E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektorët tatimorë, kontrolle në zonën e bllokut në Tiranë, bllokohen 3 biznese pa kasa fiskale

29-08-2011 / Gazeta 55

Inspektorët tatimorë të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Tiranë, kanë ushtruar kontrolle të rrepta në zonën e bllokut në kryeqytet. Si rezultat i këtij aksioni, tatimorët rajonalë bllokuan 3 biznese, të cilët nuk përdornin kasat fiskale si dhe nuk zotëronin licencën e ushtrimit të aktivitetit. Kontrollet e tatimorëve nisën nga zona e bllokut, e cila për nga shumësia e subjekteve që ushtrojë aktivitet biznesi, është edhe një nga lokalitetet e kryeqytet ndër më problematikët në respektimin e kritereve ligjore, përsa i takon ushtrimit të biznesit fitimprurës. Subjekteve në fjalë i ishin bërë dy herë paralajmërime nga hetimi tatimor, për të lëshuar kuponë tatimorë klientëve. Por, pas kontrollit të fundit, subjektet nuk kishin marrë masa dhe sipas ligjit, Drejtoria Rajonale tatimore bëri bllokimin e aktivitetit, për 6 muaj. Drejtori Rajonal për Tiranën, Ismail Muça, deklaroi se në Tiranë ka ende shumë biznese që nuk përdorin kasën fiskale, ndërsa paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë ndaj tyre.
Ai shtoi se të gjitha subjektet që nuk përdorin kasën fiskale dhe nuk lëshojnë kuponin tatimor do të penalizohen në bazë të ligjit, deri në bllokim të tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sikurse edhe ajo rajonale kanë nisur kontrolle intensive mbi bizneset si në kryeqytet, ashtu edhe në qytete të tjerë.
Subjekt i këtyre kontrolleve janë regjistrimi i biznesit, pajisja me kasa fiskale, lëshimi i kuponave tatimore si dhe regjistrimi i punonjësve. Tatimorët synojnë që brenda një kohe të shkurtër, falë edhe aksioneve të përditshme në terren, të luftojnë informalitetin dhe të nxisin konkurrencën e ndershme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›