E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: S’do jemi më garnitura e Edi Ramës, do rishikojmë qëndrimin ndaj PS

29-08-2011 / Gazeta 55

Kreu i PDS-së paralajmëron Ramën: Për shkakun tënd jemi mes të humburve

Të pakënaqur me qëndrimin e Edi Ramës ndaj tyre, aleatët kryesorë të Partisë Socialiste paralajmërojnë se do të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me partinë më të madhe opozitare, nëse kryesocialisti do vazhdojë t’i shpërfillë ata. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, aleati historik i selisë rozë, thonë se në 6 vitet e drejtimit të PS-së, Rama nuk i dha partive të së majtës, atë që meritojnë realisht. Durimi ndaj kësaj sjellje të Ramës duket se është duke iu sosur aleatëve, ndaj dhe Milo deklaron se nëse PS nuk ndryshon kurs në raportet e saj me partitë e tjera të majta, atëherë do të ishte e udhës që të rishikohej qëndrimi me partinë më të madhe opozitare. Milo thotë se s’do pranojë më të jetë garnitura e Edi Ramës, pasi siç thotë ai, ky i fundit është mësuar të dalë i humbur nga çdo garë elektorale. “Partia Socialiste në të kaluarën nuk është se ka bërë pak gabime në marrëdhënie me aleatët dhe i kanë kushtuar këto gabime që ka bërë, por puna është që të korrigjohen këto gabime. Për fat të keq, unë ende nuk jam shumë optimist se Partia Socialiste do të ndryshojë mentalitetin e vet dhe filozofinë e vet në marrëdhënie me aleatët. Ne nuk mund t’i mbushim mendjen qoftë kryetarit të Partisë Socialiste, qoftë dhe lidershipit të PS se, duhet të bëjë ndryshime thelbësore në qëndrimet ndaj aleatëve. Nëse ata nuk arrijnë dot të reflektojnë, atëherë është punë e tyre dhe përgjegjësia e tyre. Ne do të vazhdojmë që të këmbëngulim që të ketë një koalicion relativisht efektiv ku ne të mos përdoremi si garniturë, ku ne të mos jemi thjesht një aleat i radhës për zgjedhjet e radhës, por të jemi partnerë seriozë, ku të ndajmë të mirat dhe të këqijat që mund të ketë koalicioni. Nëse PS do ta gjykojë se mënyra se si ka “jetuar” deri më tani me aleatët është e mirë apo është e dobishme për të, ne do të shikojmë patjetër mundësitë që të mos ndodhemi gjithnjë midis të humburve, për shkak të gabimeve të të tjerëve. Pra, rrugët tona, nëse Partia Socialiste nuk do të gjejë mundësitë që të reflektojë dhe të ndërtojë një koalicion që të jetë një koalicion optimist drejt fitores në të ardhmen, patjetër që ne nuk do të rrimë pasivë dhe të ndjekim në mënyrë të verbër çfarë do të bëhet dhe çfarë do të thuhet”- u shpreh kreu i PSD-së, Milo.
Edhe pse vetë është jashtë parlamentit që prej vitit 2009-ë, për shkak të Kodit Elektoral, Paskal Milo mendon se e vetmja rrugë që ka një parti parlamentare, është rruga institucionale. Ai shkon edhe më tej kur thotë se socialistët duhet të bashkëpunojnë me mazhorancën, duke lënë jashtë interesat personale. “Grupi parlamentar socialist bën mirë që shkon në Kuvend, sepse në Kuvend është tempulli ku duhet bërë lufta politike. Interesat partiake duhen kaluar në plan të dytë para interesave kombëtare. Nëse duam tashmë që vërtet të mendojmë mbi bazën e interesave kombëtare, atëherë duhet të diskutohen të gjitha ato probleme që kanë mbetur pezull për një kohë të gjatë. Duhet bërë një politikë aktive opozitare në Kuvendin e Shqipërisë”- thotë Milo.
Si një nga të paktët deputetë që votuan kundër ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008, të ideuar nga Edi Rama, Milo shprehet i kënaqur që kryesocialisti ka shfaqur pendesën për këtë gabim siç e quan ai, por ai pozicionohet kategorikisht kundër ndërhyrjes për interesa personale në ligjin themeltar të shtetit. “Unë besoj se nuk është e mjaftueshme të shfaqet vetëm pendesa. E rëndësishme është që të ketë vullnet politik, për të mos përsëritur të njëjtat gabime. Nëse do të nisemi nga interesa të ngushta partiake për të bërë ndryshime Kushtetuese apo ligjore sa herë që ne mendojmë se përputhen me interesat partiake, atëherë është gabim, prandaj përpara se të marrim vendim, se çfarë ndryshimesh kushtetuese apo të tjera ligjore do të bëjmë, është me shumë interes që shqiptarëve t’u thuhet se më në fund politika shqiptare do të udhëhiqet nga interesa kombëtare dhe jo interesa parciale politike ose partiake”- deklaroi më tej kreu i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.     

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›