj here jo për të demonstruar fuqinë fizike, por për të shprehur atë që kreu socialist e ka evidentuar shpesh herë si “fuqia e pandalshme e rezistencës paqësore të popullit”. Për këtë arsye demonstrata e nesërme, për shkak se përkon me 7 ditët e vrasjes së tre protestuesve, është menduar që të jetë një homazh masiv për ta. Ndaj, organizatorët kanë programuar që ajo të zhvillohet në formën e një procesioni mortor, jo vetëm në nderim të kujtimit të tre të rënëve gjatë demonstratës së shkuar, por duke mbartur në vetvete dhe një simbolikë për qeverinë, që, sipas tyre, ka rënë. Duke iu përmbajtur kësaj axhende, protestuesit do të ftohen të marrin pjesë në këtë demonstratë me nga një lule për të nderuar të vdekurit e një jave më parë, si dhe për të ndezur qirinj në vendet ku ata u vranë. Natyrisht në krye të “kortezhit mortor” pritet të qëndrojë vetë kreu socialist dhe lider të tjerë të opozitës, të cilët do të udhëheqin turmën përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Itinerari i lëvizjes së demonstruesve nuk është caktuar ende, megjithëse janë menduar dy variante: grumbullimi i tyre në hapësirën mes Bashkisë dhe Ministrive, që gjendet përreth lulishtes së sheshit “Skënderbej” dhe më pas parakalimi në heshtje përgjatë gjithë bulevardit kryesor të Tiranës deri te korpusi i Universitetit të Tiranës dhe për t’u kthyer përsëri para Kryeministrisë, ku dhe do të mbahet një minutë heshtje. Një variant i dytë është ai që protestuesit të vijnë sërish në bulevard nëpërmjet të njëjtave lëvizje siç edhe erdhën të premten e shkuar, pra duke lëvizur në akset kryesore të kryeqytetit dhe për t’u bashkuar në mënyrë të çrregullt në bulevard. Por ajo që mësohet tashmë si e sigurt dhe për të cilën organizatorët japin siguri të plotë është se demonstrata do të jetë e heshtur dhe paqësore. Nuk përjashtohet mundësia që gjatë këtij procesioni kreu i PS-së, Rama, të mbajë dhe një fjalë të posaçme për të nderuar viktimat e një jave më parë, por edhe për të shprehur vendosmërinë e opozitës për të vijuar betejën e saj.

Deputetët

Pjesëmarrja masive në këtë demonstratë konsiderohet nga socialistët si tepër domethënëse, për t’i treguar kundërshtarit politik, por edhe gjithë skeptikëve, se ngjarjet e një jave më parë jo vetëm që nuk e kanë zmbrapsur popullin në kërkim të një jete më të mirë, por e kanë bërë atë më kurajoz përballë forcës së shtetit. Për këtë arsye thuajse të gjitha strukturat partiake të PS-së janë udhëzuar që të kontaktojnë sa më shumë qytetarë dhe t’i ftojnë për t’u bërë pjesë e këtij tubimi homazh. Krahas strukturave partiake, në bazë janë shpërndarë dhe të gjithë deputetët, roli i të cilëve konsiderohet thelbësor jo vetëm për të bindur njerëzit të vijnë në Tiranë për të protestuar, por edhe për të garantuar transportin. Një rol tjetër që u është ngarkuar deputetëve është edhe ai për të mbajtur nën kontroll turmën për të mos shpërthyer në dhunë.

Rama fton pjesëmarrësit për nesër:

Kush beson te dhuna s’ka lidhje me ne

Ndërsa të gjithë përfaqësuesit e vendeve mike dhe organizatave partnere bënin thirrje dje për të evituar çdo formë tubimi, kreu socialist, duke sfiduar këto qëndrime, i ka bërë thirrje publike çdo qytetari që dëshiron të respektojë viktimat e së premtes së shkuar të marrë pjesë në demonstratën e nesërme. “Duke i mirëkuptuar plotësisht për shqetësimin e posaçëm në këto momente dramatike për Shqipërinë dhe duke i falënderuar me gjithë zemër për përfshirjen e tyre pa rezerva në funksion të kapërcimit të situatës, të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, jam këtu për t’i drejtuar këtu një apel çdo qytetari e qytetareje të këtij vendi: Kush dëshiron t’i kujtojë viktimat e terrorizmit qeveritar duke respektuar traditën e kësaj toke, dinjitetin e këtij populli, aspiratat europiane të kësaj lëvizjeje qytetare, me rrobat e zisë shqiptare, me lulet e nderimit njerëzor, me heshtjen e dhimbjes së patregueshme, është i ftuar të marrë pjesë në homazhet e 28 janarit”, - tha Rama në thirrjen e vet. Por ndryshe nga një javë më parë, kësaj here në demonstratë, ka theksuar Rama, ka vend vetëm për ata që duan të protestojnë në heshtje si forcë e rezistencës popullore. “Kush dëshiron të lutet me fjalët e tij të thëna pa zë, bashkë me këdo tjetër që njësoj kërkon një atdhe ku të fitojë paqja jo dhuna, respekti për njëri-tjetrin jo armiqësia me njëri-tjetrin, bashkëjetesa europiane jo barbaria fashiste, është i ftuar të marrë pjesë në homazhet e 28 janarit. Kush dëshiron t’i tregojë botës mbarë, që në të gjitha ekranet e gjuhët do të përcjellë homazhet e 28 janarit, se shqiptarët vriten, plagosen, rrihen e nëpërkëmben në mes të Europës si të ishin të pushtuar jo të qeverisur, dhe megjithatë as do të jepen rrugëve të dhunës e as të fshihen qosheve të frikës, është i lutur të vijë për të ndezur qiriun e ëndrrave e shpresave të veta, që ishin dhe ëndrrat e shpresat e tre demonstruesve të paharrueshëm”, - u shpreh kreu socialist. Por për të evidentuar se demonstrata e nesërme do të jetë paqësore, kreu socialist nuk ka ngurruar të evidentojë se ata që besojnë te dhuna nuk duhet të bëhen pjesë e këtij tubimi. “Kush beson te verbëria e dhunës, jo te lotët e paqes nuk ka lidhje me rrugën tonë të rezistencës paqësore. Kush beson te padurimi i dhunës, jo te këmbëngulja e paqes, nuk ka lidhje me rrugën tonë të rezistencës paqësore. Kush beson te hapja e plagëve të reja për të mbyllur plagë të vjetra, nuk ka lidhje me rrugën tonë të rezistencës paqësore”, - tha më tej Rama. E megjithatë, ai ka hedhur poshtë çdo zë kritik për betejën që po zhvillon PS-ja, se kush mendon se kjo është një luftë për të marrë pushtetin nga rruga gabohet. Kjo, sipas Ramës, është një rezistencë paqësore për t’i mbyllur rrugën një pushteti që kërkon ta kthejë Shqipërinë mbrapa. Në të njëjtën kohë, ai ka siguruar se rezistenca e opozitës nuk do të thyhet me arsyen e forcës. “Kjo është një rezistencë që mund të mallkohet, kërcënohet apo refuzohet si formë e të shtruarit të problemit, po nuk mund të thyhet, sepse ajo vjen nga forca e arsyes dhe realiteti i një Shqipërie të marrë peng. Kush mendon se ne duam Shqipërinë më pak, sepse kërkojmë për të më shumë se kaq, padyshim gabohet”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›