E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani, Inkonomu: Në pikat doganore me Greqinë s’do ketë me probleme dokumentacioni dhe as kthim të qytetarëve

29-08-2011 / Gazeta 55

Kreu i Policisë greke: Do penalizojmë çdo efektiv policie që dëmton pasaportat e shqiptarëve

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë të Greqisë, Eleftherios Ikonomu. Ministri Nishani vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes strukturave policore shqiptare dhe greke, bashkëpunim i cili ka sjellë rezultate të shkëlqyera në luftë kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme. “Bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe greke është një shembull i shkëlqyer bashkëpunimi në rajon e më gjerë mes strukturave policore të dy vendeve fqinje dhe këtë e dëshmojnë rezultatet e larta në fusha të ndryshme të goditjes së kriminalitetit, konkretisht në goditjen e krimit ndërkufitar, të trafikut të narkotikëve, trafikut të qenieve njerëzore, trafikut të mjeteve motorike, të goditjes së krimeve kompjuterike apo të goditjes së aseteve kriminale”- u shpreh Nishani.
Duke nënvizuar se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë që prej 15 dhjetorit 2010 në zonën “Schengen” nuk ka shfaqur deri më tani asnjë indikacion të karakterit kriminal dhe të kundraligjshëm, por është kryer në kushte mirëbesimi, respekti dhe disipline si të çdo qytetari europian, ministri Nishani ngriti në takim dy shqetësime përsa i takon lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt Greqisë dhe anasjelltas. Ai shprehu shqetësimin për dukurinë e vonesave që u krijohen qytetarëve shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar gjatë sezonit të pushimeve verore apo të festave të tjera tradicionale. Së dyti, Ministri Nishani paraqiti shqetësimin mbi disa raste të evidentuara të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Greqi dhe veç kësaj u janë dëmtuar dokumentet e udhëtimit.
Në përgjigje të shqetësimeve të Ministrit Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Greqisë Z. Eleftherios Ikonomu deklaroi angazhimin e menjëhershëm për ngritjen sa më shpejt të një grupi të përbashkët pune për të marrë masat e nevojshme që të mos përsëritet më dukuria e vonesave të pajustifikuara për qytetarët shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar.
Ikonomu e cilësoi ndërkohë të papranueshme një sjellje të atillë siç është dëmtimi i pasaportave të udhëtimit, dhe kërkoi nga policia shqiptare të informojë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Greqisë, e cila do të marrë masat e duhura për çdo rast të një sjelljeje të tillë nga ana e policëve grekë. Në këtë takim Ministri Nishani shprehu mbështetjen e plotë për të përparësuar angazhimin dypalësh për krijimin e një qendre të përbashkët të shkëmbimit të informacionit mbi aktivitetin kriminal në Shqipëri dhe Greqi, si dhe inkurajoi formalizimin e takimeve periodike të strukturave policore për të gjitha fushat e luftës kundër veprimtarive kriminale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›