Arvizu: Pakt Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë

Ambasadori amerikan: Zbulimet e Wikileaks, të pa vend dhe të dëmshme – SHBA mbështet reformat dhe integrimin e Shqipërisë
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto priti sot në takim, ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në takim u diskutua për situatën politike në vend, për procesin e integrimit në BE, dhe për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që mbahet në shtator. Pas takimit z. Haxhinasto tha se në takim është diskutuar për çështje të rëndësishme të axhendës dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së. “Në kuadrin e konsultimeve të vazhdueshme diskutuam për disa çështje me interes të përbashkët në Asamblenë e ardhshme të Kombeve të Bashkuara”- tha ai. Kryediplomati shqiptar informoi se në takim është diskutuar edhe për situatën politike në vend, për nevojën e një Pakti Kombëtar për Integrimin, i cili do të ketë si objektiv kryesor zbatimin e planit kombëtar për dymbëdhjetë prioritetet e Komisionit Evropian. “Kjo do të thotë që të gjitha palët e politikës, të angazhohen në një proces të pakushtëzuar për të respektuar dhe për të zbatuar pikërisht ato prioritete që ka vendosur BE-ja përpara Shqipërisë dhe shqiptarëve, kjo edhe në frymën e rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit. Në këto përpjekje ne kemi mbështetjen e plotë të partnerëve evropianë, por gjithashtu edhe të SHBA-ve të cilët mbështesin në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e plotë Shqipërisë në BE”- u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Nga ana e tij, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Arvizu tha se SHBA mbështet procesin e reformave dhe progresin e integrimit Evropian të Shqipërisë. Ai apeloi se për integrimin e vendit nevojitet një konsensus kombëtar mes forcave politike. “Ashtu siç edhe Ministri tha ne folëm për çështje të rëndësishme të rrugës për integrimin e Shqipërisë në BE. ShBA mbështet fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim. Ajo që ka rëndësi për integrimin është një konsensus kombëtar i nevojshëm. Ajo që do të shtoja është që modalitetet specifike kuptohet që i përkasin Shqipërisë dhe vendeve anëtare. Shqipëria është një vend sovran dhe procesi i integrimit ka të bëjë mes palëve. Por për arritjen e këtij synimi duhet patjetër një konsenus kombëtar. Qeveria është njëra pale, por në këtë kuadër duhet të ketë unifikim të qëndrimit dhe me këtë unifikim objektivat janë shumë të arritshme”- u shpreh Arvizu.
Ambasadori amerikan komentoi edhe publikimet e fundit të Ëikileaks për Shqipërinë, duke deklaruar se gjithçka publikohet aty është e pavend dhe e dëmshme. “Ne nuk bëjmë asnjë koment se çfarë publikohet nga Ëikileaks. Çdo gjë që publikohet atje është e dëmshme dhe ne nuk komentojmë asgjë”- tha ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu.